Sigal

Harroet “Fundi i Marrëzisë”, Qeveria i jep parajsë fiskale bixhozit. Dekreti i Ilir Metës: Përbën pengesë serioze për zhvillimin e ekonomisë,përkeqëson gjendjen ekonomike dhe nxit konfliktet brenda familjes me pasoja të rënda sociale dhe shëndetësore

Petraq Barjami

Pas vendimit për mos dekretimin e ligjit për Teatrit, Presidenti Ilir Meta i ka kthyer një tjetër ligj Qeverisë Rama. Presidenca bën me dije se është kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar. Në argumentet e parashtruara, Kreu i Shtetit thekson se miratimi i nenit 6 bie në kundështim me objektivat socialet. “Ndryshimet në ligj sjellin përfitim vetëm për disa biznese. Këto ndryshime janë në favor të biznesve të lojërave të fatit, dhe jo në interes të publikut. Efektet në ekonominë familjare janë negative”, thuhet ndër të tjera.

VENDIMI:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në  argumentat e mëposhtme :

Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.

Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit. Argumentat e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës.

Argumentat e dekretit të Presidentit

Iniciativa propozuese për të lehtësuar barrën fiskale përkundrejt bizneseve të lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi. Në aktet që shoqërojnë këtë propozim ligjor, nuk ekziston asnjë argument në këtë drejtim.

Gjithashtu në përfundim të vlerësimit të nenit 6, të ligjit nr.39/2018, arrihet në konkluzionin se mbështetja e bizneseve në fushën e lojrave të fatit për gjithë kategoritë e tyre, përbën pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social. Varësia e individit ndaj lojrave të fatit, krijon premisë për përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe nxit konfliktin brenda familjes, me pasoja të rënda shëndetësore dhe sociale. Relacionet që mbështesin propozimin e nenit 6 të ligjit nr.39/2018, nuk trajtojnë këto aspekte të rëndësishme, të cilat duhet të ishin vlerësuar me shumë kujdes dhe seriozitet nga qeveria dhe Kuvendi. Së pari, ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell përfitim vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë efektet e pritshme në buxhet apo në ekonominë familjare janë negative.

Gjithashtu nuk rezulton të jetë arsyetuar qëllimi ekonomik i kësaj iniciative dhe nuk është trajtuar aspak çështja nëse mbështetja ndaj këtyre bizneseve nëpërmjet uljes së barrës fiskale, paraqet ose jo, risk të shtuar për zgjerim të aktivitetit të kësaj industrie dhe përhapjen e tyre masivisht në territorin e vendit, krahasuar kjo me impaktin social negativ që mund të sjellë prezenca e shtuar e këtij fenomeni në shoqëri. Së dyti, miratimi i nenit 6 të ligjit nr.39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi, në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cënojnë familjen shqiptare.

“Fundi i Marrëzisë” rilind në parajsë fiskale të  “Marrëzisë të bixhozit

Qeveria e Ramës është e vetmja qeveri në Botë, që  me ligj u ul taksat kumarit dhe bixhozit, ndëkohë që të gjitha vendet e botës ndjekin politikë të kundërt fiskale. Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama, në fushatën elektorale të 2013-s u zotuan se do të miratonin një ligj që të luftonte kumarin dhe bixhozin elektronik të  paligjshëm, që kishin mbirë e lulëzuar në çdo pallat, në çdo rrugë. Bixhozi dhe kumara elektronik u bënë një fenomen shumë shqetësues social, saqë po ndanin familje, po rrënonin pasuritë e familjeve, dhe shumë vetë, pa pasioni për kumarin, humbisnin shuma të mëdha parash, saqë paskëtaj, duke mos gjetur  mundësira për të paguar humbjet, edhe vetëvriteshin, apo kryenin krime, duke vjedhë dhe vrarë.

Operacioni policor “Fundi i Marrëzisë”

Qeveria e re e Rilindjes Socialiste, që në 2014 filloi operacionin policore të quajtur “Fundi I Marrëzisë” për mbylljen e të gjitha kazinove nëpër lagjet e qytete, të cilat nuk kishin leje dhe nuk paguanin taksa. U sekuestruan mijëra kompjutera, u burgosën shumë pronarë të kazinove, u mbyllën shumë kazino. Madje, parlamenti filloi menjëherë edhe debatin e projektligjit, i cili synonte të largonte nga qyteti të gjitha kazinotë dhe t’I ppërqëndronte në një pikë të caktuar. Madje ky projektligj kërkonte që të përcaktohen edhe një distancë jo më pak se 100 metra, që kazinotë të ishin larg njera- tjetrës. Asokohe kryetari I Komisionit Parlamentar të Ligjeve Fatmir Xhafaj ishte për të mbyllur krejtësisht kazinotë pranë shkollave, lagjeve të banuara, etj. Në  18 nëntor 2015, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka propozuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve: “Çfarë problemi ka që ta pengojë qeverinë të vendosë një moratorium për lojërat e fatit e t’i mbyllë plotësisht ato? Vetëm kështu mund t’i disiplinojmë lojërat e fatit”.

E vërteta..

Kazinotë apo lojrat e fatit do të kenë afat deri më 31 Janar të 2017 për t’u zhvendosur në periferi të qytetit. Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi shtyrjen e afatit për pronarët e kazinove dhe lojrave të fatit edhe me 1 vit, pasi në draftin e Qeverisë parashikohej mbyllja e tyre në qytet në 31 janar të vitit 2016. Mirëpo “Fundi i Marrëzisë” në fakt dështoi, sepse kazinotë rilindën edhe më shumë, kudo. Sipas akuzave publike të grupeve të interesuara, “Fundi i Marrëzisë” u bë vetëm që të diktohej kontrolli mbi Lojrat e Fatit në pak duar. Ndërsa qeveria pak kohë më parë hartoi një projektligj, të cilin e miratoi parlamenti me votat e maxhorancës, ku kazinotë u ul taksat në 15 %, ndërkohë, që qeveria po rrit taksat ndaj qytetarëve, ndaj bizneseve, kun ë botë, ndodh e kundërta. Që qeveria rrit taksat ndaj bixhozit, si një masë për ta parandaluar. Ligji i ri i qeverisë së Ramës bën që tatim-fitimi do të aplikohet 15% mbi të ardhurat bruto për të gjitha lojërat e fatit në Shqipëri. Industria e lojërave të fatit qarkullon mbi 100 milionë euro në vit ndërsa lobingjet e saj ia kanë dalë gjatë viteve të fundit të ndikojnë të gjithë sistemin kushtetues të vendit, përfshirë imponimin e ndryshimit të disa ligjeve të rëndësishme.  Ligji “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin mbi të Ardhurat Personale” u prezantua nga qeveria si një favorizim për “biznesin e vogël”. Por krahas ndryshimit të tatimit mbi fitimet neto të biznesit të vogël, projektligji propozon që koncepti “e ardhur bruto” nga lojërat e fatit, të mos jetë xhiroja e kompanive të lojërave të fatit, por fitimet bruto që dalin pasi nga të ardhurat zbriten shpenzimet për pagesën e biletave fituese. Tarifa fiskale mbi lojërat e fatit mbetet 15%, por kësaj here, kjo do të jetë mbi fitimet bruto dhe jo mbi të ardhurat bruto. Aktualisht nuk dihet se sa është pjesa e xhiros së lojërave të fatit që u shpërndahet lojtarëve të biletave fituese dhe rrjedhimisht nuk mund të llogaritet masa e uljes fiskale të përfituar nga kompanitë e lojërave të fatit.

Denoncimi i ishdrejtorit Kundër Krimit ekonomik-financiar: Qëllimi është që aktiviteti i lojrave të fatit të monopolizohet nga 2-3 persona

Ismail Elezi rrëfen përplasjet për goditjen e lojrave të fatit. Ish-drejtori Kundër Krimit Ekonomiko-financiar u shkarkua nga detyra në mes të operacionit, i cili sipas tij kishte vetëm një qëllim.  “Debati që kam pas me ministrin dhe Drejtorin e Përgjithshem ishte se duhet të mbyllnim çdo aktivitet, i thash nuk mund të kryejmë veprime arbitrare. Por kush ishte qëllimi dhe për këtë e them me përgjegjësi të plotë, qëllimi ishte që i gjithë aktiviteti i lojrave të fatit të monopolizohet nga 2-3 persona. Përgjegjësi për këtë ishte vetëm një, Saimir Tahiri”, deklaron ai.

Sipas Elezit, situata sot është me keq se para operacionit fundi i marrëzisë. “Jo vetëm që ka një shtrirje shumë më të gjerë, por nëse më parë kishte subjekte që operonin për vete, sot janë vetëm 2-3 persona, çohen 6 deputetë dhe kërkojnë shtyrje dhe Parlamenti e miraton dhe loja vazhdon”, vijon ish-drejtori i Krimit Ekonomik. 8 muaj nga skadimi afatit për zhvendosjen e lojrave të fatit, nga vëzhgimi në terren rezulton se pika bastesh dhe kumari mund të gjesh pranë shkollave, por edhe institucioneve të kultit, jo vetëm në Tiranë, por edhe qytete të tjera të vendit. Sipas ligjit, nga 1 janari i vitit 2019 nuk do të lejohet që subjektet e lojrave të fatit ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre pranë institucioneve fetare, shkollave, kopshteve dhe unversiteteve. Madje, qeveria ka vendosur dhe një distancë prej 100 metrash vijë ajrore që duhet respektuar. Respektimi i afatit është kërkuar me forcë nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili gjatë diskutimeve të disa ligjeve fiskale, i kërkoi ministrit të Financave që të merren të gjitha masat për zhvendosjen e këtij aktiviteti.