Presidentët Meta e Thaçi në Gjilan: Dy shtete, një komb i pandarë. Rama- Haradinaj, 12 marrëveshje në Korçë

407
“Shqipëri-Kosovë, dy shtete, por një komb i pandarë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta, zbulojnë shtatoren e Idriz Seferit në Gjilan
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së Heroit Kombëtarë, Idriz Seferi në Gjilan. I shoqëruar nga homologu i tij, Hashim Thaçi, Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre kundër ndarjes së territoreve të shtetit shqiptarë, ndërsa tha se 105-vjetori i pavarësisë e gjen kombin tonë më të bashkuar. “Ne jemi dy shtete por jemi një komb i pandarë. Qyteti i Gjilanit është shquar në të gjitha luftërat, për kontributin kundër ndarjes e territorit të kombit shqiptarë. Ne kemi si detyrë nderimin e figurave si Idriz Seferi, Isa Boletini dhe Bajram Curri, të cilat janë nderi i kombit tonë. Në këtë përvjetor të 105-të nuk jeni vetëm ju por është bashkë i gjithë kombi jonë. Sot, bashkë me ju është edhe komandanti legjendar i UÇK, Adem Jashari, ai që çoi deri në fund amanetin e Idriz Seferit, Isa Boletinit”, deklaroi Meta. “Jemi në 105-vjetorin e ngritjes së flamurit kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe njëkohësisht të Pavarësisë së Shqipërisë. Jemi të vendosur që historinë ta nderojmë dhe të mbajmë gjallë e në mënyrë të veçantë të nderojmë ata që e shkruan këtë histori me më të shtrenjtën e tyre, me jetën dhe me gjakun e tyre. Ndaj jam sot këtu në Gjilan si President i Republikës së Shqipërisë për të shprehur mirënjohjen më të madhe në prag të 28 Nëntorit, ditës së ngritjes së flamurit tonë kombëtar, për të gjithë heronjtë, trimat dhe shqiptarët e Kosovës: për Lidhjen e Prizrenit, për Isa Boletinin, për Idriz Seferin dhe për të gjitha ata pa të cilët, flamuri nuk do të mund të ngrihej në Vlorë me Ismail Qemalin dhe njëkohësisht edhe Kosova nuk do të mund të ishte sot shtet i pavarur. Ndaj duke marrë pjesë në këtë përurim të shtatores së Idriz Seferit ndaj gëzimin më të madh me ju dhe bindjen më të fortë se për heronj dhe patriotë si Idriz Seferi nuk ka vdekje, ka vetëm përjetësim. Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! I përjetshëm dhe lavdi Idriz Seferit dhe të gjithë trimave të Kosovës!”.

Thaçi: Ngritën shtatoren e një prijësi të madh
Presidenti Thaçi ka thënë se në Gjilan po ngrihet shtatorja e një prijësi të madh të luftërave për mbrojtjen e tokave shqiptare në një hark kohor dyzetvjeçar. “Shtatorja e komandantit dhe strategut të shquar Idriz Seferi po inaugurohet në përvjetorin e 90 të vdekjes së tij, në vigjilje të 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Cilësitë më të mira të luftëtarit, strategut dhe tribunit popullor, Idriz Seferi i sprovoi në mbrojtjen me armë në dorë të trojeve shqiptare, në bazë të platformës politike dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, u shpreh presidenti Thaçi. Kreu i shtetit shtoi se Idriz Seferi u shqua për guxim, trimëri dhe gatishmëri për sakrificë, ashtu sikurse edhe burrat e mëdhenj të asaj kohe, si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli, Abdyl Shkupi, Ali Ibër Neza, të cilët nuk u sprapsën asnjëherë nga synimi kryesor, ruajtja e tokave shqiptare nga copëtimi dhe realizimi i idesë për pavarësi. “Me patriotë të palodhur të çështjes shqiptare, si Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Bajram Curri dhe figura të tjera të kohës, Idriz Seferi dha një kontribut historik në kryengritjet e viti 1908 – 1912, që çuan në Pavarësinë e Shqipërisë”, ka thënë presidenti Thaçi. Sipas presidentit Thaçi, ai është shembull i prijësit të paepur, që nuk rreshti veprimtarinë kryengritëse për asnjë çast. “Me urtësinë e një tribuni popullor, Idriz Seferi u shqua edhe në kuvende, ku arriti të pajtonte njerëzit në konflikte, me idenë se fati i atdheut qëndron mbi interesin individual”, ka thënë ai.
Sigal