Sigal

Presidenti i Shqipërisë  Ilir Meta kërkoi nga institucionet ligjzbatuese që të zbardhen të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve. Në fjalën e tij gjatë pritjes me gazetarët dhe atashetë e shtypit të ambasadave të huaja, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”, Presidenti Meta tha se çdo vonesë ndikon negativisht në lirinë e shprehjes. “Apeli im sot është inkurajim për të gjithë gazetarët, të vijojnë misionin e tyre me guxim dhe pa u trembur e pa u shantazhuar nga askush. Dua të përsëris thirrjen time drejtuar të gjitha institucioneve ligjzbatuese, për të vepruar me shpejtësi për hetimin dhe zbardhjen e autorësisë dhe motivet e sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë dhe shprehjes në vendin tonë. Mos ndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë! Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet t’i rrezikohet jeta për të raportuar lajmet. Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet t’i rrezikohet vendi i punës për të raportuar lajmin e vërtetë. Sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, apo kërcënimi me jetë i gazetarit Julian Shota, apo moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare të gazetarit Elvi Fundo, e disa raste të tjera janë ngjarje të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organeve të shërbimit të ligjit të hetojnë me shpejtësi dhe transparencë në mënyrë të plotë shteruese, për të vënë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të parandalohen rastet e ngjashme në të ardhmen”, – tha midis të tjerash Presidenti Meta.