PPE, Basha: Nuk tërhiqemi nga zbardhja e çëshjes ÇEZ

437
Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka ngritur në takimin e PPE-së shqetësimin për inkriminimin e kuvendit dhe institucioneve vendimarrëse në Shqipëri. Por për ta çuar deri në fund betejen për dekriminalzimin , Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve të partive simotra të PD-së në PPE. Në një deklaratë nga Madridi, Basha tha se maxhoranca nuk ka vullnet për ta finalizuar këtë proces e këtë e tregoi me rastin e mandtatit të Mark Frrokut.
“Nuk ka njeri në Bashkimin Europian, në instancat vendimmarrëse që nuk e di, nuk e njeh problemin e madh që ka Shqipëria sot dhe që nuk i është bashkuar thirrjes tonë për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Për fat të keq qeveria, ajo që e shkaktoi këtë problem, Edi Rama dhe partneri i tij Ilir Meta vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë veprën e tyre, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është edhe rasti i fundit kur e refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë, siç refuzojnë një politikë të denjë dhe të pastër për qytetarët shqiptarë duke kandiduar persona me rekorde kriminale në zgjedhjet e fundit për kryetarë bashkish,” ka thënë Basha.
Shefi i opozitës, tha se PD-ja është e vendosur për të çuar deri në fund zbardhjen e marrëveshjes së CEZ që u kushton shqiptarëve 600 milion euro.
“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveç një hetimi të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare siç e kemi kërkuar me propozimin, ligjin që kemi çuar në Parlament, i cili po mbahet dhe nuk po votohet nga të njejtat persona që e ndaluan me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive, aferës së CEZ-it. Janë marrë 600 milionë euro, janë marrë pra një shumë e barabartë me gjithë fondin e pensioneve të Shqipërisë, janë zhdukur, janë vjedhur, janë ndarë. KLSH tashmë ka treguar edhe përmes dokumentave zyrtare edhe fajtorët e parë, personat e parë përgjegjës që janë ministri përkatës dhe zyra e Avokatit të Shtetit. Sigurisht urdhri ka qenë një urdhër politik, këtë e kemi kuptuar, këtë madje edhe e kanë pranuar. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje të opozitës për zbardhjen e kësaj afere korruptive”, është shprehur kreu i PD-së.
Një ditë më parë kryetari i KLSH-së iu drejtua me një letër kryetarit të kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentarë ku kërkon të zhvillojë një seancë dëgjimore në Kuvend si dhe të ngrihet një komision ad hoc për hetimin e marrëveshjes me CEZ.
Sigal