Presidenti Bujar Nishani, ka dekoruar 35 familje që strehuan hebrenjtë.

526
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar sot, dekoroi 35 familje dhe individë shqiptarë, të cilët strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë veprimtari përkujtimore dhe vlerësimi, ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit, si kreu i Kuvendit Ilir Meta, deputetë, anëtarë të Qeverisë dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Presidenti i Republikës u ndau dekoratën “Nder i Kombit”, në vlerësim të aktit heroik e të pashembullt njerëzor për shpëtimin e hebrenjve nga përndjekja naziste në Shqipëri, për rolin dhe kontributin e paçmuar në lartësimin e vlerave të rralla e tradicionale shqiptare të mikpritjes, bujarisë dhe besës si dhe për konsolidimin e harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore fetare të kombit tonë 35 familjeve, transmeton KP. Sipas Presidentit Nishani, ka qenë qëllimi dhe dëshira e tij prej vitesh që roli dhe kontributi i patjetërsueshëm i shqiptarëve në strehimin, mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve gjatë periudhës së errët të Holokaustit të vihet në pah botërisht dhe mbi të gjitha, të vlerësohet duke marrë nderimin dhe vendin e merituar në histori, të cilat u takojnë plotësisht. më tej, zoti Nishani, theksoi: “Është në nderin dhe privilegjin tim, si kryetar i shtetit shqiptar, t’i vlerësoj e t’i shpall të gjithë ata që duke mbrojtur qoftë edhe një jetë të vetme, shpëtuan mbarë njerëzimin: “Nder i Kombit” shqiptar!”, deklaroi Nishani.
Sigal