Prapaskenat e deputetët e PS kundër LSI në pushtetin vendor

458
Nuk është më rastësi, që në këshillat bashkiakë dhe në këshillat e Qarkut, socialistët nuk bashkojnë më votat me këshilltarët e LSI. Faji nuk është personal, dhe as i dy-tre personave të veçantë, në këto këshilla qarqesh, apo bashkiakë. Urdhri që këshilltarët socialistë të mos respektojnë më marrëveshjen, edhe në këshilla bashkiake dhe këshillat e qarqeve, vjen nga lart, nga kryesia e PS. 
Koordinatorët dhe deputetët kanë mision: Të izolojnë LSI
Rezultati i zgjedhjeve të 21 qershorit, nga PS u lexua për së prapthi. Për propagandë, kryeministri Edi Rama, u mundua ta identifikonte fitoren e thellë të koalicionit të Majtë, si fitoren e tij, paçka se PS humbi 15 % elektorat, në krahasim me 2013, ndërkohë që LSI u rrit dyfishin, ndërkohë që PD, humbi edhe më shumë elektorat. Koalicioni i Majtë fitoi 43 bashki, ndërsa fitoi edhe 58 këshilla bashkiakë. Ky rezultat zgjedhor i Koalicionit të Majtë, i shërbeu Edi Ramës si pasqyrë, për të fshehur pakënaqësinë e elektoratit të Majtë, ndaj keqqeverisjes, pasi në 2 vjetët e qeverisjes së Rilindjes, nuk u mbajtën premtimet e dhëna. Përkundrazi. Zgjedhjet e 21 qershorit 2015, u mbajtën, kur mbi 50.000 shqiptarë, të detyruar nga mjerimi, papunësia, humbja e shpresës për të gjetur një punë, të pandihmë ekonomike nga qeveria “Rama” kërkuan nëpër Europë azil. PS, nëse analizojmë rezultatin e 21 qershorit, në shumë bashki doli forcë e dytë, pas LSI, madje edhe në disa bashki të tjera, PS ishte forcë e tretë, edhe pas PD. Tani që PS pretendon se do të bëjë analizën e zgjedhjeve, koordinatorët dhe deputetët e PS, e kanë gjetur armikun e tyre politik. Duke parë që PS tkurret, kur njëkohësisht LSI ka shtrirje dhe zmadhim në elektoratin e Majtë, koordinatorët dhe deputetët socialistë, kuptuan, që elektorati i Majtë, iku nga PS dhe vajti në LSI, sikurse veprojnë lëngjet në enët komunikuese. Koordinatorët dhe deputetët socialistë e kanë filluar luftën politike kundër armikut (LSI) me verifikimin e çdo të punësuari në administratën publike. Publikisht kanë dalë në dritë edhe email-i që koordinatorët socialistë kanë dërguar krerëve partiakë nëpër qarqe, ku kërkojnë hetime të tilla për çdo të punësuar. 
Divorci PS-LSI në pushtetin vendor
Tashmë, zbardhet skenari i luftës politike brenda koalicionit të Majtë. Partia Socialiste në pushtetin vendor prish marrëveshjet elektorale me LSI. Pas Shkodrës, Dibrës dhe Përrenjasit, edhe në Përmet shënohet një tjetër precedent për ndarje të votave të PS-së me LSI-në. Zgjedhja e sekretarit për Këshillin e Qarkut ka bashkuar votat e socialistëve me të demokratëve. Kandidati socialist, Veli Mehmeti ka fituar me 14 vota pro, dhe tetë kundër të LSI-së. Vetëm një javë më parë në Përrenjas, ka qenë LSI që ka bashkuar votat me PD-në për të bllokuar kandidaturën e PS-së për sekretarin e këshillit. Përmeti është rasti i dytë që PS bashkon votat me PD-në, pas atij të Shkodrës, ku së bashku zgjodhën kandidaten demokrate, Greta Bradeli për kryetare të qarkut të Shkodrës, kundrejt Agustin Gjokës të LSI-së.
Halli i kryeministrit: Të humbasë PS, apo aleancën me LSI?
8 vjet ndenji në opozitë PS, sepse kryetari i partisë Edi Rama nuk pranoi të bashkëpunonte me LSI në zgjedhjet parlamentare. Edhe në pushtetin vendor, në 2007 Edi Rama fitoi si kryebashkiaku i Tiranës me ndihmën e LSI, mirëpo, sa fitoi, harroi premtimet. Në 2011 Edi Rama humbi si kandidat për kryebashkiak, pikërisht, sepse nuk ishte në koalicion me LSI. Në 2013, PS fitoi zgjedhjet parlamentare, vetëm e vetëm se u bashkua në koalicion me LSI. Në 2015, e Majta fitoi 43 bashki, vetëm e vetëm se PS bëri koalicion me LSI. Kryeministri Edi Rama është në hall. E kupton, që nuk ka më forcë që të pengojë tkurrjen e PS, humbjen e elektoratit socialist, që zhgënjehen përditë e më shumë, të cilët shkojnë te LSI. Për të penguar këtë tkurrje elektorale të PS, kryeministri përgatit prapaskena, që të godasë LSI në pushtetin vendor dhe fajin t’ua shkarkojë vendorëve, apo shumë-shumë, edhe ndonjë deputeti. Mirëpo, kjo lojë e dyfishtë e Edi Ramës, kundër LSI, po mahiset dhe ka rrezik t’i kthehet në gangrenë vetë PS.
Sigal