Premtimet e Rilindjes (për ushtarakët) u katandisën në vathë të lyer me ar, në veshët e ministres Mimi?!

54
Nga dita e djeshme, PS dhe kryeministri Edi Rama filluan takomet me lektoratin, pas 24 muaj qeverisjeje. Dhe konstatimet e para që bënë, janë predikimet për arritjet e qeverisë, si edhe sërish paketat e premtimeve, se ccfarë do të bëjnë në muajt e mbetur, deri ën 2017, kur do të rikërkojnë votat për një mandat të dytë të qeverisjes. Gazeta “Telegraf”, në forumin e saj, fton Pëllumb Zaimin, kolonel në rezervë, Elsa Ballaurin, Drejtore e Grupit të të Drejtave të Njeriut dhe Reshat Krika, nënkryetar i Shoqatës Antikomuniste dhe të përndjekurve politikë, për t’u ballafaquar me vlerësimin e tyre për qeverisjen e Rilindjes dhe sa I ka mbajtur premtimet elektorale. 

Pëllumb Zaimi, Kolonel në rezervë
PS është bërë parti kuislinge për ushtarakët
-Zoti Zaimi, ç’mendim keni për qeverisjen e “Rilindjes”?
– Nëse do të flisja me gjuhën time profesionale ushtarake, qeverisjen e sotme do ta krahasoja me një komandë operiacioni, ku i gjithë procesi i organizimit, i drejtimit dhe i zbatimitt ë operacionit i është lënë llomotitjes propagandistike dhe jo komandimit të vendosur të tij. Kjo qeverisje ka shumë komisarë e llomotitës dhe pak komandantë e shtabe që udhëheqin trupat për mposhtjen e armikut, që sot quhet korrupsion, degradim administrativ, degradim i shtetit të së drejtës, degradim i besimit popullor për të bërë shtet, dekompozim i programit elektoral të Rilindjes, mosmbërritje e objektivave themelorë ekonomikë, etj. Shkurt, do ta quaja një qeverisje që përparimin më të madh e ka me fjalë dhe jo me vepra. Një qeverisje e tillë, nuk mund t’i mbrrijë objektivat finalë të operacionit. Në fund të fundit, çdo operacion ka afate. Nëqoftëse këto afate nuk respektohen rigorozisht, iniciativa kalon në duart e armikut, themi ne ushtarakët. Vendimet që zvarriten janë njëlloj me mosmarrjen e asnjë vendimi.

 Një qeverisje e mirë punon me ritmin e një komande ushtarake, ndërasa qeverisja e sotme, mua më duket se punon me një kokë, me kokën e Edi Ramës. Pjesëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, duken qartë se bëjnë vetëm punën e zëdhënësit të kësaj koke. Më troç akoma, qeverisja e sotme më ngjan me një qeverisje të tipit “Mukje”, ku supozoj se ballistët që s’kanë hedhur asnjë pushkë, kanë marrë të gjitha pushtetet kyçe, ndërsa socialistët e vërtetë, ose partizanët kanë mbetur në minorancë. Dhe, pak a shumë, kështu ka ngjarë. Qeveria dhe ministrat e saj janë importuar nga ato formacione, që nuk dihet nga dolën dhe iu rrëmbyen socialistëve frytet e fitores. Në qeveri socialistët janë me kokrra dhe qeverisja nuk ka si të jetë e tyrja. Edhe vetë kryeministri Rama nuk është socialist. Është mall importi dhe flamuri i tij nuk është ai tradicionali socialist me ngjyrën rozë, por mavi. Socialistët nuk po e bëjnë betejën me flamurin e tyre, prandaj ka rrezik që ta humbasin Luftën! Shënjat e humbjes, tashmë janë të dukshme.

– Çfarë ka bërë kjo qeverisje e Majtë, me premtimet për ushtarakët?
– Bëri një lumë premtimesh dhe pas fitores së zgjedhjeve, i ka harruar të gjitha. Thamë se do t’i varte “vath në vesh” për shkak të një komuniteti të madh dhe të fuqishëm ushtarakësh, vendimtar për të fituar zgjedhjet, por e keni vënë re ç’ka ndodhur? E pashë dje në një kronikë televizive se vathët e premtimeve të Rilindjes për ushtarakët ishin katandisur në vathë të varur metalikë (floriri) në veshët e ministres Mimi?! Ja, kjo është situata, i dashur gazetar! Më e keqja është se ligjet dhe vendimet antiushtarake dhe antikombëtare të Saliut dhe Ridvan Bodes, me doza të theksuara urrejtjeje ndaj nesh vazhdojnë të përdoren e të na serviren si premtime të realizuara të qeverisjes Rilindase. Hipokrizi dhe mosmirënjohje klasike ndaj grupimit më të madh mbështetës të së Majtës. E turpshme dhe fyese për ne. E turpshme dhe fyese për të Majtën. E turpshme dhe fyese për patriotizmin e ushtarakëve. E turpshme që vathët e lara në ar të Mimit, ju bëjnë kashirllëk atyre, që s’patën kurrë rastin të pispilloseshin si Mimi, të bënin parada mode si Mimi, të ndërronin veshjet, si Mimi. Me ushtarakët, i dashur gazetar, mendoj se nuk duhet zënë në gojë fjala “premtime qeveritare”! Me ne duhet drejtuar pyetja: “Sa ka mbërritur numri i gënjeshtrave qeveritare me ushtarakët?” Për këtë pyetje të jap përgjigje statistikore ekzakte. Për “premtimet qeveritare” nuk të jap dot asnjë statistikë, sepse i kanë fshirë nga çdo defter dhe inventar. 

Megjithatë, fajet për këtë situatë i kemi vetë, sepse, së pari, komuniteti i ushtarakëve nuk e ka kushtëzuar votën. Ka besuar verbërisht PS. I është nënshtruar edukatës që vjen nga “kodi tradicional i bindjes” dhe është bindur ndaj një force politike, që gjithnjë nga njëra anë iu premtonte dhe, nga ana tjetër, i tradhëtonte. Shkurt, kemi qënë vigjilent nga pikëpamja ushtarake, por miopë nga pikëpamja politike. Së dyti, ushtarakët nuk ja kanë arritur të mbajnë gjallë shpirtin e protestës dhe nëpërmjet protestave ta çonin betejën deri në fund. Kjo, edhe për shkak të tradhëtisë nga brenda komunitetit të ushtarakëve, por edhe sepse ushtarakët nuk arritën të asimilojnë tipin e betejave të spektrit civil. Ata nuk u konsultuan dhe nuk debatuan kurrë për këtë tip të ri beteje, me të cilën duhet të përballeshin.Ata dhe unë bashkë me ta, mbetëm gjithnjë brenda uniformës ushtarake. Nuk ditëm të vishnim uniformën e qytetarit protestues. Kishim ndrojtjen mos prishnim rregullat e një shteti, që nuk zbatonte vetë i pari, rregullat e shtetit. Duke qënë nga edukata shtetformues dhe shtetndërtues, nuk pamë qartë se mendësia jonë nuk funksiononte në “shtetin tregëtues”. 

Nuk pamë se ky lloj shteti dhe partitë e komanduara na kishin në defteret dhe hesapet e tyre jo si “kontigjent moral e sigurie”, por si “kontigjent tregëtar”. Nuk pamë se ne ishim thjesht një mall këmbimi e spekulimi në tregun e kërkesë-ofertës së shtetit tregëtar dhe të pushtetit të parasë. Së treti, ne duhet të dalim urgjentisht nga linja e partive politike. Me partitë politike ne duhet të bashkëpunojmë mbi bazën e partneritetit të sendërtuara në kushtin kategorik “më jep, të të jap”, “firmos këtu për kërkesat e mia, që të firmos dhe unë atje për kërkesat e tua.” Koha e ndjekjes së një partie tradicionale ka mbaruar. Partitë tona tradicionale tani janë katandisur në parti kolaboracioniste. Ne nuk kemi bashkëpunuar ndonjëherë me partinë antiushtarake e antishqiptare të Saliut, ndërsa të Majtat shqiptare kanë bashkëpunuar me të dhe na kanë shitur te ai. Na trajtojnë me ligjet dhe me aktet e tij. Shkurt, partitë tona tradicionale, janë parti kuislinge për ushtarakët, parti që i kanë shitur ata te pushtuesi i tyre. Ne jemi partizanë të dorëzuar, si robër në rrjetat antiushtarake të Sali Berishës dhe të padronëve të tij antishqiptarë.

Elsa Ballauri, Drejtore e Grupit të të Drejtave të Njeriut: Qeveria hap probleme të dëmshme për qytetarët
-Zonja Ballauri, si e vlerësoni qeverisjen e deritanishme?
-Mendoj se ka një problem të madh në qeverisjen aktuale, nga njëra anë kërkon te konsolidojë shtetin e së drejtes dhe nga ana tjetër hap probleme të shumta e të dëmshme për qytetarët. Unë jam dakort dhe përshëndes përpjekjen për të riparuar strukturat e shtetit, sigurisht, që kemi nevojë të kuptojmë se një shtet modern dhe demoktratik duhet të ecë sipas rregullave dhe ato duhen respektuar, por mënyra se si veprohet, nuk më duket e gjetur. Do të ishte në nder të një qeverie nëse, krahas përpjekjes dhe vullnetit të madh për të ndërtuar institucione të fuqishme demokratike, të kujdesej për atë që është më e rëndësishmja – Njeriun, Qytetarin dhe të investonte sa më shumë respekt, mirëkuptim dinjitet, sepse janë qytetarët ata që do të vënë në punë dhe do të krijojnë sistemin e ri, për të cilin maxhoranca pretendon ta ngrejë nga gjendja e kolapsit. Masat e marra në mënyrë robotike, pa njohur dhe pa kuptuar gjendjen e qytetarëve dhe mundësitë e tyre për t’i përmbushur menjëherë ato, degradojnë pa dashje në iniciativa sipërfaqësore dhe kthehen shumë kollaj në boomerang për vetë sistemin, qeverinë dhe shoqërinë. Këtë lloj stili e kemi provuar shumë herë në kohën e diktaturës gjë e cila krijoi në mënyre gati të pakthyeshme urrejtjen e shqiptarëve ndaj shtetit, ndaj rregullave dhe ligjeve.

 Shqipëria nuk është një vend i zakonshëm dhe nuk ka pasur shansin të njohë siç duhet qeverisjet demokratike. Ajo që prodhojmë është shumë më afër diktaturës se demokracise, dhe pikërisht kjo duhej të ishte detyra e qverisë së sotme, nëse ka vullnetin e mirë të ndryshojë sistemin. Forca e ligjit duhet të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit dhe mirëkuptimit me qytetarët dhe jo me kërbaç. Natyrisht, që kjo nuk është e lehtë, përkundrazi është shumë e vështirë, por është e vetmja mënyrë për të krijuar një demokraci për të gjithë. Për këtë arësye çdo qeveri që vjen në krye ka nevojë akoma më shumë se në çdo vend tjetër, të mësohet të respektojë qytetarët, t’iu kuptojë hallet, ta vërë dorën në zemër, të përpiqet bashkë me ta dhe jo të bëjë rolin e xhelatit. Është për të ardhur keq, se nëse vazhdohet kështu edhe investimi që qeveria mendon se po e hedh për të përmirësuar gjendjen, nuk do të ketë efekt të dobishëm afatgjatë. Tjetër gjë që e pengon këtë aftagjatësi është edhe lufta e shëmtuar dhe e pavlerë politike, që bëhet mes dy kampeve të madha, PS-LSI dhe PD. Unë nuk e kuptoj se si politikanët nuk e kuptojnë se sa qesharake dhe të pavlerë bëhen. Përgjigjësia më e madhe është e pozitës, por për fat të keq është një film i përsëritur, sepse kjo ka qënë historikisht mënyra marrëdhënies pozitë-opozitë. Krijimi i armikut rrotull, afër, apo përballë teje është përrallë e shëmtuar për popullin, mosmbajtja e përgjegjësive është tjetër efekt negativ dhe mungesë e modelit demokratik të një qeverie.
-Po p.ligjin për Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile?
-Ky projektligj nëse nuk ndryshohet, do të krijojë më shumë probleme për ekzistencën demokratike të shoqërisë civile. Në mbledhjen e komisionit te Kuvendit për të dhënë sugjerime mbi këtë ligj, shqetësimi im lidhet me të gjithë frymën e ligjit, e cila është përmbledhur edhe në titull, ku thuhet se është një projektligj për Shoqërinë Civile dhe jo i shoqërise civile. Pra, gati, gati sanksionohet që është qeveria ajo që vendos, drejton, organizon, planifikon veprimtarinë dhe opinionet e shoqërisë civile dhe jo kjo e fundit në bashkkëpunim me institucione të shtetit. Ligji parashikon një Këshill të çbalancuar në lidhje me përmbajtjen e përfaqësuesve të shtetit dhe atyre të shoqërisë civile. Këta të fundit mbeten gjithmonë në minorancë dhe një derivat pasiv i ministrive. Mbledhjet e Këshillit gjithashtu mbahen në kryeministri. E gjithë kjo më duket më shumë se e rrezikshme, sepse tashmë të gjithë e dimë, që kemi një shoqëri civile pothuajse inekzistencë, nuk kemi protagonistë, nuk kemi heronj, nuk kemi shqetësime të vërteta, që mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Nëse vazhdojmë ta imponojmë edhe më shumë këtë pasivitet me këto lloj ligjesh, atëhere kemi një rrezik edhe më të shtuar ndaj demokracisë sonë shumë të brishtë. 

– Një këshill i tillë nën ombrellën e qeverisë a mund të luajë rolin dhe misionin e tij si përfaqësues i shoqërisë civile? 
– Sikurse e thashë, ky nuk do të bëhet dot një Këshill i shoqërisë civile nëse mbetet i njëjti draft i propozuar. Ai nuk i lejon hapësirë dhe mundësi për të kryesuar çështjet e marrëdhënieve të shoqërisë civile me shtetin. Natyrisht që është e rëndësishme tashmë të kemi një bashkëpunim të shoqërisë civile dhe institucioneve, por ama kjo që të mos centralizohet nga qeveria, por të udhëhiqet nga vetë shoqëria civile, e cila, siç dihet, ka shumë më tepër fleksibilitet, mundësi dhe fantazi për të realizuar një marrëdhënie të suksesshme. Aq më tepër tashmë kemi një jetë të gjatë të shoqërisë civile, çerekshekullore, pra kemi një përvojë që duhet nderuar dhe jo eliminuar. Mendoj se ende ka kohë për të rregulluar draftin e ligjit dhe gjithashtu ka modele shumë të mira në Ballkan, si ai i Kroacisë, sikurse ka modele të centralizuara, si ai i Malit të Zi. Shpresoj që hartuesit, edhe pas sugjerimeve tona, të jenë të aftë të zgjedhin modelin e duhur dhe të justifikojnë realisht politikat e pretenduara. 
Reshat Kripa, Nënkryetar i Shoqatës Antikomuniste dhe të të përndjekurve politike 
Qeveria është amorfe, nuk mbajti as premtimet për dëmshpërmblimet e të përndjekurve
-Zoti Kripa, si e vlerësoni qeverisjen e tanishme?
– Një qeverisje amorfe, pa kokë, ku drejtuesit e shtetit shfaqen gjithmonë e më shumë në ekranet e televizioneve duke treguar sukseset e tyre imagjinare. Janë miratuar dhe po përgatiten disa ligje të cilët bien ndesh me interesat e shtresave të ndryshme të shoqerisë shqiptare. I tillë është për shembull Ligji mbi Arsimin e Lartë, miratimi i të cilit është bërë shkak për revoltën e studentëve. Po ashtu Ligji mbi ndryshimin e Kodit Penal, ku qytetari dhe biznesmeni dënohen me burg, nëqoftëse nuk merr kuponin për blerjen e mallit, qoftë kjo edhe për një vlerë fare të vogël. Po ashtu taksistit, që punon pa liçencë, i sekuestrohet makina dhe dënohet edhe me burg. Nuk bëhet llogari se kush kushton më shtrenjtë. Mosmarrja e detyrimit tatimor nga shitësi, apo mbajtja e tij në burg. Deri më sot, megjithëse kanë kaluar më shumë se një vit, nuk po shohim asnjë investim serioz. Mjafton t’u hedhësh një sy rrugëve të Tiranës, janë po në atë gjendje, në të cilën ishin më pare, për të mos thënë edhe më keq. Janë vënë re rritjE të çmimeve të artikujve kryesorë, gjë që ka bërë varfërimin e shtresave të veçanta të shoqërisë, gjë që ka sjellë si pasojë emigrimin në masë të popullsisë së vendit, duke arritur që të jemi të parët në Europë për shifrat e këtij emigrimi. Këto janë një pasqyrë e qartë e gjëndjes skonomike të vendit, si pasojë e keqqeverisjes.
– Sa i ka përbushur detyrimet ndaj jush për dëmshpërblime dhe premtimet e tjera?
– Lidhur me dëmshpërblimin është bërë diçka vetëm në drejtim të atyre që e kanë vuajtur vetë dënimin me burg dhe janë ende gjallë. Por sa janë gjallë nga kjo kategori. Sipas llogarive tona nuk janë më shumë se 1500 vetë, ndërsa qeveria pretendon se qenkan 2500. Është premtuar se për këtë kategori dëmshpërblimi do të përfundojë brenda vitit 2017. Këtu bëhet fjalë vetëm për të dënuarit me burg. Po për të internuarit e periudhës 1945-1954 që nuk ka filluar ende kur do të përfundojë? Askush nuk jep një përgjigje. Le të kthehemi tani nga trashëgimtarët e të dënuarve, që duke përfshirë ish-të burgosurit, internuarit, ekzekutuarit e të tjerë, që arrijnë shifrën prej 50.000 persona, a ka ndonjë plan qeveria se kur do të përfundojë shpërblimi i tyre, pasi me këtë ritëm me 30% të fondit të caktuar duhet një shekull dhe nuk dihet nëse do të mjaftojë. Këto për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Por ata kanë edhe disa kërkesa të tjera po kaq të rëndësishme për të cilat as që flitet fare. 

Më lejoni t’i rendis: Kthimi në muze i burgut të Burrelit dhe kampeve të Tepelenës dhe Spaçit, të cilat janë modelet më kryesore të dhunës komuniste. Ngritja e një memoriali në qendër të Tiranës në përkujtim të viktimave të komunizmit. Rishikimi i historisë së Shqipërisë dhe pasqyrimi i qartë i krimeve të kryera gjatë periudhë totalitare. Lidhur me këtë rishikimi i teksteve shkollore, ku sundon ende fryma totalitare. Dhënia e kompetencave të plota Institutit të Hetimit të Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist, duke i dhënë të drejtën e shikimit të gjithë dokumentacionit për këtë çështje. Dënimin ligjor të diktatorit Envere Hoxha dhe pasuesve të afërt me të. Rishikimin e dative simbol të periudhës komuniste. Bërjen publike të dokumentave që dëshmojnë krimet e kryera nga ai regjim. Hapjen e dosjeve të regjimit komunist për të gjithë ish- punonjësit e sigurimit të shtetit, prokurorive, hetuesive, gjykatave etj. si dhe ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit. Zbatimin e statusit të të përndjekurve politikë në të gjitha pikat tij si arsimi, punësismi, strehimi e të tjera. Lidhur me këtë ndalimin e pushimit nga puna të kësaj shtrese për arsue partiake etj. Organizimin e një konference kombëtare me pjesmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve e të tjerë për krimet e kryera nga regjimi komunist.Të gjitha këto pika janë përfshirë në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2006. Këto janë kërkesat tona, të cilat një qeveri demokratike normale është e detyruar t’i zbatojë.