Sigal

Emërimi i gjeneral Sandër Lleshajt në ministrinë e Brendshme ka zhvendosur gurët e shahut mes presidencës e kryeministrisë. Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje “amatorëve dhe diletantëve” të lexojnë Kushtetutën lidhur me kompetencat që ajo i jep atij si kryetar shteti. Presidenti Meta u rezervua të saktësonte se kujt i drejtohej duke i etiketuar si “dilentantë” dhe “amatorë”, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama por dhe deputetët e mazhorancës këto ditë janë shprehur se Kushtetuta e detyron ta firmosë. Presidenti Ilir Meta, shprehet i bindur për vendimin e dhënë me refuzimin e dekretimit të emrit të Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm. Në kuadër të këtij debati Meta ngriti dhe një pyetje: A mundet parlamenti të rrëzojë dekretin e presidentit për një ministër?

Kryeministri Rama: Presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese të refuzojë emërimin tim

Kryeministri Rama deklaroi, më 6 nëntor: Kushtetuta i ka të përcaktuara një për një, e zeza mbi të bardhë, të 12 kompetencat e Presidentit të Republikës, ndër to nuk figuron gjëkundi kompetenca e refuzimit të Kryeministrit për sa kohë ky gëzon besimin e shumicës në Parlament dhe po njësoj të ministrave që gëzojnë besimin e Kryeministrit. Është e sigurt që nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë qoftë dhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12-të kompetencave të shkruara qartësisht, s’ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës s’do ta kishte lënë pa zbuluar. Edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artiljer i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me gjithë furinë e grykës së gojës ministrin e propozuar prej meje, presidenti i gjashtë i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë. … Keqkuptimi i madh i presidentit të Republikës është se unë nuk i kam propozuar atij kandidat për ministër. Jo! Unë Presidentit i kam çuar dekretin për një ministër jo kandidat…. Sipas Kushtetutës presidenti nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë. Pra presidenti i Republikës sonë Parlamentare përveç 12 kompetencave që Kushtetuta ia njeh shprehimisht dhe ligjet e nxjerra, në pajtim me të ia përkufizojnë qartësisht dhe, një nga këto është dhe detyra për të dekretuar qeverinë si dhe çdo anëtar të saj sipas kërkesës së kryeministrit. Madje brenda 7 ditësh me një dispozitë taksative nuk lë asnjë vend për interpretim.

Prononcim i Presidentit Meta

Pyetje: A do ta dekretoni Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm? Kryeministri paralajmëroi një ditë më parë se do ta dërgojë te Ju sërish emrin e tij.

Presidenti Meta: Forumi “Tirana Connectivity” i mbajtur sot ishte i mrekullueshëm dhe besoj se interkonektiviteti duhet të rrezatojë kudo.

Pyetje: A keni një arsye ligjore për mosdekretimin e z. Lleshi si ministër? Jo bindje, arsye ligjore…

Presidenti Meta: Për sa i takon anës ligjore, padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti. Dhe të gjithë atyre, që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, kam një pyetje tjetër: A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë.