Presidenca-Presidenti Nishani uron Presidentin Gauck me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman

510
Sigal

 

Gazeta Telegraf/ Me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman, Kreu i Shtetit shqiptar, Sh.T.Z. Bujar
Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Republikës Federale të
Gjermanisë, Joachim Gauck, në të cilin shkruan:

 

“I
nderuar Zoti President,

 

Kremtimi i 3 tetorit, Ditës së Bashkimit
Gjerman, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar,
të përcjell urimet më të ngrohta e miqësore për Ju dhe popullin mik gjerman.

 

Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj
konstatoj me kënaqësi se, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit mes dy
vendeve tona kanë në themel të tyre miqësinë mes dy popujve dhe solidaritetin
shumë të veçantë të ofruar ndër vite nga Gjermania për Shqipërinë dhe
shqiptarët.

 

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e
thellë të shqiptarëve për të gjithë ndihmën e pakursyer e shumëdimensionale që
Gjermania ka dhënë për rimëkëmbjen social-ekonomike, konsolidimin e demokracisë
dhe ndërtimin e shtetit ligjor të vendit tim, i cili sot, një çerek shekulli
pas rënies së komunizmit, është kandidat për në Bashkimin Evropian dhe aspiron
hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union. Ju siguroj se Shqipëria
është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave, e bindur se në këtë
rrugëtim do të ketë gjithmonë mbështetjen miqësore të Gjermanisë”.

 

Duke ju uruar shëndet e lumturi dhe popullit
gjerman zhvillim e përparim të mëtejshëm, ju lutem pranoni, Zoti President,
shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – shkruhet në mesazhin e urimit të
Presidentit Nishani.