Presidenti Ilir Meta takim zyrtar me Ministrin Italian të Drejtësisë Andrea Orlando

82
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë, Ministrin e Drejtësisë së Republikës Italiane, zotin Andrea Orlando.
Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse që Italia i ka dhënë Shqipërisë për konsolidimin e shtetit ligjor.
Duke u ndalur në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes institucioneve të drejtësisë së dy vendeve dhe përshëndeti Memorandumin e Mirëkuptimit dhe të Bashkëpunimit të arritur sot mes Ministrave të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Italisë.
Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë që, rëndësia e implementimit të reformës në sistemin e drejtësisë, pëfshirë këtu edhe çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, kërkon bashkëpunim mes aktorëve politikë me të njëjtën frymë konsensusi, siç ajo e shprehur në ndryshimet kushtetuese të 21-22 korrikut 2016.
Bashkëpunimi i aktorëve politikë në vend duhet të jetë edhe në këtë faze të procesit i udhëhequr nga parimet kushtetuese dhe këshillat e Komisionit të Venecias – nënvizoi Presidenti Meta.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar është shumë e rëndësishme që të forcohet besueshmëria e bashkëpunimit mes institucioneve të drejtësisë dhe agjencive ligjzbatuese të dy vendeve.