Premtimet e Ramës përballë realitetit të qeverisjes

473
Sigal

Flasin Edi Paloka, Nikolon Jaka, Skënder Gjinushi dhe Shrefedin Shehu: Ja çfarë mendojmë për premtimet e PS-së

Gjatë fushatës elektorale Rama premtoi se do të hapeshin 300 mijë vende të reja pune, do të  paguheshin të gjitha borxhet e shtetit ndaj bizneseve, do të kishim shërbim spitalor falas, legalizimet do të bëheshin falas, do të luftohej krimi brenda “300-ditëve”, do t’iu hiqej ministrave imuniteti dhe mandati i deputetit, do të kishte më shumë socialitet, do të ngrihej meritokracia e vonuar dhe e stërmundimshme, do të hiqej akciza e naftës, bizneset do të kishin rimbursim nga qeveria, do të hiqej “TVSH-ja” për sipërmarrësit e sektorit privat, do të kishte taksim të ndershëm (kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë), do të hiqej informaliteti, gjithçka do të bëhej transparente, postet vakante në administratën publike do të përgatiteshin me një sistem të qartë meritokrat për çdo aplikues, do të rriteshin pagat e punonjësve publikë, do të rriteshin me dyfishim pensionet dhe ndihma ekonomike, do të shpërbleheshin pronarët autoktonë të pronave, do të çoheshin para dyerve të drejtësisë të gjithë ata deputetë apo ministra, drejtorë apo gjykatës dhe nëpunës të ndryshëm të ish-administratës publike, do të arrestoheshin të gjithë ministrat me monopole, apo me korrupsion. Do ngrihej ekonomia dhe vendi do të kalonte nga recensioni fiskal drejt një ekonomie të shëndoshë dhe premtuese për të ardhmen. U premtua se nuk do kishte import të plehrave, se do të kishim një ushtri më të denjë dhe më të kompletuar drejt standardeve të NATO.  Por asgjë nuk ka ndodhur dhe as që pritet të ndodhë.

Premtimet e tjera

Një nga premtimet kryesore të PS-së ishte infrastruktura. Ndërtimi i rrugëve për të lidhur akset e rëndësishme kombëtare, duke i ndërtuar ato. Përveç ndërtimit të korridoreve të Kaltër dhe të Gjelbër, PS premtoi dhe ndërtimin e autostradës së parë të shqiptarëve, sipas standardeve të certifikuara. Një premtim tjetër ishte transparenca e punës së institucioneve, ku  Kuvendi do të rifitonte funksionet e tij kushtetuese dhe se do të hapej një kanal televiziv për veprimtarinë e tij etj.. U premtua se nën qeverisjen socialiste të rinjtë do të kishin mundësi të barabarta për punësim dhe karrierë, pavarësisht njohjeve të tyre, ndërsa në diplomacinë shqiptare nuk do të punësoheshin më familjarë dhe se qeveria do të kishte një buxhet të konsiderueshëm për problemet e rinisë duke përfshirë edhe ndërtimin e Korpusit kombëtar të të rinjve dhe 10-fishimin e mikrokredive për ta. U premtua krijimi i një drejtësie të pavarur gjatë qeverisë së PS, e cila do të siguronte në mënyrë të barabartë qytetarët dhe sipërmarrjet. Sipas këtij premtimi PS do e çlironte drejtësinë nga presioni për interesat politike dhe korruptive, duke e pastruar atë nga çdo shërbëtor që i shërbente pushtetit. Një premtim tjetër ishte se gjatë qeverisjes së të majtëve askush nuk do të tolerohej të abuzonte me pushtetin dhe ta përdorte atë për interesa personale, të familjarëve apo klaneve të ndryshme. U tha se do të kishte ndëshkim ndaj çdo shkelësi të ligjit dhe transparencë në çdo koncesion të dhënë, ndërsa, krimi fiskal nuk do të tolerohej. Në lidhje me pronat u premtuan reforma të thella në sistemin e pronave siç ishte dhe evidentimi i atyre që fshiheshin nga zyrtarët e ministrive. Sipas PS, për katër vite do të mbylleshin procedurat për ndërtimet pa leje në 800 dosje. Premtimi për bizneset përveç likuidimit të borxheve ishte ky: gjatë qeverisjes së Majtë do të kishte një partneritet të ri me biznesin dhe një klimë lehtësuese dhe favorizuese për të. Përveç heqjes së taksës për biznesin e vogël do të hiqeshin referencat aktuale në dogana e tatime dhe do të kishte një modelim të zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH. Po kështu do të ketë dhe stabilizim të administratës doganore dhe tatimore. Për emigrantët, PS premtoi ndihma ndaj emigrantëve në kushtet, kur ata janë braktisur plotësisht, në mundësimin e të drejtës së votës për ta, një buxhet të posaçëm për problemet dhe shqetësimet e tyre dhe ngritjen e strukturave mbështetëse gjatë kohës kur do të vendosnin të ktheheshin në Shqipëri. Ndërsa për mediat u premtua që reklamat shtetërore nuk do të jenë më ushqim për mediat qeveritare dhe se RTSH do t’i kthehet publikut dhe interesave të tij. Ai premtoi akses të plotë për gazetarët dhe qytetarët te  dokumentacioni shtetëror.

Reagimet

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë shprehu disa dyshime në lidhje  me mbajtjen e premtimeve të qeverisë. Ai tha për “Telegraf” se: “Dhoma e Tregtisë vlerëson maksimalisht premtimin për shlyerjen e borxheve ndaj bizneseve dhe kritikon ngadalësinë e veprimeve, duke kundërshtuar edhe mungesën e transparencës në lidhje me ligjet që kanë të bëjnë me financat”. Pra, sipas tij, kjo shtyrje apo vonesë rrezikon seriozisht mbajtjen e premtimeve për kthimin e borxhit, ndaj bizneseve. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jakaj para pak javësh, kërkoi edhe krijimin e Këshillit Ekonomik Kombëtar i premtuar më herët nga kryeministri Edi Rama. “I kërkojmë qeverisë së re një tryezë të përbashkët për të diskutuar problemet emergjente të biznesit  si dhe për premtimet e dhëna. Ndër problemet me të cilat po has sot biznesi janë kreditë e këqija dhe infomaliteti i lartë. Kërkojmë të promovohet Këshilli Ekonomik Kombëtar i premtuar nga kryeministri Rama. Kërkojmë një amnisti të plotë për biznesin dhe krijimin e Bursës së Tiranës, që biznesi të mos jetë i varur vetëm nga kreditë bankare. Kërkojmë të mos ketë rritje taksash dhe taksat e korporatave të jenë të ulëta”, u shpreh Jakaj. Gjithashtu, deputeti Sherefedin Shehu i ka quajtur premtime elektorale deklaratat e Ramës për hapjen e vendeve të punës, për uljen e taksave apo për ndarjen e pronave. “Këto janë premtime vetëm për efektin e fushatave”, u shpreh ai. Nga ana e vet kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se: “Premtimet e Ramës, janë utopike dhe Rama nuk do t’i mbajë ato sepse ai di vetëm të gënjejë”. Por në një nga mbledhjet e grupit parlamentar, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha deklaroi se Rama ka mashtruar edhe me premtimin për legalizimet: “…Mashtrimi më i fundit në listën e gjatë të mashtrimeve; është ai i legalizimeve falas, premtim super i bujshëm i Edi Ramës në mbyllje të fushatës elektorale, goditje e minutës së fundit për të mos i lënë kohë kurrkujt për t’ia prishur gënjeshtrën, të cilën e shiti për vota si një mall kallp, dhe e tërhoqi javës që shkoi në mënyrën më të turpshme dhe poshtëruese, duke i trajtuar qytetarët jo si individë të pjekur e të përgjegjshëm që mbajnë mend shumë mirë se çfarë i është premtuar, por si fëmijë çerdhesh”, – tha ai. Nga ana e vet, aleati i Ramës dhe kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi është përqendruar te premtimi i Ramës për ndëshkimin e të korruptuarve. “Un mendoj se arrestimi duhet të fillojë nga ish-ministrat dhe ish-Kryeministri. Pra, duhet filluar nga zbardhja e skandaleve apo ngjarjeve, pastaj individët dalin vetë”. Në këtë mënyrë Gjinushi kërkoi goditje të ashpër ligjore kundër korrupsionit qeveritar dhe kundër krimit.