Presidenti Bujar Nishani pritet me flamuj shqiptarë në Bujanovc, Serbia i vendos eskortë speciale, por vizita kalon e qetë

549
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, nisi dje vizitën e tij zyrtare në Serbi, konkretisht në Bujanovc, ku ndër të tjera tha: “Shqipëria është e interesuar që të ndihmojë në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në fushat që përfshijnë tri komunat të banuara me shqiptarë”. Ai tha, se njëkohësisht vendi i tij është i interesuar “që të punojë në avancimin dhe promovimin e bashkëjetesës në bashkësitë shumëkombëshe”. Presidenti Nishani u prit dje nga qindra qytetarë në Luginën e Preshevës, në vizitën e parë të bërë prej një presidenti shqiptar në Serbi, që prej afro 70 vitesh. Në fjalën e tij, zoti Nishani ka thënë: Për të mirën e popujve tanë duhet te kthehemi nga e ardhmja dhe ajo duhet të ndërtohet në respekt të ndërsjellë dhe jo mbi urrejtje dhe jo tolerancë. Së bashku ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja. Tirana zyrtare, do të vazhdojë që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Beogradin. Prej fjalëve tani duhet të kalohet në vepra dhe duhet të hartohet një plan veprimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Për të gjitha ato që janë arritur, qeveritë duhet të kenë përgjegjësinë dhe t’i forcojnë e avancojnë. Duhet që të gjitha marrëveshjet, para së gjithash ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së bashkësisë shqiptare në jug të Serbisë të zbatohen në praktik. Atë që unë do të doja është që qeveria e Serbisë të ketë një plan të veprimit lokal të përpiktë për zbatimin e gjithë asaj që është dakorduar”, theksoi presidenti shqiptar. Në Bujanovc presidentin Nishani, e pritën me brohoritje disa qindra qytetarë shqiptarë me flamuj shqiptarë në duar dhe me pankartën me mbishkrimin “Mirëserdhe President”! Presidenti Nishani u prit në Bujanovc nga kryetari i komunës Shaip Kamberi, me ftesë të të cilit vizitoi Luginën, ndërkohë që takoi edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Gjithashtu Nishani bisedoi edhe me politikanë serbë në qeverisjen lokale dhe me kryetarin e Këshillit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë. Vizita e presidentit Nishani në Luginë të Preshevës kaloi e qetë dhe pa tensione.
Sigal