Presidenti i Republikës, Ilir Meta viziton Bashkinë e Pustecit: Komuniteti maqedonas pasuri për Shqipërinë

550
Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Pustecit
Presidenti Meta u prit nga nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, Andon Jani, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga dhjetëra banorë të minoritetit maqedonas, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe e falënderuan për mbështetjen e përkrahjen e tij të vazhdueshme.

Nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, Andon Jani dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak, Irena Vasilovski, e falënderuan Presidentin Meta për vëmendjen e treguar ndaj minoritetit maqedonas dhe e njohën me disa nga problemet që shqetësojnë banorët e zonës.
Presidenti Ilir Meta paralajmëron nga Pusteci bashkëpunim të shkëlqyer trilateral Shqipëri-Greqi-Maqedoni.
Presidenti i Republikës,Ilir Meta theksoi sot se Bashkia e Pustecit dhe i gjithë rajoni i Prespës do përfitojnë të parët nga bashkëpunimi i shkëlqyer trilateral midis Shqipërisë, Maqedonisë e Greqisë, që i ka të gjitha premisat për t’u bërë i prekshëm së afërmi.
Presidenti Meta inkurajoi përpjekjet e fundit midis diplomacisë së dy vendeve fqinje për normalizim të plotë të marrëdhënieve midis tyre që do çlironte energji pozitive për të gjithë rajonin tonë.
Meta: Minoriteti maqedonas është pasuri për Shqipërinë
Në bashkëbisedim me ta, Presidenti Meta tha se “vëmendja ime ndaj minoritetit maqedonas do të jetë çdo ditë gjatë mandatit tim. Ne krenohemi me vlerat e minoritetit maqedonas, i cili është një pasuri për Shqipërinë. Ju garantoj se do bëj çmos dhe do mbështes të gjitha përpjekjet tuaja për ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave tuaja të shkëlqyera! Duhet të bashkëpunojmë të gjithë që Bashkia e Pustecit të jetë ndër më të begatat”, – theksoi Presidenti Meta.
Në fjalën e tij presidenti Meta theksoi: “Të bashkëpunojmë të gjithë që Bashkia e Pustecit të jetë ndër më të begatat. Jam i angazhuar për të ruajtur dhe promovuar vlerat e traditat e mrekullueshme të minoritetit maqedonas. Minoriteti maqedonas është në vëmendjen time të përhershme”. 
Meta: Viti i Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe vlerësimi për figurat historike
Presidenti theksoi gjithashtu se “në kuadrin e Vitit të rëndësishëm mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ramë dakord, bashkë me përfaqësuesit e Bashkisë së Pustecit të vlerësojmë disa nga ngjarjet dhe personalitet më të rëndësishme historike të kësaj zone, sikundër është edhe shkrimtari i njohur, Sterjo Spasse, biri i komunitetit maqedonas”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Pustec, pohoi se: “Në kuadrin e Vitit të rëndësishëm mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, është rënë dakort me përfaqësuesit e Bashkisë së Pustecit, të vlerësojmë disa nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kësaj zone dhe personalitetet me peshë, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm për këtë zonë, por për të gjithë Shqipërinë”. 
Meta u shpreh se: “Do të vlerësohet Sterjo Spasse, biri i komunitetit maqedonas, i cili ka kontribuuar në mënyrë të veçantë, jo vetëm për historinë e njohur të kësaj treve, por edhe duke qenë pjesë e lëvizjes patriotike të rilindjes dhe ka ngritur në veprat e tij çështje të ndryshme sociale dhe kulturore nga të cilat ka vuajtur vendi ynë”.

“Në mënyrë të veçantë edhe vepra e tij ‘Pse?’ mbetet aktuale dhe një apel për dilemat që shtrohen për zgjidhje në shoqërinë tonë, veçanërisht për të rinjtë të cilët nuk duhet të largohen nga vendit, por duhet të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, – theksoi Presidenti Meta.

“Çdo vit do të kujtohen ngjarjet kulturore rajonale në promovim të figurave historike, por edhe të vlerave të veçanta që ka ky rajon për të motivuar talentet e reja dhe veçanërisht të rinjtë, të qëndrojnë këtu dhe të japin kontributin e tyre për ta kthyer këtë zonë në një qendër të rëndësishme rajonale ekonomike dhe turistike”, – tha Presidenti Meta.
Meta viziton Kishën e Shën e Kryengjëllit Mihail
Më pas Presidenti Meta dhe autoritetet vendore vizituan Kishën e Shën e Kryengjëllit Mihail në Pustec, nga ku kryetari i shtetit uroi minoritetin maqedonas për festën e Shën Naumit dhe të Krishtlindjeve, që ky komunitet i feston me kalendarin e vjetër ortodoks.
Sigal