Presidenca sensibilizon të rinjtë përballë ligjit

452
Sigal

Sot, më datë 27 nëntor 2013, kabineti i Presidentit të Republikës në bashkëpunim me anëtarët e KLD-së, nën kujdesin e veçantë të Presidentit, SH.T.Z. Bujar Nishani, nis aktivitetin: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit!”

Për këtë qëllim Kabineti i Presidentit, i shoqëruar nga anëtarë të KLD-së do të përfshihen personalisht në shpërndarjen e kushtetutës paralelisht në 5 gjimnazet e kryeqytetit.

Në vigjilje të këtij 101-vjetori të Pavarësisë, ky kabinet dhe anëtarët e KLD-së do të jenë në orën 10.30 në gjimnazet e mëposhtme: “Ismail Qemali”, “Sami Frashëri”, “Eqerem Çabej”, “Petro Nini Luarasi”, “Arben Broci”.

Duke i kushtuar rëndësi të veçantë edukimit ligjor për moshat e reja, Institucioni i Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës dhe i gjithë sistemit të drejtësisë, po ndërmerr këtë nismë të rëndësishme në fushën e Edukimit Publik Ligjor, e cila synon përhapjen e dijeve të domosdoshme për ligjin te të rinjtë. Kjo është një nismë në dobi të sensibilizimit të të rinjve përballë ligjit! Nuk mund të jemi të barabartë përpara ligjit, nëse nuk e njohim atë.