Presidenti Ilir Meta, priti sot në një takim z.Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi

451
Presidenti Meta, i uroi suksese z.Gajda në detyrën e re, dhe vlerësoi punën e bërë nga institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që prej krijimit të tij në vitin 2010.
Roli i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është shumë i rëndësishëm në garantimin e të drejtave themelore e kushtetuese të njeriut, dhe për këtë arësye Presidenti Meta, i sugjeroi Komisionerit Gajda, që fokusi i veçantë i veprimtarisë së institucionit të jenë mbrojtja në kohë e çdo individi, dhe shtresave në nevojë, të cilët mund të jenë viktima të sjelljeve diskriminuese apo sjelljeve të tjera që e nxisin atë.
Konsolidimi i shtetit të së drejtës, fillon me respektimin nga administrata publike, të të drejtave të çdo individi, pavarësisht gjëndjes, apo statusit social të tij. Të gjithë kemi për detyrë që të ndikojmë në konsolidimin e veprimtarisë shtetërore, për të siguruar shkallën e nevojshme të mbrojtjes të këtyre të drejtave përballë fenomeneve negative të diskriminimit, apo çdo sjellje diskriminuese.
Çdo qytetar duhet të gëzojë mbrojtje të barabartë nga ligji dhe cilido duhet të ketë shanse dhe mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe sociale.
Respektimi i të drejtave dhe mbrojtja nga diskriminimi duhet të bëhet pjesë e kulturës të çdo institucioni publik, dhe kulturës së gjerë qytetare, dhe për këtë, roli ndërgjegjësues, monitorues dhe udheheqës i Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi duhet të jetë, më aktiv, theksoi Presidenti Meta.
Duke i uruar suksese në detyrën e re, Presidenti Meta, garantoi se për çështje të respektimit të të drejtave të njeriut, dhe për çdo veprimtari që rrit efektivitetin e punës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucioni i Presidentit të Republikës, do të ofrojë në çdo kohë mbështetjen maksimale.
Sigal