PR me kandidatë të saj në zgjedhje: Basha s’mbajti premtimin për Dukën

459
TIRANE – Pakënaqësia e shfaqur një ditë më parë nga kryetari i Partisë Republikane për procesin e negociatave me Partinë Demokratike e që lidhet kryesisht me kandidaturën që PR ka propozuar për Durrësin është reflektuar në mbledhjen e strukturave më të larta të PR. Gjatë kësaj mbledhje vetë zoti Agron Duka është shprehur se ka qenë kryetari i demokratëve ai që i ka kërkuar kandidimin për bashkinë e Durrësit si kandidatura më e mirë që mund t’i siguronte fitoren të djathtës në këtë bashki. 
Nënkryetari republikan Arian Madhi tha gjatë deklaratës për mediat se kryesia e PR ka vendosur që brenda 10 ditëve Asambleja Kombëtare do të vendosë mbi propozimet që ka kjo forcë politike për 61 bashkitë e vendit.
Zoti Madhi tha se PR ka një elektorat të qëndrueshëm dhe me rezultate pozitive në përballjet elektorale, e për këtë arsye nuk përjashtohet edhe mundëisa për të shkuar vetëm në këto zgjedhje.
Ndonëse Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e tryezës së aleatëve këtë të mërkurë në orën 17:00, zoti Madhi tha se republikanët ende nuk kanë një ftesë zyrtare, por i bëri thirrje PD-së të reflektojë mbi kërkesat e republikanëve për këtë proces zgjedhor. Sipas tij propozimet e Partisë Republikane i janë parashtruar dy herë PD por ende nuk kanë marrë një përgjigje për këto pretendime. 
Sigal