Sigal

Presidenti Meta: Respekt veprës së themeluesit të shtetit, Ismail Qemalit

Jakup B. GJOÇA

Dje u festua Dita e Flamurit, por, edhe këtë vit politika u nda. Presidenti i Shqipërisë Ilri Meta, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Gramoz Ruçi bashkërisht bënë homazhe tek Sheshi i Flamurit në Vlorë, ndërsa opozita, kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Berisha, deputetë të opozitës bënë homazhe dhe vendosën kurora tek monumenti Nënë Shqipëri tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.

Presidenti Meta: Festa e Pavarësisë, simboli më përbashkues i shqiptarëve

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë shtetërore me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë, të zhvilluar në Sheshin e Flamurit dhe Monumentit të Pavarësisë në qytetin historik të Vlorës. Në praninë e Presidentit të Republikës dhe kryeministrit Rama, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Beh’xhet Bacolli, krerëve të institucioneve të larta të shtetit shqiptar, në Sheshin e Flamurit u ngrit Flamuri Kombëtar. Më pas, personalitetet më të larta shtetërore në këtë Vit Mbarëkombëtar kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në shenjë nderimi te varri i Ismail Qemalit. “Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Emocion i veçantë të merrja pjesë sot në Vlorë, “kryeqytetin” e Festës së Pavarësisë, në ceremoninë shtetërore për nder të simbolit më përbashkues të shqiptarëve. Përkulem me respekt para veprës së përjetshme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.”, – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti i SHBA Trump uron Presidentin Meta: Shqipëria, aleate e vyer

Jemi krenarë për marrëdhënien e fortë që dy kombet tona kanë zhvilluar dhe arritjet domethënëse që kemi realizuar së bashku. Shqipëria është një aleate e vyer, që ka dhënë një kontribut domethënës për sigurinë rajonale dhe atë globale.”, – thuhet në urimin e Trump

Presidenti italian Sergio Mattarella

Përkujtimi i përbashkët së fundmi i figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, forcoi më tej jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe por edhe ndjenjën e ndarjes bashkërisht të faqeve të rëndësishme të historisë – siç u dëshmua konkretisht nga pakica arbëreshe mjaft aktive – si dhe të horizonteve të përbashkëta në gjirin e familjes evropiane dhe të komunitetit euro-atlantik.

Presidenti Gjerman, Frank-Walter Steinmeier

Shqipëria është për Gjermaninë një partner i ngushtë dhe i besuar në Ballkanin Perëndimor dhe një mik i çmuar evropian. Të jeni të sigurt se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në mënyrë aktive në rrugën e saj drejt Bashkimin Evropian.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan

Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe që burojnë nga lidhjet e miqësisë dhe të vëllazërisë të mbështetura në historinë tonë të përbashkët.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping

Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare dhe jam i gatshëm të bëj përpjekje së bashku me Ju.

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin

Jam i sigurt se zhvillimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunimi dypalësh ruso-shqiptar në fusha të ndryshme do të ishte në interes të dy popujve e dy vendeve tona, si dhe të gjithë Evropës.

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović

Republika e Kroacisë si mike dhe aleate e juaja, mbështet fuqishëm të ardhmen e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe është e gatshme për të vijuar të japë ndihmë dhe transferojë njohuri dhe eksperiencë nga proceset e saj të integrimit evropian.

Mesazhe urimi

Presidenti Meta ka marrë edhe nga Perandori i Japonisë Akihito, Mbreti i Spanjës Felipe VI i Spanjës, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Alain Berset, Presidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid, Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaité, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr.Yousef A. Al Othaimeen, e shumë personalitete të tjera evropiane e botërore, si dhe bashkatdhetarë nga të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët apo nga diaspora.