Prefekti i Beratit uzurpon kompetencat e Bashkisë, shkurton 51 % të administratës në kundërshtim me ligjin

642
Sigal

Buxheti manipulohet nga prefekti socialist, kryetari i Këshillit bashkiak me diplomë të falsifikuar, anëtari paguhet me 2 rroga

Jakup B. GJOÇA

Prefekti i Qarkut të Beratit Harrilla Dafa uzurpon kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe të Bashkisë, duke shpërfillur çdo ligj “Për Pushtetin Vendor”. Të shumtat janë kallëzimet penale nga Bashkia e Skraparit dhe nga deputetët kundër këtij veprimi arbitrar të prefektit të Qarkut të Beratit, mirëpo as prokuroria nuk ka vepruar, pse janë mbyllur çerdhe, kopshte, janë paralizuar veprimtaritë e administratës bashkiake dhe qytetarët nuk marrin asnjë shërbim administrativ. Qyteti i Skraparit tashmë nuk mund të pastrohet, për mungesë fondesh dhe punëtorë, por nuk vepron as qeveria, as kryeministri ndaj prefektit për uzurpim të kompetencave të pushtetit vendor. Madje, edhe emisioni investigativ televiziv “STOP” dha fakte, prova dëshmi, ballafaqime të të gjithë faktorëve dhe palëve të interesuara, për veprimet arbitrare dhe të kundërligjshme të prefektit të Beratit, që arrijnë deri në manipulimin e buxhetit bashkiak të 2019, i cili është pa firmë dhe pa vulë, por edhe fakte të tjera, si falsifikime të diplomës së shkollës së kryetarit të Këshillit Bashkiak të Skraparit, si edhe fakte të tjera, kur, ndërsa flaken në rrugë 143 punonjës të bashkisë, anëtari i këshillit bashkiak socialist paguhet me 2 rroga.

143 punonjës të bashkisë flaken në rrugë, anëtari i këshillit bashkiak me 2 rroga

Myqeret Hebibasi, anëtari i këshillit bashkiak të Skraparit, meqë është socialist shpërblehet me 2 rroga. Sipas investigimit të “STOP” Hebibasin e kanë punësuar në bordero si shofer ambulance në qendrën shëndetësore, ndërkohë, që kjo qendër nuk ka ambulancë. Hebibasin e shpërblejnë me rrogë pa punuar fare, për t’i marrë votën në Këshillin Bashkiak, në favor të vendimeve arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin. Prefekti, i cili, me Hebibasin anëtar të Këshillit Bashkiak dhe të tjerë anëtarë socialist, miraton buxhetin e bashkisë, pa prezencën e bashkisë, sepse nuk duan ta njoftojnë që të jetë e pranishme, pa vulë, pa firmë. Ndërkohë, buxheti i Bashkisë së Skraparit për 2019-n, miratohet nga anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak të Skraparit, pa njoftuar fare Bashkinë, dhe shkurtohet në atë masë, sa flakin nga administrata e bashkisë 51 % të punonjësve, domethënë 143 punonjës. Prefekti i Qarkut të Beratit shkurton buxhetin e bashkisë së Skraparit, duke mbyllur çerdhe, kopshte, madje edhe veprimtari të tilla të Bashkisë, sikurse janë pastrimi i qytetit. Hidhen në rrugë 143 punonjës, mbyllet Çerdhja me 40 fëmijë, mbyllet Qendra e 12 fëmijëve me aftësi të kufizuar, në total 212 punonjës shkurtohen dhe i shtohen ushtrisë së papunëve në Skrapar. Administrata e bashkisë mbetet me 29 punëtorë, shkrihen këto shërbime:

Çerdhja dhe mbeten në shtëpi 40 fëmijë gjë e cila mbeten edhe prindërit e tyre, pasi nuk kanë se kush t’i mbajë fëmijët e tyre;

Qendra e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe mbeten në rrugën e madhe 12 fëmijë, pasi familjet e tyre nuk kanë mundësi t’ju shërbejnë;

Sektori sportit mbetet me një punonjës dhe me drejtuesin e mjetit;

Mbyllet Muzeu;

Pallati i Kulturës “Riza Cerova”, mbetet me një punëtor;

Biblioteka mbyllet, duke lënë në mëshirën e fatit mijëra botime (libra, artistikë, shkencor etj; Shkrihet administrata e dy Njësive Administrative, Zhepë e Vëndreshë.

Të gjitha njësitë administrative mbeten me 1 deri në dy punonjës.

Bashkisë së Skrapar, ka ardhur një njoftim nga dega e thesarit Skrapar se ky institucion nuk do të lëvrojë asnjë fond pa filluar zbatimi i vendimeve të këshillit socialist të bashkisë. Madje shkresa e mbërritur nga Ministria e Financave detyron thesarin dhe në këtë rast ky i fundit detyron bashkinë nëpërmjet mos financimit dhe likuidimit që kjo e fundit është e detyruar që të shkrijë të gjitha shërbimet ndaj qytetarëve të saj.

Ja dëshmitë

Pas dështimit të dy mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, në muajin Dhjetor për të miratuar buxhetin, u mblodh sërish në mënyrë të paligjshme më 4 Janar 2019 nën drejtimin e Prefektit Harilla Dafa, i cili nuk ka kompetenca për të bërë një mbledhje të tillë. Rrjedhimisht edhe vendimet e marra janë të paligjshme. Mirëpo, edhe pse në mënyrë të paligjshme, në buxhetin për Bashkinë e Skraparit për vitin 2019 përcaktohet ulja e shpenzimeve, që do të thotë largime nga puna të 51% të punonjësve të Bashkisë Skrapar. Nënkryetarja e bashkisë së Skraparit, Rudina Llango, ka denoncuar paligjshmëritë në miratimin e buxhetit të Skraparit për vitin 2019. Ajo thotë se procesverbali i mbledhjes së Këshillit Bashkiak të 28 Dhjetorit 2018 mungon dhe po në shkelje të ligjit, mbledhja u thirr sërish nga prefekti i Beratit. Miratimi i buxhetit është falsifikuar nga Prefekti, kryetari i Këshillit Bashkiak dhe sekretarja e tij.

Rudina Llango, nënkryetare e Bashkisë Skrapar: “Në fund të vitit për miratimin e buxhetit të drejtën e thirrjes së këshillit të bashkisë e ka kryetari i bashkisë me kompetencat që i jep ligji për vetëqeverisjen vendore. Në këtë moment për mosmiratimin e buxhetit në datën e parë që ishte më 14.12.2018, Bashkia Skrapar njoftoi Prefektin për mosrealizimin e kësaj mbledhje, dhe Prefekti me shkresë ka iniciuar kryetarin e Bashkisë për thirrjen e një mbledhje të dytë, që u caktua data 28.12.2018. Por edhe kjo mbledhje ka dështuar për shkak se nuk u paraqitën anëtarët e këshillit. Stafi i Bashkisë ka qenë prezent dhe nuk u realizua duke na bërë një njoftim verbal që kjo mbledhje nuk do të realizohet. Për herë të tretë ligji nuk parashikon thirrjen për mbledhjen. Këtu jemi përpara kushteve të zbatimit të ligjit të nenit 41, ku Prefekti i qarkut duhet të bënte me dije shkrirjen e këshillit, pasi është mbledhur dy herë dhe nuk realizoi të miratonte buxhetin e paraqitur nga Bashkia Skrapar”.

Naim Gogo, shefi i financës në Bashkinë e Skraparit: “Për sa i përket procedurave për miratimin e buxhetit, ka qenë shkelje flagrante sepse nuk janë ndjekur afatet dhe procedurat ligjore sipas ligjit për financat vendore. Këshilli vetë ka dalë me propozimet e tij duke nxjerrë vendime dhe duke i çuar në Prefekturë për konfirmim”.

Hava Nurellari, Sekretare e Këshillit Bashkiak Skrapar: “Nuk kemi procesverbal për mbledhjen e këshillit bashkiak, nuk është mbajtur një i tillë. Është mbajtur procesverbali nga Prefekti dhe juristi i Prefekturës”.

Prefekti Harilla Dafa: “Unë kam për detyrë në bazë të ligjit të kërkoj mbledhjen e Këshillit të Bashkisë. Për rastin e buxhetit kam të drejtë. Ma jep ligji”. Rudina Llango, nënkryetare e Bashkisë Skrapar: “Prefekti nuk ka të drejtë thirrjet për mbledhjen e këshillit për miratimin e buxhetit”. Për të zgjidhur këtë interpretim të ligjit, emisioni “Stop” pyeti juristin e Prefekturës së Tiranës, i cili hodhi poshtë pretendimin e Prefektit të Beratit. Juristi i Prefekturës së Tiranës: “Prefekti, referuar nenit 41 pika 4, i cili përcakton shprehimisht: “Prefekti i kërkon kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore thirrjen e një mbledhje të dytë të këshillit”, nëse këshilli nuk e ka miratuar buxhetin mbledhjen e parë, “mbledhje që duhet mbajtur jo më vonë se data 5 Janar e vitit pasardhës. Nëse dhe në këtë rast këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore nuk arrin që të miratojë buxhetin, Këshilli i Ministrave vendos shpërndarjen para kohe të këtij këshilli”. Harilla Dafa, Prefekti i qarkut Berat: “E mbledh edhe Prefekti. Prefekti i bën thirrje, unë kërkova të zhvillohej mbledhja”. Përveç pjesës që mbledhja e Këshillit Bashkiak nga ana e Prefektit është e jashtëligjshme, janë falsifikuar edhe dokumente. Rudina Llango, nënkryetare e Bashkisë Skrapar: “Mbledhja është e kundërligjshme, vendimet që kanë dalë prej saj janë të kundërligjshme. Asnjë nga këto vendime që kanë miratuar nuk mund të zbatohet nga Bashkia Skrapar”.

Falsifikimi i diplomës së shkollës së Mesme nga kryetari i Këshillit Bashkiak

Përveç këtyre paligjshmërive të shumta në Këshillin Bashkiak të Skraparit, emisioni “Stop” ka informacione të besueshme, se kryetari i këtij këshilli, z. Partizan Gorçe ka falsifikuar dëftesën e shkollës së mesme, duke ndryshuar numrin e Amzës. Hijet e dyshimit në Këshillin Bashkiak të Skraparit bien edhe ndaj anëtarit Myqeret Hebibasi. Emisioni “Stop” ka zbuluar gjithashtu se z. Hebibasi është i punësuar edhe si shofer ambulance në qendrën shëndetësore të këtij qyteti. Por në këtë qendër shëndetësore nuk ka ambulancë. Pra, z. Myqeret Hebibasi merr dy rroga, edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Skraparit, edhe si shofer ambulance, edhe pse nuk ekziston një e tillë.