Prenga: Shteti dhe opozita po i fusin benzinë zjarrit

114
TIRANË – Deputeti i arrestuar për ngjarjen në Laç Armando Prenga nga ambientet e policisë së Tiranës ka shkruar një deklaratë të cilën e ka bërë publike përmes avokatit të tij.
Ai thotë se i është bërë pritë nga anëtarët e fisit Cali, por përjashton cdo mundësi që të ketë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Sipas deklaratës së Prengës, ai ka qëlluar në ajër me pistoletën që mbante me leje i detyruar në kushtet kur Gjok Cali dhe anëtarë të tjerë të familjes i bënë pritë ndërsa deputeti kthehej nga Laguna e Patokut.
Prenga hedh poshtë dyshimet e policisë se ka qenë i përfshirë në konfliktin para ambienteve të komisariatit të Kurbinit ku mbetën të plagosur 7 persona.
Në këtë deklaratë të bërë publike na avokati i tij Baftjar Rusi, deputeti Armando Prenga nuk lë mënjanë akuzat politike, ku akuzon shtetin, opozitën dhe policinë “se duan ta bëjnë kokë turku”.
“Shteti dhe opozita po i fusin benzinë zjarrit. Askush nuk do të lajë ndërgjegjen duke bërë kokë turku Armando Prengën. PD ka strategji të dobësojë mazhorancën”, citoi avokati deklaratën e Prengës.