Presidenti Ilir Meta: Pritje e veçantë me Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Sztaray

535
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim të veçantë Sekretarin e Shtetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Hungarisë, zotin Péter Sztáray. Presidenti Meta përshëndeti vizitën e zotit Sztáray në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë vlerësoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e 90-vjetorit të krijimit të Mbretërisë shqiptare. Duke iu referuar marrëdhënieve të shkëlqyera historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve e dy kombeve, Presidenti Meta nënvizoi edhe njëherë se këto marrëdhënie u lidhën edhe më fort e morën një shkëlqim të veçantë kur Géralaldine Apponyi, pranoi të bëhej Mbretëreshë e shqiptarëve. Të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në bashkëpunimin dypalësh, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë interesin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar. Investimet hungareze janë shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe gjatë vizitës sime të fundit në Hungari, konstatova me shumë kënaqësi dëshirën dhe vullnetin e autoriteteve hungareze për të rritur nivelin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me Shqipërinë, – nënvizoi Presidenti Meta. Kreu i Shtetit vlerësoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit, duke e konsideruar atë një shembull që duhet ndjekur, si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror me Hungarinë. Me interes u bashkëbisedua edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmes euroatlantike të vendeve të këtij rajoni.

Ambasadori i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Meer Abdalla Yousif Alraeesi, i dorëzon Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe në vendin tonë, Mohamed Meer Abdalla Yousif Alraeesi, me rezidencë në Athinë. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën financiare që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Shqipërisë përmes Fondit të Zhvillimit të Abu Dhabit (ADFD). Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Presidenti i Emirateve Sheikh Khalifa bin Zayed dhe Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Mohammad bin Zayed, i kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë. Duke u ndalur në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta ftoi biznesin e Emirateve të Bashkuara Arabe për të rritur praninë e tyre me investime në Shqipëri dhe nënvizoi se mundësitë janë të shumta dhe kuadri i përbashkët ligjor i favorizon ato.