Presidenca, kryeministria dhe Kuvendi të paregjistruara. Mos qoftë e thënë t’iu dalin pronarët!

213

Jakup B. GJOÇA

Drejtori i Përgjithshëm i ALUZNI-t Artan Lame na dha dje një lajm. Që Presidenca, kryeministria, dhe salla e Kuvendit nuk janë të regjistruara. Domethënë, janë mall pa zot. Me fjalë të tjera, toka në të cilën janë ndërtuar godinat kryesore të shtetit shqiptar janë …mall pa zot, derisa ende nuk janë regjistruar në hipotekë. Është e pabesueshme, ca më pak e papranueshme, që kjo të jetë një harresë nga drejtuesit e shtetit në këto 28 vjet. Mbase dikush nga zyrtarët e lartë, i ka vënë syrin këtyre mallrave pa zot, që janë edhe në qendrën e Tiranës dhe nuk është ndonjë çudi (Në Shqipëri asgjë nuk është çudi) që nesër, ndoshta pasnesër, mund të dalë ndonjë, apo edhe disa pronarë të tokave, ku janë ndërtuar presidenca, kryeministria dhe salla e Kuvendit dhe të kërkojnë …rikthimin e tokës së tyre. Sa e sa mijëra hektarë tokë “e pazot” në Shqipëri u ka dalë zoti me vulat e firmat e noterëve, avokatëve gjyqtarëve, deri tani? Halli është, se ku do gjejmë më tokë që të ndërtojmë presidencën, kryeministrinë, sallën e parlamentit? Në mal të Dajtit? Apo në katet e 30-ta të ndonjë gradaçiele, që ende nuk është gërmuar themeli i saj? Shqiptarët tani, veç halleve të tyre, kanë edhe merakun e mallit të pazot të presidencës, të kryeministrisë dhe të sallës së Kuvendit, që janë të …paregjistruara si mall i shtetit!