Pollo: Rama mbron dhunën ndaj medias dhe censorin e tij lokal ne Elbasan

454
Partia Demokratike me anë të një deklarate për mediat ka akuzuar kryeministrin Rama se po mbron censorin e saj lokal në Elbasan Qazim Sejdinin, duke mbrojtur në këtë mënyrë dhunën ndaj medias. Gjatë një konference, deputeti demokrat, Genc Pollo u shpreh se ky qëndrim i Edi Ramës është prova direkte me zë e figurë nga niveli më i lartë se në rang vendi me kapjen e rregullatorit AMA e ndarjen antiligjore te frekuencave numerike, me kërcënime e tatime.
“Kur denoncuam pardje censorin lokal të Elbasanit, Qazim Sejdinin, pasi video dëftoi shantazhimin e tij ndaj gazetarëve e mediave, thamë se prisnim reagimin e Kryeministrit. Thamë se një kryeministër normal evropian do e dënonte aktin, sidomos të vartësit partiak, e ndoshta mund ta tërhiqte nga gara. Thamë se besonim se Edi Rama, si përherë në kësi rastesh, do të bënte syrin qorr e veshin shurdh. Por u gabuam me të dy parashikimet pasi Rama as nuk qortoi satrapin lokal që ka ngulur në Elbasan dhe as nuk heshti që skandali të harrohej. 
Edi Rama, publikisht, me zë e figurë, e mori në mbrojtje Qazim Sejdinin, duke u dëshmuar sërish se është ai frymëzuesi i shantazhimit të medias dhe rreziku kryesor i lirisë së shprehjes. Ky qëndrim i Edi Ramës është prova direkte me zë e figurë nga niveli më i lartë se në rang vendi me kapjen e rregullatorit AMA e ndarjen antiligjore te frekuencave numerike, me kërcënime e tatime, me joshje e arrestime, me asfiksime e sekuestrime regjimi censurë Rama-Meta ka futur tashmë në vathë shumicën e mediave në këtë vend. A ka më njeri këtu që nuk e vëren instalimin në progres të putinizmit? I inkurajuar nga mbrojta e Edi Ramës, satrapi lokal i PS Qazim Sejdini, ustai i kulaçit e kërbaçit, po heton privatisht që të gjejë e të ndëshkojë se kush e nxori zbuluar. 
Në fakt ky është modeli i regjimit censurë Rama-Meta dhe Qazim Sejdini thjesht po ndjek me fanatizëm e kënaqësi stilin e shefave të tij. Ne përshëndesim dënimin e qartë e pa ekuivok ditën e djeshme ndaj aktit censurë të Qazim Sejdinit nga dy shoqatat e gazetarëve të Shqipërisë. Ne falenderojmë ambasadën e SHBA-së për dënimin ditën e djeshme të kërcënimit e intimidimit ndaj mediave e qëndrimin e ambasadës në mbrojtje të lirisë së medias. Partia Demokratike do të mbrojë lirinë e medias dhe të drejtat e çdo gazetari në ketë vend si një gur themeli të demokracisë tonë”, u shpreh Pollo.
Sigal