Presidenti Ilir Meta: Takime me kongresmenin Aderholt dhe ministren e Jashtme të Austrisë. CEPA i bën jehonë fjalës së Metës

534
Sigal

Presidenti Meta me Ministren e Jashtme të Austrisë: Vlerësojmë mbështetjen e madhe për Integrimin e  Shqipërisë

Qendra për Analizat Politike, CEPA,  i bën jehonë fjalës së Presidentit  të Shqipërisë, Z. Ilir Meta

Gjatë vizitës në SHBA Presidenti Meta kishte shumë takime. Presidenti Meta  mbajti një fjalim edhe në Qendrën për Analizat Politike Evropiane (CEPA), e cila nga ana e saj i ka bërë jehonë kësaj përshëndetjeje nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. “Gjithsesi  ju lutem mbani një sy hapur nga Ballkani, edhe kur ju jeni në gjumë. Kjo do të na ndihmojë mos të dëmtojmë arritjet e rajonit deri tani. Le të mirëmbajmë atë që kemi arritur, sepse nuk ka rajon më të bukur se sa Ballkani”.  Ky është citimi nga fjala e Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta publikuar nga CEPA. Në Qendrën për Analizat Politike Evropiane (CEPA) Presidenti Meta mbajti një fjalim, si  si i Ftuar Nderi i kësaj Qendre në Universitetin “John Hopkins” në Uashington D.C.

Presidenti Meta: Viti Kulturor Austri-Shqipëri 2018. Të rizbulojmë të Përbashkëtat

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim të veçantë Ministren Federale të Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, zonjën Karin Kneissl. Presidenti Meta përshëndeti vizitën e Ministres Kneissl në Tiranë dhe vlerësoi vëmendjen e mbështetjen e madhe që Austria, si mbajtëse e Presidencës së BE-së, po i jep integrimit evropian të Shqipërisë dhe çeljes në një periudhë sa më të afërt të negociatave të anëtarësimit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë për rolin dhe mbështetjen e Austrisë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve që prej hedhjes së themeleve të shtetit modern shqiptar. Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta vlerësoi angazhimin e përbashkët në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018. Motoja e këtij viti kulturor: “Të rizbulojmë të Përbashkëtat”, –  ka përcjellë një mesazh shumë të bukur dhe po ndihmon për ruajtjen dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta historike, miqësore e kulturore midis dy vendeve e dy popujve, – nënvizoi Presidenti Meta, i cili vlerësoi gjithashtu praninë e kompanive të mirënjohura austriake, veçanërisht në sektorët energjetikë, bankarë e të sigurimeve, si dhe rolin e tyre në rritjen e besueshmërisë së tregut shqiptar tek investitorët e ndryshëm ndërkombëtarë. Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve më të fundit në rajon dhe të ardhmes së vendeve të tij në BE.

 Presidenti Meta takohet me Kongresmenin Aderholt: Kënaqësi të takoj një mik të mirë të Shqipërisë!

Presidenti i Republikës Ilir Meta, gjatë qëndrimit në SHBA, ka vijuar takimet me zyrtarë të lartë amerikanë. Sot Meta u prit në takim nga Kongresmeni amerikan Robert Aderholt, i cili është gjithashtu dhe anëtar i Komitetit të Helsinkit. “Si gjithmonë është kënaqësi të takoj një mik të mirë të Shqipërisë, Kongresmenin amerikan Robert Aderholt, anëtar i Komitetit të Helsinkit. E falënderova për angazhimin e tij të palodhur dhe të vazhdueshëm për mbështetjen dhe promovimin e Shqipërisë në Kongresin Amerikan”- shkruan Presidentit  Meta në rrjetin social.