Presidenti firmos dekretin për kufizimet e imuniteteve. Priten arrestime të ministrave e qeveritarëve të korruptuar

465
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani firmosi dje  dekretin për ndryshimet kushtetuese për heqjen dhe kufizimin e imunitetit të zyrtarëve. Ndryshimet në Kushtetutë u miratuan në seancën e 18 shtatorit në Kuvend me konsensus të plotë, 130 vota pro dhe asnjë kundër. Imuniteti ka qenë, që prej dështimit të seancës së 6 gushtit, ‘mollë sherri’ mes maxhorancës dhe opozitës. Maxhoranca kërkoi që forcat politike në vend të votojnë heqjen e imunitetit më 6 gusht, ndërkohë që opozita kundërshtoi fort, duke propozuar një paketë me kushte, ndër të cilat vihej theksi tek një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Tashmë që edhe de facto janë  kufizuar imunitetet për politikanë dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, pritet që prokuroria të ndërmarrë hapa konkretë në hetimin e të gjitha skandaleve të korrupsionit që janë publikuar kohët e fundit për qeveritarë, madje edhe për ministra të qeverisë aktuale. Ditët e fundit PS-ja ka publikuar mjaft dokumente që bëjnë fjalë për trafiqe armësh nga ministria e Mbrojtjes, ku pleksen drejtpërdrejtë në këto trafiqe të paligjshme- sipas akuzës publike të PS-së, jo vetëm zyrtarë e titullarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe vetë ministri Imami. Gjithashtu, me akuza të ndërsjella PD-PS, janë publikuar edhe fakte të korrupsionit që ka ndodhë me shpërndarjen e reklamave qeveritare në media. Të gjitha këto fakte-akuza politike për korrupsion ekonomik e politik, organet e drejtësisë e kanë për detyrë që të fillojnë sa më shpejt hetimet ligjore. Organet e prokurorisë, me dekretin e shpallur nga Presidenti Nishani, nuk duhet të humbasin as orën që të fillojnë hetimet ligjore ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të lartë që përmenden në akuzat për korrupsion, për të dëshmuar që organet e akuzës në Shqipëri janë të pavarura nga politika. Në qoftë se edhe tani, kur janë publikuar kaq shumë fakte të korrupsionit nga politikanë dhe qeveritarë të lartë dhe me dekretimin e kufizimeve të imuniteteve, prokuroria e drejtësia nuk reagon, do të thotë që politika e ka nënshtruar drejtësinë.