Presidenti Ilir Meta: Takimi me kreun e OKB, Guterres, Këshillin Shqiptaro-Amerikan, përfaqësues të “VATRA” dhe biznesit në Nju Jork

564
Sigal

Shqipëria i mbetet besnike parimeve themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta takon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, zoti António Guterres. Presidenti Meta vlerësoi edhe njëherë lidershipin e zotit Guterres në përpjekjet e tij për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe për të avancuar Agjendën 2030.

Presidenti Meta: Shqipëria luan rol konstruktiv në Rajon

Presidenti Meta e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm Guterres se Shqipëria i mbetet besnike parimeve themelore të Organizatës dhe mbështet diplomacinë parandaluese në dobi të paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Presidenti Meta, nënvizoi qëllimin kombëtar të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE dhe rëndësinë që i gjithë rajoni, në frymën e integrimit të tij evropian, të forcojë bashkëpunimin rajonal. “Shqipëria, – nënvizoi Presidenti Meta, “po luan një rol të rëndësishëm konstruktiv në rajon dhe ambicia e saj për të qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023 do të jetë vazhdimësi e kontributit të saj në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale dhe një zë përfaqësues i rajonit tonë në këtë organizatë të rëndësishme”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres: Mbështetje për projektet e zhvillimit në Shqipëri

Edhe Sekretari i Përgjithshëm Guterres, e vlerësoi rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e projekteve zhvillimore në Shqipëri dhe në rajon.

Presidenti Ilir Meta: Shqipëria, po luan një rol të rëndësishëm konstruktiv në rajon dhe ambicia e saj për të qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023 do të jetë vazhdimësi e kontributit të saj në interes të paqes e sigurisë rajonale e globale dhe një zë përfaqësues i rajonit tonë në këtë organizatë të rëndësishme

 

Presidenti Ilir Meta takohet me personalitete shqiptare në Nju Jork

Presidenti Meta takon Këshillin Shqiptaro-Amerikan

Presidenti i Republikës Ilir Meta vijon vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me aktivitete e takime të shumta. Kreu i Shtetit Ilir Meta u takua me Këshillin Shqiptaro-Amerikan, përfaqësuesve të të cilit iu ka shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre. “Kënaqësi të takohesha me Këshillin Shqiptaro-Amerikan të drejtuar nga Z. Haxhi Dauti dhe t’i falënderoja për kontributin e dhënë nga ana e tyre për çështjen shqiptare dhe kryesisht për zhvillimin e proceseve demokratike në Maqedoni.”, – shkruan Presidenti Meta në rrjetin e vet social.

 

Presidenti Meta takohet me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”

Presidenti Meta, gjatë qëndrimit në Nju Jork u takua edhe me botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, duke u shprehur atyre mirënjohjen për kontributin që japin për Kombin tonë shqiptar. Presidenti Meta: Kënaqësi të takohesha me Z. Vehbi Bajrami, botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” si dhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA. Mirënjohës për kontributin e tyre.

Presidenti Meta takohet me kryeministrin e Kosovës Haradinaj

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku mori pjesë në Sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Presidenti Meta u takua edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Presidenti Meta shkruan: Pata kënaqësinë të takohesha në New York me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas kthimit të tij nga Washington DC dhe para nisjes së tij në Kosovë.

Presidenti Meta: Harry Bajraktari, një veprimtar i palodhur i çështjes shqiptare

Presidenti Meta në Nju Jork u takua edhe me personalitetin shqiptaro-amerikan, Harri Bajraktari. Presidenti Meta shkruan se, nuk mund të mos e takonte veprimtarin dhe personalitetin Harri Bajraktari. Presidenti Meta: Nuk mund të mos takohesha në New York, me veprimtarin e palodhur të çështjes shqiptare, Harry Bajraktari

Presidenti Meta takohet me përfaqësues të Organizatës Panshqiptare “VATRA”

Presidenti Meta në Nju Jork u takua edhe me përfaqësues dhe kryetarë degësh të organizatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA. Për këtë takim, Presidenti Meta shprehet: Kënaqësi të takohesha dhe të bisedoja me drejtues, përfaqësues dhe kryetarë të disa degëve në SHBA të Organizatës Panshqiptare “Vatra” dhe t’i falënderoja për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare