Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordon titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, z.Riccardo Migliori

705
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta i akordoi sot në një ceremoni të veçantë, ish-Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, z.Riccardo Migliori, titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e institucionit të Presidencës, Kreu i Shtetit, Ilir Meta u shpreh se z. Riccardo Migliori i akordohet ky titull: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e spikatur në mbrojtjen, përhapjen e vlerave dhe standardeve demokratike në Shqipëri, si dhe për mbështetjen e pakursyer në proceset e saj integruese dhe euroatlantike”.

Gjithashtu, në fjalën e tij Presidenti i Republikës theksoi se z.Migliori ka vendosur dhe mbajtur një raport të veçantë me Shqipërinë, duke na ka mbështetur në procese kyçe të historisë sonë moderne.

“Gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, ai ka lënë mbresa të thella në kujtesën institucionale të vendit. Si anëtar, e më pas kryesues i delegacionit parlamentar italian në Asamblenë e Përgjithshme të OSBE-së, Migliori është dëshmitar dhe kontributor i ndryshimeve që kanë ndodhur në forcimin e institucioneve demokratike”, – tha ndër të tjera Presidenti Meta gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni.

Të pranishëm në ceremoninë e dekorimit ishin Kryetari i PD-së, Lulëzim Basha, Kryetarja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi, ish-Kryeministri, z. Sali Berisha, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-s, z. George Tsereteli, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Bernd Borchardt, Ambasadori italian, z. Alberto Cutillo, deputetët e PS-së, znj. Elona Gjebrea e z. Bledi Çuçi, ish-ministrat e Punëve të Jashtme, znj. Arta Dade e z. Tritan Shehu, përfaqësues të Parlamentit, trupit diplomatik, etj.