Premtim, apo mashtrim i kryeministrit Rama për Kampusin Universitar

556
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri Rama para disa ditësh u premtoi studentëve se do të ndërtonte Kampusin universitar në zonën e Qytetit Studenti.  Mirëpo, kryeministri Edi Rama premtimet, të cilat i ka bërë 8 vite më parë. Premtimin e parë Rama e ka bërë më 18 prill të 2011 kur publikoi edhe projektin për këtë kampus universitar. Por edhe pse kanë  kaluar 8 vite ky premtim nuk është mbajtur nga ana e kryeministrit. Ka qenë premtim, apo thjesht mashtrim elektoral nga kryetarit të PS-së Rama në 2011? Po premtimi i tanishëm i kryeministrit Rama, për të njëjtën gjë, që premtoi në 2012-n, është premtim, apo mashtrimi i radhës, sa për të kaluar situatën?

Rikonstruksionet e konvikteve studentore, pse nuk bëhen me fondet e qeverisë?

Studentët vazhdojnë protestën. Edhe dje studentët bojkotuan mësimet dhe protestuan para kryeministrisë, si edhe para Ministrisë së Arsimit. Qeveria deri tani nuk ka dhënë asnjë qindarkë për rikonstruksionin e konvikteve universitare, sepse deri tani fondet janë dhënë nga qeveria gjermane, ndërkohë që Bashkia e Tiranës premton se do investojë nga taksat e qytetarëve për konviktet e Qytetit të Studentëve. Pyetja është: Pse duhet bashkia e Tiranës të shpërdorojë fondet e taksave të qytetarëve të Tiranës për konvikte të universiteteve, kur ato duhet t’i bëjë qeveria? Në Tiranë, nuk ka ujë, nuk ka gjelbërim, nuk ka kanalizime, nuk ka rrugë, nuk ka trotuare, në shumë zona mungon infrastruktura, shkollat e ciklit parauniversitar kanë mungesa të mëdha. Përse bashkia e Tiranës nuk i përdor fondet e taksave për këto që kanë nevojë dhe paguajnë qytetarët, por me këto para u bën fresk detyrimeve financiare të qeverisë?

Hipokrizia e kryeministrit: Fton studentët për dialog, por i ndjek nga salla me policë

Kryeministri Rama shpeshherë ka bërë ftesa publike studentëve për dialog. Ndërkohë, edhe në ato takime që ka organizuar, qoftë në studio televizive, qoftë në salla të mbyllura, kryeministri Rama ka ftuar militantët e FRESSH-it duke i prezantuar si studentë, ndërkohë, që studentët i ka përzënë me dhunën e policëve nga sallat, pse ata i kanë ndërprerë fjalën, pse studentët kundërshtojnë fjalën e monologut të kryeministrit.

Pedagogët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës: Solidarizohemi me studentët

Dje personeli akademik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës,  shprehu mbështetje për studentët i është drejtuar më një thirrje edhe dekanatit. Ata i kërkojnë dekanatit të mos pezullojë studentët, ndërsa kanë listuar edhe disa kërkesa të tjera. Ky personel shprehet i vendosur duke shtuar se duhet të anulohen urgjentisht VKM-të e fundit pasi sipas tyre, kjo cenon autonominë universitare.