Presidenti çmon At Antonio Belushin me Dekoratën “Nënë Tereza”: Të forcojmë identitetin tonë kombëtar

490
Sigal

Në kuadër të nismës së ndërmarrë ”U’ jam Arbëresh”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësot gjatë një ceremonie solemne klerikun, gjuhëtarin dhe atdhetarin e shquar arbëresh, At Antonio Belushin me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”. Kreu i Shtetit i akordoi këtë titull me motivacionin: ”Për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase. Me mirënjohje ndaj vlerave të çmuara si autor i shumë studimeve e veprave për njohjen dhe lidhjen e shqiptarizmës kudo në botë, duke spikatur si veprimtar i paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar ndër arbëreshët e Italisë”. Duke e falënderuar Presidentin, At Antonio Belushi u shpreh se: “Më keni bërë një nderim të madh duke më vlerësuar sot me këtë dekoratë. Jam krenar se jam shqiptarë dhe me rrënjë arbëreshe”.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta

“Është kënaqësi e veçantë të nderojmë sot me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, një personalitet të jashtëzakonshëm arbëresh, At Antonio Belushi. Si prift famullitar arbëresh, publicist, studiues, mësues, etnolog, historian dhe akademik, At Belushi, prej më shumë se gjysmë shekulli ka punuar dhe punon për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror. I dalluar dhe i motivuar nga një ndjenjë e fortë e dashurisë për Arbërinë e tij të shtrenjtë, ai ka punuar pa u lodhur për të na sjellë të gjallë çfarë koha kishte lënë në harresë në lidhje me historinë e të parëve tanë. Me urtësi, pasion dhe përkushtim At Antonio Belushi punoi për ruajtjen dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare të arbëreshëve të Italisë. Duke evokuar lart historinë e ndritur të Arbërisë së Skënderbeut, ai ka bërë të ndërgjegjshëm pasardhësit e tyre për fisnikërinë dhe vlerat evropiane që kombi ynë ka përfaqësuar prej shekujsh.

Dëshiroj të përmend udhëtimet e shumta që At Belushi ka bërë ndër vite tek arvanitasit duke na sjellë si askush tjetër të dhënat dhe faktet gojore mbi historinë, kulturën dhe zakonet e arvanitasve. Sot, falë At Belushit ne kemi një panoramë të gjallë të gjuhës, zakoneve, mënyrën e jetesës dhe traditave të këtij populli. Nëpërmjet punës së tij At Belushi ka shpëtuar nga harresa një pjesë të rëndësishme e shumë pak të njohur më parë të kulturës arvanitase. “Bota arbërore dhe ajo arvanitase ishin sikur të lexoje të njëjtin libër”,-thotë At Antonio Belushi. At Antonio Belushi ka dhënë një kontribut tejet të vyer jo vetëm si publicist, shkrimtar, lektor, prift famullitar arbëresh, themelues i shoqatave nën emrin e Gjergj Kastriotit, por edhe duke udhëtuar shumë kudo në botë atje ku ka shqiptarë, apo pasardhës të tyre.

Me udhëtimet e tij ai ka ndihmuar, jo vetëm në lartësimin e ndenjës kombëtare shqiptare, por ka kontribuar edhe në zgjimin e opinionit publik të Evropës mbi Kosovën. Me veprën e tij Antonio Belushi ka bashkuar botën mbarë shqiptare. Me thjeshtësinë dhe urtësinë e tij ai ka kontribuar në harmoninë e mjedisit arbëror. Sikurse edhe vetë e ai e shpreh në librin e fundit, At Antonio Belushi ka punuar pa asnjë qëllim ideologjik, por duke qenë në shërbim vetëm të shpirtit arbëror.

Duke parë e vlerësuar çfarë At Belushi dhe personalitete të tjerë të botës arbërore kanë bërë për të ruajtur e mbajtur gjallë gjuhën, historinë dhe kulturën e të parëve tanë, shteti shqiptar, institucionet e tij duhet t’i mbështesin maksimalisht këto përpjekje, duke mos lejuar kohën që përmes harresës të bëjë që pas disa vitesh ta kemi të vështirë të gjejmë pasardhës të arbëreshëve, kudo ku ata janë, të cilët flasin gjuhën e të parëve tanë. Ndaj vëmendja dhe mbështetja duhet të jetë e madhe në mënyrë që ta ruajmë përgjithmonë vlerat kaq të çmuara të historisë së kombit tonë. Vetë vepra dhe jeta e At Antonio Belushit përcjell mesazhin e qartë që të gjithë ne, shqiptarë e arbëreshë, kudo ku ndodhemi, nuk duhet të harrojmë rrënjët, identitetin, kulturën, gjuhën, doket e zakonet tona.

At Antonio Belushi, ju falënderojmë dhe do ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin dhe punën tuaj të çmuar për mbarë botën shqiptare. Dëshiroj ta mbyll fjalën me një thënie të Nënë Terezës: ‘Dashuria s’mund të mbetet vetëm. Nuk ka kuptim. Dashuria duhet të vendoset në veprim dhe ky veprim është shërbimi’. Ju, At Antonio Belushi, me kontributin dhe shërbimin tuaj të vyer për gjithë shqiptarinë, mëshironi në mënyrën më të plotë këtë thënie të Shenjtores sonë Nënë Tereza”.