Presidenti Ilir Meta takon Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo

476
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir META mori pjesë dje në Mëngjesin e Lutjeve në prezencë të Presidentit të SHBA, Donald Trump

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir META mori pjesë dje në Mëngjesin e Lutjeve në prezencë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, senatorëve, kongresmenëve, si edhe personaliteteve politike e fetare nga e gjithë bota. Presidenti Meta u takua me Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo me të cilin bisedoi për partneritetin strategjik mes dy vendeve, sfidave të përbashkëta globale dhe veçanërisht për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Presidenti Meta: Shumë i lumtur të isha sot në krah të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me numrin 2 të qeverisë së SHBA-së, Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. “Shumë i lumtur të isha sot në krah të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo gjatë Mëngjesit të Lutjeve në Uashington. Folëm për partneritetin e shkëlqyer të dy vendeve tona dhe rëndësinë e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.

Presidenti Meta takohet me Kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi

Presidenti Meta, pati gjithashtu një takim miqësor me Kryetaren e Kongresit Amerikan, znj. Nancy Pelosi, të cilën e uroi për zgjedhjen e saj në këtë detyrë të rëndësishme duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që Kongresi Amerikan ka në mbështetjen e Shqipërisë dhe promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Ish-ministri Gjiknuri pritet nga kongresmeni Robert Aderholt

Ish ministri Damian Gjiknuri, ndodhet për një vizitë zyrtare në SHBA, së bashku me delegacionin parlamentar të Shqipërisë, ku mori pjesë edhe në Mëngjesin e Lutjeve, që dha Presidenti i SHBA Donald Trump, me senatorë, kongresmenë. Ish-ministri Gjiknuri u prit dje edhe nga Kongresmeni Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

Presidenti Meta pritet nga Kongresmeni amerikan, Robert Aderholt

Në vijim të vizitës së Tij në Uashington D.C, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua me Kongresmenin Robert Aderholt, anëtar i Komitetit Amerikan të Helsinkit dhe bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri. “Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, – nënvizoi Presidenti Meta. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e SHBA në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, për anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike. “Është e domosdoshme, – theksoi Presidenti Meta, – nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”. Kongresmeni Robert Aderholt siguroi Presidentin Meta për angazhim të pandalur për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor falë përkushtimit konstant të SHBA për paqen, lirinë dhe stabilitetin.

Presidenti Meta takon në SHBA Kongresmenin Eliot Engel

Presidenti Ilir Meta është takuar me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel, i cili njihet për mbështetjen ndaj Kosovës. Presidenti Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Meta shprehu besimin se z. Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

Presidenti Meta: Shqiptarët, me fat që kanë një mik të tillë

Një takim i ngrohtë në Kongresin Amerikan me mikun e të gjithë shqiptarëve, Eliot Engel, Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme. E falënderova për rolin e tij të pazëvendësueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Me fat që kemi në Kongres një personalitet të tillë me memorie të fortë historike, por edhe vizion gjithmonë të kthjellët për të ardhmen e rajonit tonë.