Prapaskenat/ Tahiri e priste shkarkimin para se Rama t’ia komunikonte zyrtarisht. Tensioni dhe telefonatat në mesnatë

556
Saimir Tahiri “de facto” nga sot nuk është më ministër i Brendshëm. Lajmi për shkarkimin e tij, që fillimisht u servir si dorëheqje, u bë publik në media nga burime qeveritare.
Por mësohet se vendimin e kryeministrit, Edi Rama, Tahiri e kishte mësuar qysh mbrëmjen e kaluar. Nuk dihet nëse ai e kishte parandjerë apo ishte njoftuar nga vetë Rama, por burimet pohojnë se për këtë arsye ai kishte telefonuar personalisht afër mesnatës të gjithë krerët e Policisë në rrethe për t’u nisur të nesërmen (sot) me urgjencë drejt Tiranës.
Të njëjtat burime saktësojë se Tahiri nuk i kishte vënë në dijeni drejtorët lokalë të Policisë mbi arsyet e kësaj mbledhjeje emergjente, motivet e së cilës ata do i mësonin sot kur u njohën nga vetë Tahiri gjatë një drekë miqësore me vendimin e kryeministrit Rama për shkarkimin e tij.
Mësohet se publikimi në media i lajmit se Tahiri ka dhënë dorëheqjen, para se Rama t’ia komunikonte atij shkarkimin, ka shkaktuar nervozitet nga ana e ministrit të Brendshëm. Burime shumë pranë tij pohojnë se Tahiri ua ka shprehur hapur bashkëpunëtorëve të tij pakënaqësinë e publikimit të këtij lajmi, që me shumë gjasë kishte dalë nga zyrat e kryeministrisë, por që do rezulonte i vërtetë.
Sigal