Postet e zv.ministrave dhe drejtorëve për aleatët

514
Sigal

Kryeministri Edi Rama bën ristrukturimin e   ministrive të LSI-së me kompetenca të …reduktuara

Edhe pse kritika ka qenë e madhe ndaj praktikave  që ndjek Kryeministri i zgjedhur Edi Rama, që të mbledhë kabinetin e tij qeveritar, edhe pse ende nuk e ka marrë mandatin nga Presidenti për të formuar qeverinë e re, edhe pse Kuvendi i ri nuk është mbledhur që të jap votëbesimin ndaj qeverisë së re që ka krijuar kryeministri i zgjedhur, por ende i pamandatuar, sot në Shkodër kemi mbledhjen e dytë të qeverisë “Rama 1”.

Miratimi i qeverisjes së 100 ditëve të para

Kjo mbledhje e dytë e kabinetit të Ramës, do të zhvillohet sot në Shkodër, duke zhvendosur kështu mbledhjen e kabinetit të tij nga Vlora në Shkodër. Kryeministri Rama u ka lënë detyra konkrete ministrave të vet, nga mbledhja e parë e zhvilluar para dhjetë ditëve në Vlorë, ndaj sot në Shkodër, ministrat e kabinetit të tij, do të prezantojnë konkretizimin e këtyre detyrave. Nga burime të mirinformuara, ministrat do t’i paraqesin Kryeministrit Edi Rama programin e ministrive përkatëse për 100 ditët e para të qeverisjes, të detajuar. Gjithashtu, ministrat e rinj do të prezantojnë edhe strukturën e ministrive të tyre, ku do të japin edhe emrat e rinj që do të drejtojnë në ministri. Këtu, nuk përjashtohet që ministrat t’i prezantojnë projekt-ide Kryeministrit, edhe për emra që do të jenë në postet e zv/ministrave dhe të drejtorëve të drejtorive, duke patur parasysh edhe bisedimet që janë zhvilluar me aleatët. Pasi kanë përcaktuar prioritetet e punës së tyre në çdo ministri, në një diskutim të hapur dyditor mes tyre, ministrat do të diskutojnë se cilat janë masat më të mira për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi etj. Të gjithë ministrat mësohet se kanë përfunduar ato porosi dhe problematika që kishin dalë në mbledhjen e 10 ditëve më parë të zhvilluar në Vlorë, duke i hedhur në një plan të detajuar pune.

Rikonstruktimi i ministrive të LSI-së me kompetenca të …reduktuara

Reforma qeveritare, nuk është shtrirë vetëm horizontalisht, në ristrukturimin e ministrive, por edhe vertikalisht, në reduktimin e kompetencave të disa ministrive, sidomos në ato ministri ku do të drejtohen ngaLSI-ja. Kështu, sipas burimeve të mirinformuara të “Telegraf”, mësojmë se, nga Ministria e Drejtësisë, ku do të jetë ministër Nasip Naço,  do të hiqen drejtoritë e Hipotekave dhe të Kthimit të Pronave, ndërsa nga ministria e Transportit, ku do të jetë Edmond Haxhinasto, do të hiqet Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t. Këto drejtori do të përqendrohen në një ent qendror, i cili do të veprojë brenda Kryeministrisë. Shumë herë Edi Rama, gjatë fushatës elektorale, ishte zotuar që problemet e kthimit të pronave dhe të ligjësimit do t’i ndiqte të gjitha vetë personalisht. Ndaj, reduktimi i këtyre drejtorive, të Hipotekës, të Kthimit të Pronave dhe të ALUIZNI-t,  nga ministritë e Drejtësisë dhe të Transportit, është një realitet. Por, parë nga një këndvështrim tjetër, heqja e këtyre drejtorive, të cilat janë shumë të rëndësishme, nga kompetencat e ministrive që do të drejtohen nga ministrat eLSI-së, mund të vlerësohet edhe si një reduktim kompetencave të ministrive që drejtohen ngaLSI-ja  që u bën Kryeministri  Edi Rama, duke përqendruar ato, në pushtetin e tij personal. Koha do të dëftojë, nëse reduktimi i kompetencave të ministrave tëLSI-së, do të mirëkuptohet, apo do të jetë shkaku i lindjes së pakënaqësive, i fërkimeve që mund të lindin, në bashkëqeverisjen PS-LSI.

Këtë javë, pritet takimi Rama-aleatë

Ministrat e rinj, do t’i paraqesin Kryeministrit Rama edhe strukturën e re të ministrive të tyre. Mirëpo, disa poste të rëndësishme, sikurse ato të zv/ministrave dhe të drejtorive të Përgjithshme, ende nuk janë ndarë. Rama mund të ketë rënë në dakortësi për ndarjen e shumë posteve të zv/ministrave dhe të drejtorive të përgjithshme, këto orientime u janë kaluar edhe ministrave përkatës, dhe nuk përjashtohet mundësia, që ata t’i paraqesin Ramës edhe emrat konkretë. Mirëpo, edhe aleatët, nga ana e tyre presin, që Rama t’u japë postet që u takon, në bazë të kontributit të gjithsecilit, por edhe të votave që kanë marrë.

Koordinatori Ndoja: “Do takohemi me Ramën, këtë javë”

Të kontaktuar nga “Telegraf”, Petro Koçi dhe Idajet Beqiri, dy kryetarë partie, aleatë të PS-së, pohuan se, nuk kanë biseduar me Kryeministrin Rama për të ndarë poste konkrete në qeverisjen e re. Ndërsa koordinatori i aleatëve me PS-së, Gjet Ndoj, i pyetur nga “Telegraf”, pohoi: “Me kryetarët aleatë jam takuar, më kanë dhënë secili kërkesat e tyre, që duhet të them se janë kërkesa reale. Por me Kryeministrin Rama do të takohem këtë javë, që t’i përcjellë propozimet e kryetarëve aleatë”.

Ja postet  qeveritare që pretendojnë aleatët

Siç pohoi  për “Telegraf”, edhe koordinatori i PS-së me aleatët, Gjet Ndoj, kryetarët e partive aleate i kanë dorëzuar atij kërkesat e tyre për postet qeveritare, që do të dëshironin dhe kjo listë do t’i dorëzohet Kryeministrit Edi Rama gjatë kësaj jave.

PDS-ja e Milos  mund të marrë postin e  zv/ministrit  të  Jashtëm,  Drejtorinë e Përgjithshme  të Postave dhe 4 drejtori rajonale.

PSD-ja e Gjinushit, mund të marrë postin e zv/ministrit të Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Dhe 4 drejtori rajonale.

PDK-ja e Mark Frokut, mund të marrë postin e zv/ministrit të Brendshëm, AKBN-në dhe 4 drejtori rajonale.

PSV ‘91 e Petro Koçit, mund të marrë zv/ministër i Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe 4 drejtori rajonale.

Gjergj Koja, mund të marrë QSUT-në ose ASHR-në e Tiranës dhe 2 drejtori rajonale.

Idajet Beqiri, Autoritetin e Kontrollit Ushqimor dhe 2 drejtori rajonale.

Në listë janë edhe disa parti të tjera aleate, që kanë një numër të konsiderueshëm votash, por me pak kontribut të deritanishëm opozitar, sikurse Partia Ardhmëria Shqiptare, Aleanca Popullore, PDIP-ja, AAK-ja, etj, të cilët mund të marrin poste të nivelit të tretë e rajonal në qeverisjen e Ramës