Preshevë, Rama: Atë që i japim tjetrit asnjë s’mund t’na mohojë

482
Sigal

SERBI – Lugina e Preshevës, komuna me shumicë shqiptare, është ndalesa e kryeministrit Edi Rama në ditën e dytë të vizitës historike në Serbi. Vizita ne Beograd, Rama e thote shqip: Kosova e pavarur! Por historike mbetet edhe vizita në Preshevë, pasi Rama shkon për herë të parë si shef i qeverisë shqiptare, pas dy vizitave si kryetar i opozitës në 2012-ën.

Rama mbërriti në Preshevë rreth orës 12:00 ku u prit me tapet të kuq në Komunë ndërsa mijëra qytetarë shqiptarë të grumbulluar në sheshin qendror të Luginës e pritën më këngë e valle dhe me flamujt kombëtar kuqezi.

Me mbërritjen në Preshevë, Rama u takua me kryetarin e komunës Ragmi Mustafa dhe komunitetin shqiptar të Luginës ku iu dorëzua titulli “Qytetar Nderi i Luginës së Preshevës”.

Jam i ndergjegjshem per situaten, sakrificat dhe varferine. Do mbrojme interesat e vellezerve dhe motrave tona ne keto troje. Barren e ndjej tani me shume pas ketij nderimi. Tani ndjehem nje nga qytetaret e ketyre territoreve“, u shpreh Rama në takimin që u zhvillua ne Keshillin Komunal te Presheves.

Më tej kryeministri do të ecë në sheshin “Liria” të Preshevës dhe do të mbajë një fjalim në Shtëpinë e Kulturës “Abullah Krashnica”. Sipas Axhendës pritet që kryeministri Rama të kryejë një vizitë në maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare.

Një numër i lartë i forcave speciale serbe dhe të xhandarmërisë ndodhen në të gjithë komunën, ndërsa mbi 500 policë raportohet sipas mediave, të jenë angazhuar për mbarëvajtjen e vizitës së Ramës në këtë trevë, ku për 102 vjet, asnjë kryeministër apo president shqiptar nuk e ka vizituar zyrtarisht.

Policia serbe ka hequr të gjithë flamujt shqiptarë që u vendosën në Preshevë për pritjen e Ramës, por mbeten banerat në hyrje të komunës me mbishkrimin “Mirësevjen Kryeministër” të shoqëruar me foton e Edi Ramës. Për shqiptarët e Preshevës Rama po pritet si një kryeminitër i dytë i tyre.

Tensioni në prag të vizitës së Ramës në Preshevë është shfaqur që në orët e para të mëngjesit kur autobusi i gazetarëve shqiptarë që kanë udhëtuar me Ramën për vizitën në Serbi, u bllokua përreth 50 minuta nga policia serbe në dalje të Nishit, një orë larg Luginës së Preshevës. Sipas policisë serbe kjo u bë  për të lejuar që në fillim të mbërrijë në Preshevë delegacioni që shoqëron Ramën për arsye sigurie.

Kjo është dita e dytë e vizitës historike të Edi Rama në Serbi, e para e një kryeministri shqiptar pas asaj të 68 viteve më parë të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha në 1946. Në konferencën e djeshme për mediat me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, Rama preku një temë jo pak të ndjeshme për Beogradin zyrtar kur tha në shqip se Kosova është e pavarur, dhe se ky fakt i pamohueshëm duhet të respektohet nga të gjithë. Kryeministri shqiptar nuk la pa prekur edhe çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ku kërkoi njohje të të drejtave të tyre.

Ora 12:55 Mustafa: Rama stoik në Beograd, tregoi përkushtim për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë
Kreu i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, në fjalën e tij përshëndetëse në Shtëpinë e Kulturës me rastin e vizitës historike të kryeministrit Edi Rama në këtë zonë, u shpreh se tashmë shefi i qeverisë shqiptare, është vendosur në rolin e liderit të shteteve ballkanike.
 
Mustafa, teksa e vlerësoi këtë vizitë, që sipas tij është historike dhe se vjen në prag të 102 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përgëzoi kryeministrin për qëndrimin e mbajtur në Beograd përballë homologut të tij serb Vuçiç.
 
Mustafa theksoi se kryeministri shqiptar përmbushi një obligim, për tu kujdesur për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë në rajonin e Ballkanit.
 
 “Vizitë historike nuk do mend se tani në këto festa të nëntorit, në ditët që pritet të shënohet 102-vjetori i pavarësisë për herë të parë po zbret një kryeministër shqiptar. Nuk do mend se kryeministri shqiptar Edi Rama tanimë është vendosur në pozicionin e liderit të shteteve ballkanike i nominuar nga kancelarja Merkel. Kujtojmë se do të udhëheqë edhe pse është një korsi e vetme për ecje drejt portës së integrimit në BE, do të eci e para sic ka ecur e para në NATO. Dua ta përgëzoj qëndrimin e tij stoik në Beograd dhe konferencën me Vucic dhe përkushtimin e tij ndaj shqiptarëve të Preshevës. Një përkushtim i vecantë që është njohur edhe më parë, nga Beogradi kërkoi që të zgjidhet ky problem. Ka përmbushur një obligim kushtetues për tu kujdesur në lidhje me pozicionin e shqiptarëve kudo ku jetojnë sot në Ballkan”. tha Ragmi Mustafa

rama ne preshev