Pr/buxheti u miratua nen për nen në Komisionin e Ekonomisë, sot kalon në Kuvend

362
Sigal

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje  nen për nen projektbuxhetin e vitit 2014. P/buxheti i vitit 2014, pas miratimit nen për nen në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, do të kalojë sot për miratim në seancë plenare.

Komisioni gjatë seancës së sotme mori në shqyrtim raportet e komisioneve të tjera të Kuvendit, të cilat propozonin shtesë fondesh për disa institucione. Komisioni i Ekonomisë miratoi shtesë fondesh për disa institucione si Presidencës, 20 milionë lekë, Akademisë së Shkencave 8 milionë lekë, Radio Televizionit Shqiptar 8 milionë lekë, Prokurorisë së Përgjithshme 15 milionë, për Programin e Menaxhimit të Infrastrukturës së Kullimit dhe Ujitjes 100 milionë lekë, për ministrinë e Mjedisit për programin e Administrimit të Pyjeve rreth 440 milionë lekë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i kërkoi ministrisë së Financave që në buxhet të parashikohet fondi për ndërtimin e Unazës së Pogradecit, si dhe të zgjidhë problemet e projektit që ka Unaza e Madhe e Tiranës, në zonën e “Kristalit”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh optimist se situata ekonomike në vend gjatë vitit 2014, përmes një buxheti realist do të përmirësohet, duke u shprehur se me këtë buxhet Shqipëria do të ecë më shpejt.

Buxheti, sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, sjell realizëm, disiplinë të fortë fiskale dhe buxhetore, ndryshim mentaliteti në përdorimin e fondeve publike, përgjegjësi dhe transparencë. Ky buxhet, sipas ministrit Cani, ka rritje prej 14.5 % kundrejt atij të 2013-ës. Kuvendi miratoi në parim, pas një seance maratonë që zgjati më shumë se 25 orë, me 79 vota pro dhe 37 kundër projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014.

Buxheti për vitin 2014 është:

Të ardhurat 363. 966 milionë lekë;

Shpenzimet 455. 566 milionë lekë;

Deficiti 91 600 milionë lekë.