Populli të bëhet dorë e kushtetutës së tij dhe jo e partive

521
Sigal

Kujtim Drishti

Nevoja e grumbullimit  është Vënia e Gurit themeltar të Kushtetutës

Merrni e lexoni kushtetutën!

Ju ose do të qeshni me të madhe ose do të ulërini zemërimin tuaj gjatë leximit të shumicës së neneve të saj. E njëkohësisht ju do të habiteni që kjo Kushtetute është shkruar që në vitet e para ’90. Madje aty do të kuptoni, se të dy partitë  e kanë shkelur atë, Kushtetutën, me të dy këmbët.

Ky konstatim duhet të qetësojë popullin për të mos ndërmarrë veprime shkatërruese, por  për të filluar rezistencën paqësore demokratike,  për t’i treguar partive pjekurinë  e tij.

            Gracka që i është ngritur popullit është, pikërisht alternativa e zgjedhjes së njërës

            apo tjetrës parti kushtetues-shkelëse.

Forcat e huaja ndërkombëtare janë futur në zonën e  mosbesimit njëkohësisht. Popullin e kërcënon  diktatura ose njërës ose e tjetrës parti, për sa kohë që ato nuk merren vesh në këtë terren korrupsioni.

Merrni e lexoni kushtetutën!

Hyrja e saj,  në ballafaqim me realitetin  do t’ju shkaktoje të qeshurën ironike.

Neni i dytë do t’ju habisë me përcaktimin konciz:  “Sovraniteti  në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, por edhe do t’ju japë siguri dhe shpresë. Në qoftë se qenka kështu d.m.th., se ne nuk jemi Republikë Monarkike atëherë paskemi shpresë akoma…

Por tek pika e dytë, ju do të zhgënjeheni fort  kur në pjesën e parë të frazës thuhet shprehimisht: “Populli  e ushtron pushtetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij”, do të zhgënjeheni, sepse realiteti do t’ju tregojë se ata (politikanët aktualë) nuk janë më përfaqësuesit e popullit,  përderisa nuk janë në gjendje të mbrojnë kushtetutën me Gjykatën Kushtetuese, sepse gjykata Kushtetuese nuk funksionon. Sepse veprimet antikushtetuese po bëjnë një varg shumë të gjatë.

Por vazhdimi i frazës thotë  “ose drejtpërsëdrejti”.   Atëherë ju do të mendoni, cili është veprimi  më i drejtpërdrejt që të jetë njëkohësisht edhe kushtetues?  Cili është ligji i kushtetutës?

Neni 46 parashikon garancinë e tubimit paqësor  Por pika e tretë e këtij neni thotë:

Organizatat ose shoqatat që ndjekin qëllime antikushtetuese janë të ndaluara sipas ligjit.”

Po kur nuk ka një organ  që të përcaktojë se cili ligj ose veprim është kushtetues e cili jo?

  1. Këtu duhet të nisë edhe  kushtrimi i popullit,  pikërisht  për të kërkuar  Organin e tij që përcakton se cili është kushtetues e cili jo kushtetues.

Në kondita të tilla dyshimi bie mbi të gjithë forcat politike që kanë lejuar një  situatë, në të cilën KUSHTETUTA nuk ka organin e saj kryesor të kontrollit,

-as mbi Parlamentarët,

-as mbi pushtetin Ekzekutiv,

-as mbi pushtetin e Drejtësisë.

2.  Interesi i popullit është të mos shkatërrojë institucionin  por t’i vërë atij GURIN themeltar:  GJYKATËN KUSHTETUESE me paqe dhe urtësi  e dinjitet

3. Reagimi i popullit, kërkesa e popullit  duhet t’i drejtohet PARLAMENTIT e, nëpërmjet tij, Partive. Ajo parti që braktis luftën për  Vënien e Gurit themeltar të Kushtetutës  merr përgjegjësinë përpara popullit duke rrezikuar  ekzistencën e saj në sytë e tij.

4.  Populli duhet te lidhet me kushtetutën direkt, jo me partitë e, akoma më pak shefat e tyre.

Kushtetuta dhe gjykata Kushtetuese është çelësi kryesor për të zgjidhur vështirësitë  e tjera të situatës.

Ju mund të vazhdoni të lexoni të gjitha nenet, por gjithnjë  ju do të pyesni:  Po Kush  kontrollon kushtetuetshmërinë ose jokushtetuetshmërinë?

Parlamenti, në qoftë se nuk është në gjendje të zgjidhë këtë  objektiv:  

  • Atëherë parlamenti nuk meriton besimin e popullit;  
  • Atëherë popullit do t’i duhet ose t’i kërkojë llogari partive të tij ose të krijojë parti të tjera.

Vetëm një popull që mbron  kushtetutën e tij është një popull i denjë për të.