Presidenti Ilir Meta: Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës

433
Sigal

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Meta, u zhvillua dje ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, Presidenti Meta theksoi: “Dëshiroj të përgëzoj e të falënderoj Fondacionin Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’ për shpalljen e Shqipërisë “Shtëpi të Jetës”. Nëpërmjet këtij akti solemn, ne jo vetëm i bëjmë sërish me dije gjithë njerëzimit historinë frymëzuese dhe unike të bashkatdhetarëve tanë, por edhe zotohemi që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore t’ua përçojmë e t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas. Fatkeqësisht, ne u bëmë, vetëm dy dekada më parë, dëshmitarë të masakrave në Ruanda, në Bosnje e Hercegovinë, dhe për më tepër, të masakrave dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Gjenocide dhe veprime të tilla çnjerëzore ndaj kujtdo që i përket një feje, etnie apo kombësie të ndryshme, nuk mund të ndodhin dhe mbi të gjitha, nuk duhen lejuar të ndodhin kurrsesi në botën ku jetojmë të gjithë sot! Kurrë më! Ky është apeli i të mbijetuarve të Holokaustit, disa prej të cilëve shpëtuan në këtë truall, pikërisht falë shpirtit altruist të shqiptarëve dhe ky është edhe mesazhi ynë sot, nga Tirana, kryeqendra e “Shtëpisë” më të re botërore të Jetës!