Prefekti Shefqet Deliallisi: Ja përgatitjet për listat zgjedhore. 8 mandate do marrim në Elbasan

452
Sigal

Prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi në një prononcim për gazetën “Telegraf” tha se në kuadër të përgatitjes së listës së zgjedhësve, janë shpërndarë detyrat dhe udhëzimet për çdo njësi vendore në Qarkun e Elbasanit. Gjatë fjalës së tij prefekti Deliallisi citoi se, listat zgjedhore u janë dorëzuar të gjithë kryetarëve të njësive vendore. Madje, për këtë arsye prefekti ju bën apel që të kenë kujdes në hartimin e listës emërorë pasi zgjedhjet duhet të jenë sa më të lirshme dhe të ndershme. “Duhet të verifikohet çdo emër nëpër gjendjet civile. Në çdo qendër votimi, kryetarët e njësive vendore duhet të kenë parasysh se lejohet jo më pak se 200 zgjedhës dhe jo më shumë se 1000 zgjedhës dhe ky ligj duhet të zbatohet me përpikmëri nga të gjithë”, tha Deliallisi. Sipas prefektit të Elbasanit, infrastruktura zgjedhore është një ndër hapat e parë që nevojitet për të kaluar në zgjedhje sa më të ndershme. Jo më vonë se 30 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, pas miratimit nga kryetarët e njësive vendore, do të printojnë dhe publikojnë ekstraktin e përbërësve zgjedhorë të të gjithë shtetasve që kanë vendbanim në zonat e qendrave të votimit. Në Qarkun e Elbasanit, ashtu si dhe në çdo qark tjetër, ky lloj publikimi pritet të bëhet në ambientet e zyrave civile. Delialisi tha gjithashtu se, dhe për KZAZ-të po merren masa për zgjedhjen e kryetarëve sipas kritereve që ka ligji dhe brenda afateve të caktuar. “KZAZ ka në Librazhd, në Gramsh, në Përrenjas, në Peqin, Cërrik dhe në të gjitha këto jemi në fazën e përgatitjes”, tha prefekti. I pyetur për ndarjen e mandateve Deliallisi shprehet i bindur se, koalicioni qeverisës do të marri 8 mandate në zgjedhjet e 23 Qershorit dhe opozita 6 mandate. Kjo sipas tij, duke pasur parasysh punën e mirë që Qeveria ka bërë në infrastrukturën e rrugëve rurale në këtë qark, por dhe tuneli Elbasan- Tiranë që pritet të hapet këto muaj do të jetë një plus më i madh që Partia Demokratike të fitoi në zgjedhjet e ardhshme”, ka përfunduar Delialisi.