Presidenti Ilir Meta: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike

722
Sigal

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta: Qëndrimi im është koherent me politikën e jashtme të votuar në Kuvend

Ia kam thënë edhe Ramës. Shqipëria nuk duhet të ndërhyjë në dialogun Kosovë – Serbi për dy arsye

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, deklaroi se “dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Përse keni deklaruar dhe pse jeni kundër korrigjimit të kufijve, mes Kosovës dhe Serbisë?

Presidenti Meta: Në mënyrë fare të qartë e të kristaltë, qëndrimi im i vetëm si President i Republikës së Shqipërisë, në raport me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ka qenë, është dhe do të mbetet i pandryshueshëm, me çdo faktor të Kosovës apo të Shqipërisë dhe me çdo përfaqësues të faktorëve ndërkombëtarë: Dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

A e dinë të gjitha institucionet e Shqipërisë këtë që po thoni ju? A e di institucioni i kryeministrit?

Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik. Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti, mund të krijonte keqkuptime të panevojshme. Kam theksuar me të gjithë, se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, me Britaninë e Madhe dhe me faktorët e tjerë relevantë e të interesuar pozitivisht për perspektivën e këtij Rajoni. Çdo përfshirje e Shqipërisë dhe kjo ka qenë ndonjë dëshirë në Beograd që dialogu më shumë të kishte qenë Beograd-Tiranë, por kjo kuptohet që ka pasur si synim defaktorizimin e udhëheqësve të Kosovës dhe të vetë shtetit të Kosovës.

Zoti Meta, a është qëndrimi i kryeministrit Rama në përputhje me politikën e jashtme, që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë?

Qëndrimi im është në koherencë të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë.

Kryeministri Rama tha se, tashmë Shqipëria i përfaqëson të gjithë shqiptarët, me Kushtetutë. Por kryeministri Rama ka thënë në disa deklarime publike se askush nuk mund ta ndalë në idenë e bashkimit kombëtar. Ky qëndrim a është në vijim me politikën e jashtme të Shqipërisë, që është votuar në Parlament? Tani po ju pyes drejtpërdrejt.

Unë besoj se ne duhet të shtojmë përpjekjet për të qenë më të bashkuar. Në radhë të parë, në Shqipëri faktorët me njëri-tjetrin.

Që nuk janë…

Së dyti, në Kosovë më shumë me njëri-tjetrin.

Që nuk janë…

Dhe së treti, të punojmë që të gjithë me një projekt, që me siguri na bashkon të gjithë ne shqiptarëve, pa cenuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, por edhe të ardhmen e begatinë e të gjithë shqiptarëve, që është ai i integrimit evropian. Unë as nuk jam lodhur, dhe as nuk jam dorëzuar përballë këtij projekti, sepse e shikoj si projektin më të sigurt, pavarësisht nga frustrimet që mund të jenë këtu apo diku tjetër.

Këtu pajtoheni me kryeministrin Rama se bashkimi i shqiptarëve do të bëhet në Bashkimin Evropian, besoj?

Kjo është një bindje e imja që kur jam angazhuar në politikë. Pra u bënë gati tri dekada. Dhe kjo gjë po ndodh, sepse unë e kam artikuluar në mënyrë tepër të qartë që, nëse ka një komb në këtë rajon, i cili ka përfituar më shumë nga rënia e Murit të Berlinit dhe nga era e re e integrimeve evropiane, ai është kombi shqiptar, sepse cili ka qenë kombi më i shtypur, më i izoluar dhe më i persekutuar e më i ndarë nga njëri-tjetri në vitin 1990-të? Kanë qenë shqiptarët. Shqiptarët në Shqipëri për sa u takon të drejtave të njeriut, jashtëzakonisht të shtypur. Dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, që ju e dini më mirë se unë se si kanë qenë. Dhe, padyshim që këto procese në dy-tri dekada, na kanë sjellë pranë njëri-tjetrit. Transformimet janë gjigante, pavarësisht se gjithmonë shumë arritje harrohen më shpejt.

Meta: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike, rruga e zgjidhjes nuk është përjashtimi

 

Do të doja të ndalesha pak te zhvillimet në Shqipëri. Çfarë po ndodh? A do mbahen zgjedhjet?

 

Besoj është bërë e qartë edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, sidomos nga drejtues të fraksionit kryesor në Bundestagut të CDU/CSU që, zgjedhjet pa opozitën janë zgjedhje problematike, për sa i takon aspektit demokratik dhe Shqipëria, ka nevojë për stabilitet demokratik. Në këtë drejtim unë, shpresoj në një reflektim të të dy palëve dhe në një përgjegjshmëri të lartë. Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa Kushtetutë. Opozita ka marrë edhe iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat pothuajse nuk janë shqyrtuar fare Rruga e zgjidhjes nuk është rruga përjashtuese, as e mazhoranës për opozitën dhe as opozitës për mazhorancën, duhet një marrëveshje që rivendos vendin në normalitet të plotë kushtetues, institucional dhe demokratik.