Presidenti i KE Jean-Claude Juncker nesër në Tiranë, zbardhet axhenda

530
Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker do të vijë nesër në Tiranë ku do të ketë një sërë takimesh në funksion të axhendës europiane për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mësohet detaje nga axhenda e tij në kryeqytetin shqiptar. Ditën e nesërme, në orën 17:30 organizohet ceremonia ushtarake e pritjes në Tiranë nga Kryeministri Edi Rama.
Më pas, në orën 19:15 do të zhvillohet konferenca për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Juncker.
Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojnë vendet e Ballkanit, në kuadër të një turneu të tyre në Ballkan. Ata do të vizitojnë fillimisht Maqedoninë, pastaj Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe ndalesa e fundit e tyre do të jetë në Bullgari.
Ky turne që nis nga 25 shkurti dhe përfundon më 1 mars, bëhet për të prezantuar strategjinë e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Javë më parë, Komisioni Evropian, prezantoi Strategjinë e re të Zgjerimit, ku afate të qarta kohore për anëtarësim në BE, iu dhanë vetëm Malit të Zi dhe Serbisë.
Sigal