Presidenti Ilir Meta: Qeveria e Kosovës dhe opozita të gjejnë zgjidhje për Demarkacionin

665
Sigal

Radio Evropa e Lirë: Fillimisht dua të ndalem tek
roli që ka Shqipëria si shtet në rajon. Në kohën kur Serbia luan një rol aktiv
për mbrojtjen e interesave të serbëve kudo që ndodhen, në këtë kontekst cili
është roli i Shqipërisë kundrejt interesave të shqiptarëve?

Presidenti Ilir Meta: Besoj
se Shqipëria ka një rol tepër pozitiv për gjithë shembullin dhe përkushtimin e
saj për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimin rajonal si një
shtyllë e fortë e gjithë e filozofisë dhe angazhimit të saj për evropianizimin
e këtij rajoni. Dhe natyrisht që në këtë drejtim dhe në këtë koncept ajo ka
qenë e përkushtuar dhe e angazhuar për të inkurajuar dhe për të përkrahur
shqiptarët kudo në rajon, që të fitojnë të drejtat e tyre në varësi dhe me
gjendjen në rajon në raportin ku ata janë ndodhur dhe janë si qytetarë të
Evropës, ku duam të anëtarësohemi të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Në këtë drejtim do të dua të
ndalem dhe në atë se si shihni në ngritjen e çështjes së pasaportave që ka
kërkuar presidenti Thaçi për qytetarët e Kosovës, si kundërpërgjigje BE-së
karshi liberalizimit të vizave?

Presidenti Ilir Meta:
E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi si një apel për një
zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së liberalizimit të vizave dhe jo si një
alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të
Kosovës nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh. Sepse
jo vetëm që nuk është e drejtë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë kenë
pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të
ishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen
për arsye se vetë Shqipëria është një vend i detyruar të tregojë kujdes të
vazhdueshëm sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi i liberalizimit
të vizave.

Pra,
do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale dhe nga e cila jo
vetëm që qytetarët e Kosovës që nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin
edhe ata të Shqipërisë. Kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një
sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtar, besoj edhe evropian për t’i dhënë
zgjedhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh
me një çështje tjetër që është ajo e zgjidhjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Unë besoj dhe uroj se pas përfundimit të zgjedhjeve vendore në Kosovë qeveria e
re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën të gjejë bashkëpunim për të ecur
përpara dhe për të zgjidhur, jo vetëm çështjen e demarkacionit përfundimisht me
Malin e Zi, por edhe për të pasur mundësinë për të përfituar nga liberalizimi i
vizave të gjithë qytetarët e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Z. President, në deklaratën
tuaj pas takimit që kishit me Presidentin e Maqedonisë, Ivanov, ju keni
inkurajuar autoritetet e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent
për ngjarjet që lidhen me Kumanovën, nënkupton kjo dhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar?
Çka nënkuptoni kur thoni se duhet më shumë transparencë?

Presidenti Ilir Meta: Pa
diskutim që vlerësoj se edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar, që reformën në
drejtësi dhe performancën e institucioneve të drejtësisë e ka në qendër të
vëmendjes. Besoj që angazhimi i faktorit ndërkombëtar do të ishte një veprim
pozitiv për rritje e transparencës në fazat tjera të gjykimit të kësaj çështjeje
dhe për të garantuar një drejtësi të standardeve evropiane larg çdo lloj
paragjykimi apo qëndrimi që krijon mosbesim.

Radio Evropa e Lirë: Z. President vizita e juaj
përkon me festën e alfabetit, ndërkohë që në Parlamentin e Maqedonisë
zhvillohet debat rreth ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të shqipes. Në
njërën anë kemi ekspertët që thonë se shqipja mbetet lag gjuhës maqedonase sa i
përket zyrtarizmit të saj dhe faktori politik shqiptarë që është pjesë e
qeverisë që thotë se me këtë ligj shqipja zyrtarizohet në të gjitha
institucionet. Si e shihni ju këtë çështje?

Presidenti Ilir Meta:
Unë besoj se çështja e ligjit të gjuhëve është në proces, ne kemi diskutuar
edhe me autoritet maqedonase edhe me te gjithë drejtuesit e forcave politik
shqiptare këtu, po kështu në këtë drejtim ka dhe një angazhim të faktorit
ndërkombëtar, pra është një proces më kompleks. Kemi marrë garanci edhe nga
përfaqësuesit e forcave politike shqiptare, jo vetëm ata që janë në qeveri, por
edhe ata në opozitë se do të bëjnë më të mirën për të arritur maksimumin në
këtë drejtim dhe shpresoj që në fund të kemi një legjislacion, i cili sjell një
arritje pozitive dhe shumë të pritur për gjithë qytetarët shqiptarë të
Maqedonisë.

Radio Evropa Lirë: Gjatë kësaj vizite në Shkup keni
vënë theksin mbi rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, duke
shprehur mbështetje pa rezerva të shtetit shqiptarë në këtë drejtim për t’i
dhënë shtytje Maqedonia këtij procesi. Ju gjithashtu takuat dhe liderin e
opozitës maqedonase VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili shihet si
personaliteti që i ka dhënë hapësirë influencës ruse gjatë kohës kur ai qeveriste
me shtetin si kryeministër…

Presidenti Ilir Meta:
Unë besoj se stabiliteti dhe siguria e Maqedonisë paraqet stabilitet edhe për
Shqipërinë dhe për gjithë rajonin dhe në këtë kontekst besoj se tre apo katër
muajt e ardhshëm janë vendimtarë për të zgjidhur një çështje të mbartur gati
prej një dekade. Dhe unë jam më optimist do të thosha si asnjëherë më parë për
mundësinë e realizmit të kësaj arritjeje historike, të gjitha forcat politike
shqiptare janë të angazhuara në këtë drejtim dhe e kuptojnë se sa e rëndësishme
është që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s po edhe që Maqedonia të zhbllokojë
proceset e integrimit evropian. Këto dy kolona të forta do të mund të
realizojnë edhe ata deficite që shqiptarët ndjejnë këtu në Maqedoni, sa i takon
të drejtave dhe realizimit të një barazie të plotë, por shpresoj që edhe vetë
opozita maqedonase të kontribuojë në këtë drejtim, pavarësisht rrugëve të
ndryshme që ajo mendon, pasi edhe ajo është e përcaktuar për anëtarësimin në NATO
dhe për anëtarësimin në BE, ndërkohë që qeveria aktuale dhe kryeministri i ri
janë tepër të vendosur për të bërë çdo gjë sa i përket arritjes së këtyre
objektivave sa më shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Ju shpreheni me tone shumë
optimiste se Maqedonia mund të bëjë kthesa shumë të mëdha sa i përket
anëtarësimit në NATO, ku e mbështesni këtë optimizëm?

Presidenti Ilir Meta:
Po jam më optimist se asnjëherë më parë. Së pari këtë optimizëm e mbështes te situata
në Maqedoni, angazhimi dhe përkushtimi i Maqedonisë dhe i qeverisë së
Maqedonisë nuk kanë qenë asnjëherë në këto nivele që janë sot. Gjithë forcat
politike shqiptare janë qartësisht për t’i shërbyer këtij prioriteti, por besoj
dhe shpresoj edhe opozita maqedonase të këtë një qasje sa më konstruktive dhe
bashkëpunuese që të jetë e mundur në këtë drejtim. Pra, ka një tërësi faktorësh
që mund të sjellin një produkt pozitiv dhe të prekshëm si asnjëherë më parë.