Presidenti Ilir Meta: Nuk ndikohem nga presionet për dekretin e Lleshit. Dhuna ndaj medias dhe deklaratat greke për kufirin

450
Sigal

Nuk ndikohem nga presionet për emërimin e Lleshit, të ndalohet dhuna dhe denigrimi ndaj medias

Presidenti Meta i përgjigjet ish-ministrit grek të Jashtëm Kotzias, për kufijtë shtetërorë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta iu përgjigj deklaratave të ish-ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, duke theksuar se ushtria shqiptare i di ku janë kufijtë e vendit. Kotzias deklaroi për një radio greke, se ushtria helene nuk njeh kufijtë e Shqipërisë.

Presidenti Meta: Duhet të theksojmë gjuhën e bashkëjetesës

Sot qarkulloi një lajm që shpresoj të jetë fake-neës, ku një ish-ministër i një vendi fqinj që thoshte që ushtria e këtij vendi nuk njihte kufijtë e Shqipërisë. Ne duhet të jemi të qetë edhe kur këto lajme janë të vërteta dhe kur janë fake-neës. Këtu është roli i mediave për të mbajtur një distancë ndaj çdo manipulimi që rrit retorikën dhe na largon nga bashkëpunimi. Në rastin se është fake-neës, të gjithë duhet të punojmë që lajme të tilla t’i izolojmë. Në rast se është i vërtetë, natyrisht çështja është edhe pak më serioze. Natyrisht, nuk jam i shqetësuar, për arsye që edhe si komandat i Forcave të Armatosura, ushtria shqiptare e di kufirin e saj dhe nuk ka asnjë pretendim ndaj një vendi tjetër si vend demokratik që jemi. Jam i shqetësuar, pasi duhet të theksojmë gjuhën e bashkëjetesës.

Presidenti Meta: Asnjë presion nuk mund të ndikojë tek unë

Presidenti MetaPër dekretin. Unë nuk jam përfshirë në një deklaratë të tillë dhe asnjë polemikë. Jam President për të respektuar i pari Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk ka asnjë presion që mund të ndikojë tek unë për të cenuar Kushtetutën dhe, sikurse ju e dini, jam shprehur edhe publikisht për të informuar Kuvendin, në rast se Kuvendi kërkon sqarime. Kam takuar edhe kryetarin e Kuvendit. Vij në pozitën e Presidentit pas një eksperience si kryeministër dhe si kryetar Kuvendi. E di shumë mirë se si funksionon procedura e emërimit të ministrit në vendin tonë. E di edhe nga pozita e kryeministrit. Në ditët e ardhshme do të merrni një përgjigje institucionale dhe korrekte dhe nuk kam ndërmend të përfshihem në debate të karakterit politik dhe spekulativ

Presidenti Meta: Gruevski e pranoi fajësinë. Edhe mua më është ofruar strehim politik

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur për largimin e Nikolla Gruevskit nga Hungari. Në konferencën ndërkombëtare të gazetarëve, kreu i shtetit shqiptar, edhe pse ishte i rezervuar në komentet për këtë çështje tha se në, një farë mënyrë Gruevski ka pranuar fajësinë e tij. Ilir Meta: Çdo politikan aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Nuk mund të gjykoj për çështjen në fjalë se kemi të bëjmë me një vend tjetër dhe duke pasur këtë pozicion nuk kam përse të hap një debat për këtë çështje. Por ne kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike, janë përballuar. Largimi i tij është edhe një marrje e fajësisë së tij, pavarësisht nga pretendimet që ai mund të paraqesë.

Presidenti Meta: Gjuha e presionit, denigrimit, ndaj gazetarisë dhe medias përbën kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë

Presidenti i Republikës, Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën më të madhe të medias për gazetarët në Evropën Jug-Lindore “South East Europe Media Forum”, që po zhvillohet në Tiranë. Presidenti Meta, ndër të tjera theksoi: Media e lirë, e pavarur, e në shërbim të interesit më të lartë publik, është një qëllim për të cilin duhet të përpiqemi dhe të bashkëpunojmë të gjithë.

Së pari, shkalla e lirisë së medias është tregues i drejtpërdrejtë i nivelit të demokracisë së një vendi, por edhe funksionimit të institucioneve demokratike. Gjuha e presionit, denigrimit, frikësimit deri dhe urrejtjes ndaj gazetarisë si profesion, gazetarit si individ apo vetë komunitetit të medias në tërësi, përbën kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë dhe rendin demokratik. Situata bëhet veçanërisht shqetësuese kur janë drejtuesit politikë, në nivel qendror apo lokal, ata që artikulojnë dhe shigjetojnë këto sulme, verbale apo fizike, ndaj gazetarëve, duke i ekspozuar ata njëkohësisht edhe karshi kriminelëve, trafikantëve apo edhe elementeve terroristë. Rritja e forcës dhe efikasitetit goditës të agjencive ligjzbatuese ndaj krimit duhet bashkëshoqëruar edhe me respektimin maksimal të institucionit të medias, dhe interesit të lartë publik që ai përfaqëson.

Së dyti, është tejet i rëndësishëm zbatimi i kuadrit ligjor që garanton të drejtat, sigurinë dhe kushtet e punës së komunitetit të gazetarëve. Kur mjedisi kërcënues i jashtëm shoqërohet me kushtet e pasigurta në vendin e punës, cenohet automatikisht edhe cilësia e gazetarisë, duke çuar në censurë apo vetëcensurë, në rastin më të mirë, apo në braktisjen e profesionit, madje edhe të vendit, në rastin më të keq.

Së treti, shkalla e lirisë së medias si pjesë thelbësore e kriterit politik të Kopenhagës matet kundrejt standardeve evropiane, të cilat sot për sot janë niveli më i lartë i grupit të të drejtave që gëzon njerëzimi. Nisur nga përvoja e vendit tonë, paketa e ligjeve ekzistuese në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit, përputhen plotësisht me këto standarde, por ajo që duhet është një zbatim më efikas. Në këtë kontekst, vlerësoj se dhe vetë gazetarët duhet të kenë një qëndrim më të unifikuar, të jenë më transparentë ndaj çështjeve të pronësisë së medias dhe ndarjeve politike, por më e rëndësishmja, gazetarët nuk duhet të presin që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet klienteliste. Si President i vendit dua të theksoj, se ne mbetemi konstantë në orientimin e politikës sonë të jashtme kah ndërtimit të urave të vërteta, më të forta, më të shpejta dhe më efikase të bashkëpunimit mes gjithë popujve të rajonit tonë, në funksion të integrimit të plotë evropian dhe euro-atlantik. Fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi i ngushtë, me fokus integrimin e plotë të rajonit në Bashkimin Evropian, është e vetmja e ardhme që duhet t’ua lëmë trashëgim brezave më të rinj.

Presidenti Meta: Mesazhi im është që edhe opozita në Kosovë të jetë pjesë e dialogut

Ne mbështesim fuqimisht dialogun Kosovë – Serbi dhe shpresojmë sa më shpejt të kemi në marrëveshje, e cila ndihmon të dyja vendet të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet. Kështu që mendoj se janë të gjitha arsyet që kjo të jetë një zgjidhje në interes të të dy vendeve dhe të gjithë rajonit. Unë më shumë nuk mund të flas, sepse nuk jam pjesë e këtij dialogu. Kosova ka institucionet e saj të zgjedhura në mënyrë demokratike. Mesazhi im ka qenë dhe mbetet që edhe opozita në Kosovë të jetë pjesë e këtij dialogu, sepse kjo është me rëndësi vendimtare për të ardhmen e vendit dhe shpresojmë që kjo marrëveshje t’i shërbejë vërtetë forcimit të stabilitetit në rajonin tonë në një plan afatgjatë.