Pr/buxheti dhe taskat, Vasili: Prova e madhe që pret Ramën dhe kërkesat e LSI

440
Sigal

Pas mbledhjes së grupit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i këtij grupi, Petrit Vasili, theksoi edhe një herë idenë se kjo parti është kundër disa prej vendimeve të projektligjit të buxhetit dhe paketës fiskale.

Vasili tha se Rama dhe qeveria e tij duhet të tregohen më të dhembshur përballë popullit të varfër dhe jo ndaj oligarkëve që sipas tij, e ndihmuan PS-në në zgjedhje.

Kreu i grupit të LSI, tha se në seancën e së enjtes qeveria duhet të tregojë se anën e kujt mban.

“Kjo do të jetë seancë e rëndësishme për qëndrimin përfundimtar, për një ndarje në raportin e qeverisë në njërë anë, dhe opozitës në krahun tjetër.

Amendamentet e LSI-së që janë paraqitur që i shkojnë në ndihmë të mijëra njerëzve të varfër, është një ndarje se ku do vendoset përfundimisht kjo qeveri.

Është një qeveri mike e oligarkëve që e ndihmuan në zgjedhje, dhe armike e popullit të varfër.

LSI ka kërkuar TVSH-ja për ushqimet bazë të zbresë nga 20% në 5%. Këto artikuj të shportës janë artikuj bazikë për familjen shqiptare, ushqime pa të cilat populli shqiptar nuk bën dot.

Qeveria do të tregojë dhembshuri ndaj qytetarëve, apo do t’i dhunojë përfundimisht ata.

Do të vendosen në krahun e oligarkëve apo popullit të thjeshtë, nuk duhet të tregohen kaq të egër me ta.

Mijëra shqiptarë mbijetojnë falë bizneseve të vogla, por që në fakt janë mbijetese, me njerëz që duan të ushqehen e shkollojnë fëmijët e tyre, nuk mund t’i përballojnë taksat e reja që do t’i vendosen,” tha Vasili.