Prefektja e Vlorës Hoxha nis fushatën: Të anulohen parkimet me pagesë

518
Prefektja e Vlorës, një nga kandidatet e mundshme të maxhorancës për zgjedhjet vendore, Etjona Hoxha, ka nisur fushatën e saj, duke deklaruar rishikimin dhe anulimin e vendimit të marrë për parkingjet me pagesë në qytetin e Vlorës. Vendim për të cilin ky institucion ishte shprehur se ishte i ligjshëm, çka i ka hapur rrugën procedurave të tenderimit nga ana e bashkisë Vlorë. Porse ironia qëndron në faktin se Hoxha ka deklaruar se ka kërkuar edhe dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, Dritan Halili, sipas së cilës, ai e ka firmosur ligjshmërinë e vendimit pa u konsultuar me atë?! “Telegraf” zbardh sot me detaje historinë e parkimeve me pagesë në qytetin e Vlorës, e cila daton në vitin 2007, me një vendim të Këshillit të Bashkisë, në 29 qershor. Në këtë vendim përcaktohen edhe 9 rrugë në qytet, parkimet në të cilat, do të ishin me pagesë dhe pagesa do të ishte 100 lekë të rinj në orë.
Dështimi i bashkisë
Por që nga data dhe viti i marrjes së këtij vendimi, bashkia nuk mundi ta zbatojë në terren mbledhjen e pagesës për parkimet me pagesë, edhe pse pati një tentativë disa mujore, duke nxjerrë në terren disa agjentë tatimorë për mbledhjen e pagesës.
Shkak i dështimit të bashkisë për të zbatuar këtë vendim, ishte kostoja e madhe që kërkohej për mbledhjen e kësaj pagese, ku ndër të tjera duhej të krijohej gati një ndërmarrje e re, që do të vendosej në funksion të zbatimit të vendimit.
Që nga 29 qershori i vitit 2007 e deri në ditët e sotme, qytetarët e Vlorës, duhet të kishin paguar 100 lekë në orë për parkimin e makinave në 9 rrugët e sipërpërmendura, por që nuk e kanë paguar atë për shkak të pamundësisë dhe paaftësisë së bashkisë.
Që nga vitit 2008, bashkia e Vlorës e parashikonte si një zë në buxhetet që hartonte mbledhjen e kësaj pagesë, por në çdo fund viti e konsideronte të pambledhur këtë zë, në buxhet.
9 Tetor 2014
Në tetor të vitit 2014, bashkia e Vlorës ka pranuar dështimin për mbledhjen e pagesës për parkimin e makinave në 9 rrugët e qytetit dhe ka vendosur t’i drejtohet Këshillit të Bashkisë për zgjidhjen e këtij problemi.
Me një projektvendim të datës 9 tetor 2014, nr.45, administrata e bashkisë i kërkon Këshillit të Bashkisë, rifillimin e procedurave për kryerjen e një analize të përmbledhur fizibiliteti për qytetin e Vlorës, me propozim të Kryetarit të Bashkisë.
Në mbledhjen e kësaj date, mbështetur mbi këtë kërkesë të administratës së bashkisë, Këshilli i Bashkisë ka vendosur:
I. Të miratojë dhënien me koncesion, si një nga format e bashkëpunimit midis njësisë vendore dhe subjekteve private, të administrimit të shërbimit të parkimit me pagesë të rrugëve publike në qytetin e Vlorës, sipas emërtimeve, bashkëlidhur këtij projektvendimi.
2. Të autorizojë Kryetarin e Bashkisë Vlorë që të vazhdojë procedurat ligjore për dhënien e koncesionit për administrimin e shërbimit të parkimit me pagesë: në rrugë, në qytetin e Vlorës.
Vendimi i datës 9 tetor 2014, do të vlerësohej i ligjshëm nga institucioni i prefektit të qarkut.
11 dhjetor 2014
Pasi institucioni i prefektit të qarkut e ka vlerësuar të ligjshëm vendimin e datës 9 tetor 2014, administrata e bashkisë, i ka kërkuar Këshillit të Bashkisë, të vendosë për kriteret e dhënies me koncesion të rrugëve, ku parkimet e makinave do të ishin me pagesë.
Në mbështetje të kërkesës së administratës së bashkisë, në mbledhjen e datës 11 dhjetor 2014, këshilli i bashkisë vendosi:
1. Të miratoje dhënien me koncesion, si një nga format e bashkëpunimit midis njësisë vendore dhe subjekteve private, të administrimit të shërbimit të parkimit me pagesë të rrugëve publike ne qytetin e Vlorës, sipas emërtimeve, koeficientëve dhe orarit, sipas tabelës bashkëlidhur.
2. Afati i dhënies me koncesion të administrimit të shërbimit të parkimit me pagesë të rrugëve publike në qytetin e Vlorës të jetë 15 (pesëmbëdhjete) vjet.
3. Tarifa vjetore e koncesionit të jetë 10 (dhjetë) milionë lekë në vit për dy vitet e para dhe nga viti i trete e në vazhdim 10 (dhjetë) milionë lekë në vit plus 2 % të xhiros vjetore të realizuar.
4. Të autorizojë Kryetarin e Bashkisë Vlorë për të vazhduar procedurat ligjore për dhënien e koncesionit për administrimin e shërbimit te parkimit me pagesë në rrugë, në qytetin e Vlorës.
Edhe ky vendim i Këshillit të Bashkisë do të vlerësohej i ligjshëm nga institucioni i prefektit të qarkut, me një shkresë zyrtare drejtuar bashkisë dhe Këshillit të Bashkisë.
Përgjysmohet tarifa
Tarifa e parkimit me pagesë, në mbledhjen e datës 11 dhjetor 2014, do të vendosej 50 lekë në orë, duke qenë në këtë mënyrë sa gjysma e tarifës së miratuar në vitin 2007, 100 lekë në orë, nisur nga propozimet e këshilltarëve, për të mos iu rënduar shumë qytetarëve e në interes të tyre.
Postvendimi
Pas vendimit të Këshillit dhe shprehjes së ligjshmërisë nga ana e Institucionit të Qarkut, për këtë vendim, bashkia e Vlorës, filloi procedurat për tenderimin e rrugëve për të cilat ishte përcaktuar parkimi me pagesë, 24 të tilla ose 25 % e rrugëve që ka qyteti i Vlorës.
Në 2 mars të vitit 2015, Agjencia e Prokurimit Publik publikon në faqen e saj kontratën e firmosur nga bashkia e Vlorës dhe një shoqërie me adresë dhe aktivitet në SHBA.
Reagon deputeti Kokëdhima
Edhe pse kishin kaluar 3 muaj nga miratimi i vendimit të Këshillit të Bashkisë për parkimet me pagesë dhe ishin kryer të gjitha veprimet ligjore e tenderuese, për përcaktimin e firmës fituese, nuk pati asnjë reagim zyrtar në lidhje me kundërshtimin e këtij vendimi. I pari që ka reaguar kundër ka qenë deputeti i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima. Në një bisedë televizive për një nga mediat vizive, deputeti Kokëdhima ka deklaruar ndër të tjera se: “Unë mund të them që, për koncesionin e parkingjeve në Vlorë, jam krejtësisht kundër. Me shumë sinqeritet nuk kam pasur asnjë dijeni për këtë gjë. Por as qeveria nuk ka pasur asnjë dijeni për këtë çështje dhe po bën të gjitha tratativat e nevojshme për të mos lejuar vazhdimin e këtij koncesioni. Ka instrumente qeveria që mund të ndërhyjë edhe në çështje që i ka marrë pushteti lokal. Ai është një koncesion që nuk prodhon avantazhe për qytetarët”.
Reagon Institucioni i Prefektit të Qarkut
Ka qenë i papritur reagimi i institucionit të Prefektit të qarkut, Etjona Hoxha, jo se ndodhi në një ditë pushimi, siç është dita e shtunë, por sepse ishte kundër vendimit për parkimet me pagesë, vendim për të cilin ky institucion ishte shprehur se ishte i ligjshëm, çka i ka hapur rrugën procedurave të tenderimit nga ana e bashkisë Vlorë. Në një deklaratë për mediat, e përzgjedhura me kujdes nga zonja Hoxha, ka deklaruar se “Koncesioni është plotësisht në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e qytetarëve vlonjatë. Kanë nisur konsultimet e nevojshme me instancat e larta juridike, për të rishikuar apo revokuar kontratën koncesionare”. Prefektja Hoxha ka kërkuar edhe dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, Dritan Halili, sipas së cilës, ai e ka firmosur ligjshmërinë e vendimit pa u konsultuar me atë. Sekretari Halili është konsideruar një ndër njerëzit më të besuar të Prefektes Hoxha, duke filluar punë së bashku me emërimin e saj në këtë post.
Burimet pranë Prefekturës bëjnë të ditur se ligjshmëria e vendimit për parkimet me pagesë ka patur gatishmërinë absolute të Prefektes, e cila është shprehur pro ligjshmërisë që dy ditë pas marrjes së vendimit nga Këshilli i Bashkisë.
Reagimi kundër i Prefektes Hoxha shpjegohet me përfoljen e saj si kandidate për kryetare e bashkisë Vlorë, duke qenë ky reagim një bonus që ndoshta nesër kandidatja të tregojë para qytetarëve të Vlorës se ishte ajo që mbrojti interesat e tyre. Të tjerë zëra pranë prefektes shtojnë se zonjës Hoxha i është bërë presion nga deputeti Kokëdhima për ta kundërshtuar dhe mohuar një vendim të dhënë nga institucioni i Prefektit të Qarkut, për arsye të cilat ende nuk dihen.
Përgjigjet kryetarja e Këshillit të Bashkisë
Deklarata e prefektes së qarkut ka shkaktuar edhe reagimin e kryetares së Këshillit të Bashkisë Vlorë, Evis Allushi, sidomos për pjesën e deklaratës së prefektes se koncesioni është në kundërshtim me interesat e vullnetin e qytetarëve vlonjat. Kryetarja aktuale e Këshillit të Bashkisë, i ka kujtuar ish kryetares së këshillit, sot prefekte e qarkut, Etjona Hoxha se “me vendimin e Këshillit të Bashkisë për koncesionin e parkimeve me pagesë është mbrojtur pikërisht interesi i qytetarëve të Vlorës, pasi tarifa e pagesës së parkimit me pagesë është bërë 50 lekë në orë nga 100 lekë në orë që ishte përcaktuar me një vendim të Këshillit të Bashkisë të datës 29 qershor 2007. Në interes të qytetarisë vlonjate është kthyer mbrapsh nga Këshilli i Bashkisë një kërkesë e administratës së bashkisë që tarifa ndëshkuese e mospagesës së parkimit të ishte 4.500 lekë të rinj, duke kërkuar që ajo të ishte jo më shumë se 2.000 lekë të rinj”. Kryetarja Allushi ka shtuar se “Të gjitha veprimet e Këshillit janë të ligjshme dhe janë ndërmarrë hap pas hapi pas çdo shprehje të ligjshmërisë nga ana e institucionit të Prefektit. Pas ligjshmërisë së vendimit të tetorit 2014, Këshilli Bashkiak ka marrë një tjetër vendim në dhjetor 2014. Edhe ky vendim është konsideruar i ligjshëm nga Prefektura”.
Pritet reagimi i bashkisë
Dita e shtunë dhe e diel ka qenë pushim dhe për pasojë ka munguar një deklarim zyrtar nga bashkia e Vlorës. Zyrtarë të saj kanë deklaruar se ditën e hënë do të ketë një komunikim zyrtar me mediat në lidhje me deklarimin e papritur kundër të institucionit të Prefektit, në lidhje me vendimin e Këshillit të Bashkisë për parkimet me pagesë në 24 rrugë të qytetit të Vlorës, vendim i cili po me një vendim të institucionit të Prefektit të Qarkut, është konsideruar i ligjshëm. Në praktikën shumë vjeçare nuk ka ndodhur kurrë më parë që institucioni i Prefektit të kundërshtojë një vendimin e vet. Burime nga bashkia konfirmojnë se edhe ligjshmërinë e vendimit të Këshillit të Bashkisë për dhënien në administrim të klubit të futbollit “Flamurtari” e ka firmosur po Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës, Dritan Halili, duke ngritur pyetjen për prefektin, nëse edhe ky vendim ligjshmërie mund të konsiderohet i paligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e vullnetin e qytetarëve të Vlorës?!
Sigal

KËSHILLI BASHKIAK VLORË

VENDIM NR.17 DATË 29.06.2007
“PËR SISTEMIMIN E TË GJTHË VEND-PARKIMEVE NË QYTETIN E
VLORËS TË MJETEVE MOTORRIKE TAKSI-AUTOBUSA”
Parkime me pagesë për qytetarët
1- Para Telekomit
2- Rruga nga Hotel Sazani- Shtiza e Flamurit paralel me rrugën.
3- Rruga 8 Marsi (pas taksive 4+ 1) përballë Sazanit, pozicion 45°
4- Rruga Vlorë-Skelë në të dy krahët, paralel me rrugën nga Poliklinika- Riviera, në njërin krah fillon nga kryqëzimi i shkollës Ali Demi. Vendet në këtë rrugë para bankave janë vende të rezervuara me pagesë dhe lidhet kontratë me Bashkinë Vlorë.
5- Rruga nga Akademia – Plazhi i Ri, parkim në një krah, nga Vefa- ish Kursi i Partisë parkim në të dy krahët, nga ish Kursi i Partisë – Rrapi, parkim në një krah paralel me rrugën.
6- Sheshi tek Moli i Naftës, parkim në një krah, pingul me rrugën
7- Rruga Nr. 1 parkim në të dy krahët, paralel me rrugën.
8- Rruga Nr.4 parkim në një krah, paralel me rrugën, djathtas në drejtim rruga Sadik Zotaj-Trasnballkanike.
9- Rruga Nr.5 parkim në një krah, paralel me rrugën.