Presidenca: ” F.A. po ndërhyjnë në kompetencat e Presidentit”

415
Sigal

Presidenca thotë se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka tejkaluar kompetencat kur ka urdhëruar kundëradmiral Kristaq Gervenin të kthehet në atdhe pa dalë dekreti i presidentit

“Presidenti i Republikës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u njoh me deklaratën për shtyp të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të datës 25 mars 2014. Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin e thellë për përmbajtjen e kësaj deklarate dhe përfshirjen e njerëzve në uniformë në debatin politik të ditës. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë përmes kërkesës që i adreson Kundëradmiralit Kristaq Gervenit për të zbatuar urdhrin administrativ të Ministrit të Mbrojtjes për t’u kthyer në Atdhe pa dalë Dekreti i Presidentit të Republikës, as më shumë e as më pak, po i kërkon këtij ushtaraku të lartë të braktisë detyrën. I vetmi autoritet ligjor dhe kushtetues që urdhëron përfundimin e detyrës së Përfaqësuesit Ushtarak të Republikës së Shqipërisë në NATO është Presidenti i Republikës. Në deklaratën për shtyp duke cituar: “…urdhri administrativ për dorëzimin e detyrës dhe kthimin në Atdhe nuk cenon kompetencat e Presidentit të Republikës, por thjesht rregullon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit pasi Gervenit i ka mbaruar afati 3- vjeçar i qëndrimit në detyrë”, Shtabi i Përgjithshëm i FA:

1 – Ka bërë një akt që nuk është pjesë e detyrave të tij, ka tejkaluar kompetencat.

2 – Është bërë interpret i kompetencave të Presidentit të Republikës, që është absolutisht e palejueshme.

3 – Është përfshirë në një debat me dy superiorë, Presidentin e Republikës dhe Qeverinë, çka është një dëmtim i hierarkisë shtetërore.

4 – Ka ndikuar në krijimin dhe shtimin e një konfuzioni ndërinstitucional, aq të papranueshëm dhe të dëmshëm, veçanërisht në periudhën që po kalojmë.

5 -Ka prodhuar propagande, që është një akt i pastër i njëanshmërisë politike, i paimagjinueshëm për një institucion ushtarak të një vendi pluralist, për më tepër anëtar i NATO-s.

Pozicioni i shefit të përfaqësisë sonë ushtarake në NATO, është përtej pozicionit të një specialisti administrate, siç është munduar të etiketohet nga Shtabi i Përgjithshëm.

Presidenti i Republikës e përcjell shqetësimin e tij në kontekstin e rrezikut të përdorimit politik të institucioneve të depolitizuara dhe departizuara, duke i kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të angazhohet vetëm dhe tërësisht në detyrat e tij ligjore dhe kushtetuese”.- deklaroi sot nëpërmjet zëdhënëses së tij Z.Nishani