Presidenti i Republikës padit Ardian Dvoranin në Prokurori

463
Sigal

Sekuestroni audiot e datave 21 shtator dhe 7 nëntor të KED-it. Kryetari i KED ka kryer akte të ndërgjegjshme kriminale ndaj po i jap mundësinë Reformës në Drejtësi të tregojë vërtetësinë. Reagojnë, Mejdani, Nesho, Bardhi, Shehi dhe këshilltari Dervishi: Mbrojtja e Kushtetutës nga Dvorani I Partisë dhe ccfarë përmban audio që disponojmë

Diplomati Agim Nesho: Veprimi i Presidentit Meta për Borschardt ‘non grata’ tregon se jemi në krizë

 

Diplomati i njohur Agim Nesho ka komentuar vendimin e presidentit të Republikës Ilir Meta për të shpallur “non grata” ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borschardt. Sipas tij, veprimi i kreut të shtetit tregon se vendi është në krizë, ndërsa ftoi Ministrinë e Jashtme të reagojë për këtë akt. “Kjo është një fjalë, për presidentin ambasadori është ‘non grata’. Por kjo i takon Ministrisë së Jashtme ta japë këtë gjë. Do të ishte shumë më e mirë, që Ministria e Jashtme të kishte dhënë një zgjidhje tjetër në favor të ruajtjes së personalitetit të Presidentit të Republikës, i cili ka arsyet e tij. Borschardt nuk është i akredituar pranë Presidentit. Ne presim të ketë një reagim nga MPJ. Politika ka gjithmonë kontradikta në kohë krize dhe në këtë kuptim në shumë raste gjërat zgjidhen në qëndrime të tilla. Veprimi i presidentit tregon, se jemi në krizë. Ministria e Jashtme duhet të reagojë përballë një fakti të tillë. Në këtë kuptim, qendrat vendimmarrëse të diplomacisë, që të mos ketë kontradikta, tërhiqen”, – u shpreh ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe OKB Agim Nesho.

 

Presidenti Meta takon Rexhep Mejdanin: Diskutuam për zgjidhjen e krizës politike në vend

 

Presidenti Ilir Meta ka publikuar një fotografi me ish-kreun e shtetit shqiptar Rexhep Mejdani. Presidenti Meta nënvizon se ka zhvilluar një bisedë me ish-presidentin, ndërsa ka shtuar se kanë biseduar së bashku për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale. Ilir Meta: Së bashku me ish-Presidentin, Prof. Rexhep Mejdani diskutuam sot (dje) për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale.

 

 

Dashamir Shehi: Unë besoj në të drejtën e Presidentit Meta të paditë Dvoranin

 

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka treguar detaje në takimin e djeshëm të Presidentit të Republikës, Ilir Meta me opozitën e bashkuar. Ai tha se opozita kërkon dy gjëra, njëra ka të bëjë me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë jopolitike dhe tjetra për ngritjen e SPAK. Kreu i LZHK-së zbuloi edhe kërkesat e presidentit të Republikës ndaj opozitës. Ai tha se opozita është e gatshme që të shkojë që nesër në zgjedhje. Dash Shehi: Diskutimi bazë ishte çështje e Gjykatës kushtetuese. Ky është interesi kryesor i presidentit dhe i yni në këto momente. Rasti i Gjykatës Kushtetutës ka treguar se ku ndodhet reforma në drejtësi. Unë besoj se është në të drejtën e Metës të kallëzojë Dvoranin. Ai vend që është atje (KED) nuk është i partisë, por institucion që duhej të ishte i pavarur. Reforma është kjo që është, ka ngelur në vend.

Bardhi: Kallëzimi i Metës ndaj Dvoranit të Partisë, akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, e ka cilësuar si aktin e duhur kallëzimin penal të nisur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndaj kryetarit të KED, Ardian Dvoranit, duke e cilësuar si një akt mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese. Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia. Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit.

 

 

OSBE: Ne mbajmë shënime për Borchardt, inkurajojmë dialogun

 

Presidenti Ilir Meta shpalli Bernd Borchardt, kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, person të padëshiruar. Reagimi i Presidentit Meta erdhi, pasi Borchardt u pozicionua kundër dekretit të Kreut të Shtetit, lidhur me shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve vendore më 30 qershor, dhe pas veprimit të tij, duke ngritur gishtin e mesit ndaj disa protestuesve, në qendër të Tiranës. Lidhur me vendimin e Presidentit Meta, ka reaguar indirekt edhe Zyra qendrore e OSBE në Vjenë. “OSBE e mban shënim këtë notë verbale lëshuar nga zyra e Presidentit. Për aq kohë sa ne qëndrojmë partnerë të Shqipërisë, OSBE inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet shqiptare, e po ashtu mbetet e vendosur në ofrimin e ndihmës specifike, në avancimin e agjendës së vendit”, – ka thënë zëdhënësja e OSBE, Mersiha Çausheviç Podzhiç. Dje, ambasadori Borchardt u pa të largohej nga Shqipëria, ndoshta largohet përgjithmonë.

 

Presidenti i Republikës Ilir Meta padit Ardian Dvoranin në Prokurori: Sekuestroni audiot e datave; 21 shtator dhe 7 nëntor të KED-it

Po i jap mundësinë Reformës në Drejtësi të tregojë vërtetësinë

 

Kreu i Shtetit Ilir Meta, ka dorëzuar në prokurori padinë ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani. Ndërsa liston shkeljet kushtetuese sipas tij në procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Meta kërkon nga organi i akuzës që me prioritet të sekuestrojë procesverbalet audio të datave 21 shtator 2019 dhe 7 nëntor 2019. Në kërkesë thuhet se sekuestrimi i këtyre audiove shërben për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm.

Shkeljet e renda të Ardian Dvoranit

Është konstatuar se përgjatë veprimtarisë së KED (2019) janë konstatuar disa shkelje të rënda përgjatë ushtrimit të detyrës nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi zoti Ardian Dvorani, veprime këto të cilat kapërcejnë kufirin e “shkeljes disiplinore”, dhe hyjnë drejtpërdrejtë në sjellje që e ngarkojnë zotin Dvorani me përgjegjësi penale. Veprimet dhe mosveprimet e zotit Dvorani kanë krijuar një pasojë shumë të rëndë, që është cenimi i legjitimitetit të të gjithë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës, pasi i ka konstatuar këto veprime dhe mosveprime, vlerëson se ato përbëjnë jo vetëm shkelje disiplinore, por dhe vepra penale. Bazuar në nenet 281 të Kodit të Procedurës Penale, Presidenti i Republikës parashtron këtë kallëzim penal përpara organit të akuzës me qëllim fillimin e hetimeve ndaj zotit Ardian Dvorani për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 Kodit Penal dhe“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal, pasi nga tërësia e rrethanave vlerësohet se përgjatë detyrës së Kryetarit të KED, ai me dashje ka shpërdoruar funksionin publik që i është ngarkuar dhe ka marrë përsipër të realizojë.

Shpërdorimi i detyrës nga kryetari i KED

KED, i zgjedhur me short nga Kuvendi me Kryetar Ardian Dvorani në muajin shtator 2019, ka përmbyllur procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjen e kandidatëve për të 4 (katër) vakancat e mësipërme (dy të Presidentit dhe dy të Kuvendit). KED-ja në datë 21 Shtator 2019 ka miratuar me vendim listat përfundimtare, renditjen e kandidatëve dhe raportet e vlerësimit për renditjen e tyre për kandidatët e lejuar që konkurrojnë në të 4 (katër vakancat) e shpallura dhe që u përkasin për emërim/zgjedhje si organ emërtese Presidentit të Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë që paraqiten si më poshtë: Vendimi nr. 128, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 129, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, me këtë renditje: Arta Vorpsi 89.642. Elsa Toska 85.428. Besnik Muçi 81.928. Regleta Panajoti 80.285.

Vendimi nr. 130, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 131, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 12.02.2018, me këtë renditje: Arta Vorpsi 89.642. Elsa Toska 85.428. Besnik Muçi 81.928

Vendimi nr. 132, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 133, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve e shpallur për aplikim nga Presidenti i Republikës në datën 04.03.2019, me këtë renditje: Arta Vorpsi 89.642. Fiona Papajorgji 88.785. Elsa Toska 85.428. Marsida Xhaferllari 82.000.

Vendimi nr. 134, datë 21.09.2019 dhe vendimi nr. 135, datë 21.09.2019 për miratimin e Listës Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve e shpallur për aplikim nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 04.03.2018, me këtë renditje:Arta Vorpsi 89.642. Fiona Papajorgji 88.785. Elsa Toska 85.428. Nga informacioni i administruar, rezultoi se KED-ja renditjen e kandidatëve dhe krijimin e 4 listave, për të dy institucionet – President i Republikës dhe Kuvend – i ka bërë në mënyrë të njëkohshme, brenda të njëjtës datë 21 shtator 2019 ku madje, dhe numërtimi i vendimeve të KED-së për miratimin e listave dhe raporteve përfundimtare të vlerësimit është i alternuar sipas radhës së shpalljes dhe plotësimit të vakancave që i përkasin për plotësim Presidentit dhe Kuvendit. Për qartësi në tabelën e mëposhtme pasqyrohen vakancat që i përkasin secilit organ emërtese (President-Kuvend) dhe vendimet e KED-së, të marra në datën 21 shtator 2019 për miratimin e renditjes dhe raportin përfundimtar të vlerësimit për secilën vakancë. KED nuk ka marrë asnjë vendim mbi kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave tek organet e emërtesës (President, Kuvend). Kryetari i KED i ka përcjellë listat e kandidatëve në adresë të Presidentit të Republikës dhe dokumentacionin shoqërues për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi, në datë 8 tetor 2019. Kryetari i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në të njëjtën ditë në datë 8 tetor 2019 me shkresën nr. 552 prot., datë 08.10.2019 dhe me shkresën nr.553 prot., datë 08.10.2019, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës “Listën Përfundimtare të Renditjes së Kandidatëve të lejuar për kandidim” dhe “Raportin e Arsyetuar të Renditjes së tyre” për plotësimin dy vendeve vakante njëherazi. Konkretisht vakancës së parë që ishte shpallur me Dekret nr. 10722, datë 07.02.2018, dhe vakancës tjetër që ishte shpallur me Dekret nr.11133, datë 04.03.2019. Nuk rezultoi që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer vetëm në mënyrë individuale nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili sipas nenit 226 pika 2/e, të ligjit nr.115/2016, ka si funksion vetëm të nënshkruajë aktet e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes dhe t’ia përcjellë ato organit të emërtesës.

I gjendur para kësaj situate të administrimit të dy listave njëherazi, me shkresën nr. 3571 prot., datë 10.10.2019, Institucioni i Presidentit të Republikës iu drejtua Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me një kërkesë për informacion mbi faktin nëse ky organ (KED-ja) ia kishte përcjellë ose jo Kuvendit të Shqipërisë listat për dy vendet vakante, të shpallura nga Kuvendi në datat 12.02.2018 dhe 04.03.2019. Këto veprime administrative individuale të Kryetarit të KED-së nuk respektojnë as kohën e përpilimit e miratimit të listave, as radhën e miratimit të tyre dhe as rendin kronologjik të detyrueshëm, që ka caktuar Kushtetuta dhe ligji, për plotësimin e çdo vendi vakant. Ky veprim i Kryetarit të KED, zotit Ardian Dvorani synonte krijimin e një gjendjeje anti-kushtetutshmërie, sepse Kuvendi mund të zgjidhte që ta ushtronte të drejtën e tij, ashtu siç dhe ndodhi qëllimisht që të votonte për anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtuese, pas datës 7 nëntor, moment ky që përkonte me përfundimin e afatit sipas interpretimit qëllimkeq të kushtetutës dhe të ligjit nga Kryetari Ardian Dvorani. Në këtë mënyrë Kryetari i KED-së me përcjelljen e njëkohshme të listave të kandidatëve për plotësimin e të dy vakancave që i përkasin Presidentit të Republikës, e vendosi Institucionin e Presidentit të Republikës në pamundësi kushtetuese, duke u përpjekur që të krijojë një gjendje të faktit të kryer, ku Presidenti do të duhej të shprehej brenda afatit ligjor 30-ditor (neni 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577/2000) edhe për emërimin e gjyqtarit tjetër eventualisht përpara se Kuvendi të shprehej për emërimin e gjyqtarit të dytë kushtetues. Kryetari i KED vetëm me hartimin dhe nënshkrimin e një shkrese administrative në emrin e vet, që përcillte dy lista të kandidatëve për dy vakanca njëherazi, ka shkelur rëndë ligjin, dhe ka provokuar t’i imponojë Presidentit të Republikës “një rregull të ri” me qëllim që ai të shkelte hapur Kushtetutën dhe radhën e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. E vlerësuar me veprimet e mëtejshme të kryera nga Kryetari i KED-së, arrihet në bindjen se kjo ishte një manovër e qëllimshme për t’i imponuar Presidentit të Republikës një veprim në kundërshtim të hapur me ligjin dhe antikushtetues. Presidenti ka arritur në bindjen se qëllimi i Kryetarit të KED-së Ardian Dvorani ka qenë mashtrimi i opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar mbi këtë çështje, për të krijuar idenë e rreme se KEDe ka diskutuar këtë çështje në mbledhjen e datës 7 nëntor 2019 dhe ka vendosur publikimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të tij nr. 132, datë 21 shtator 2019. Ardian Dvorani duke shpërdoruar detyrën e tij, nuk ka lejuar që procedura e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të vijojë në përputhje me radhën e përcaktuar nga Kushtetuta duke cenuar kështu kushtetueshmërine e të gjithë procesit të kësaj përzgjedhjeje, si dhe duke krijuar eventualisht një ngërç institucional dhe ligjor midis organeve në caktimine anëtarëve të ligjshëm të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht për arsyet e cituara më sipër, Z. Ardian Dvorani ka përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të“shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ky fakt i pakundërshtueshëm i lidhur edhe me veprimtarinë antikushtetuese dhe antiligjore të Kryetarit të KED-së, në dërgimin e listave pranë organeve të emërtesës, krijon bindjen te Presidenti i Republikës, se Kryetari i KED i ka kryer të gjitha këto veprime aspak nga pakujdesia, por me ndërgjegje të plotë dhe me dashje direkt me qëllim kriminal, të devijimit të funksionit publik në shërbim të interesave politike por dhe vënien përpara faktit të kryer të Presidentit të Republikës, për të kryer një shkelje kushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas një radhe të diktuar nga Kryetari i KED-së dhe që bie në kundërshtim të hapur me parashikimet kushtetuese. Një tjetër shkelje tjetër e Kryetarit të KED është fakti se ai nuk ka përmbushur detyrimin për të zbardhur dhe administruar sipas ligjit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit, si dhe për të bërë publik përmbledhjen e tyre sipas ligjit. Mosdërgimi për konsultim dhe miratim i këtyre akteve tek anëtarët e KED-së dhe tek të gjithë institucionet prezent në cilësinë e të ftuarit në mbledhjet e KED, tregojnë qartë se qëllimi kryesor i Kryetarit të KED-së, ka qenë të fshehë nga sytë e publikut të gjerë gjithë problematikën e shfaqur në veprimtarinë e KED-së dhe mos t’i japë mundësi Avokatit të Popullit dhe Institucionevetë tjera të monitorojnë plotësisht këtë proces sipas kërkesave të ligjit.

Në lidhje me veprën penale të përvetësimit të detyrës shtetërore

Dërgimi i vendimit të KED për botim në Fletoren Zyrtare, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 115/2016 dhe ligjit nr. 78/2014, e për më tepër pa pasur një vendim kolegjial të Këshillit, përbën një shkelje të pastër të ligjit Nr. 115/2016. Pikërisht, kryerja e këtij veprimi, i cili ka pasur për qëllim që të krijojë idenë mashtruese dhe tërësisht antikushtetuese dhe antiligjore se znj. Arta Vorpsi është tashmë e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizmit zhbllokues. Kjo veprimtari kriminale e të akuzuarit Ardian Dvorani u përdor si alibi nga Kuvendi i Shqipërisë për të mos përfshirë kandidaturën e znj. Arta Vorpsi në procesin e votimit të kandidatura në datën 11 Nëntor 2019 dhe duke pranuar apriori veprimin personal të paligjshëm të Kryetarit të KED-së, Dvorani sikur ishte vullneti i organit kolegjial të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

KONKLUZIONI

Dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 8 tetor 2019 dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit të Shqipërisë janë veprime të ndërgjegjshme kriminale dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të shpërdorimit të detyrës, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Gjithashtu edhe mos botimi i përmbledhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-së dhe mos marrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre që i ngarkohet Kryetarit të KED-së, përveç se ka cenuar punën dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përbën shkelje të hapur të dispozitave të ligjit. Dërgimi i Vendimeve nr. 132, datë 21.09.2019 nga i akuzuari Ardian Dvorani për botim në Fletoren Zyrtare me qëllim krijimin e idesë së rreme në publik se znj. Arta Vorpsi ishte emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mekanizimit zhbllokues, në tejkalim të kompetencave të parashikuara në nenin 226 e vijues te ligjit 115/2016, janë kriminale, të rrezikshme për rendin kushtetues, dhe përmbajnë në mënyrë kumulative elementët e krimit të përvetësimit të kompetencave të Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës vlerëson ekzistencën e një rreziku real që i akuzuari Ardian Dvorani të kryejë sërish veprime kriminale dhe mafioze në shkelje të ngjashme të Kushtetutës dhe ligjit, që do të ndikonin drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e organeve te reja kushtetuese. Presidenti i Republikës, i rekomandon organit të akuzës, të sekuestrojë menjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallëzim. Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm.