Politizohet protesta e artistëve, bashkia dhe qeveria nuk tërhiqen nga projektligji

560
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Tensione dhe përplasje në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Median, dështon dëgjesa për Teatrin Kombëtar

Komuniteti i artistëve vazhdojnë pa ndërprerje protestën e fuqishme të tyre kundër projekteve, që tashmë është konkretizuar edhe ne projektligj nga qeveria, për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit në sipërfaqen publike të kullave, ku midis hapësirave të këtyre kullave, do të jetë edhe salla e teatrit të ri.

Thelbi i konfliktit

Komuniteti i artistëve është që godina të restaurohet dhe të ruhet vlera e saj e trashëgimisë kulturore. Mund të ndërtohet si godinë e re, por me të njëjtën arkitekturë. Dhe, artistët nuk duan kurrsesi që në sipërfaqen e tokës, e cila është pronë publike, të ndërtohen kulla, ku si këmbim, ndërtuesit t’u japin artistëve, si këmbim të tokës që do të përvetësojnë, sipërfaqe për sallë teatri. Bashkia dhe qeveria, duan, që të shembin godinën dhe në gjithë sipërfaqen publike të ndërtojnë kulla dhe gjithë kjo të bëhet me PPP, domethënë, me koncesion, madje, me projektligjin, qeveria e ka përcaktuar edhe koncesionarin, pa pasur fare as procesi i tenderimit.

Politizimi

Opozita në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Median ka thirrur disa herë për interpelancë ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Dje, ministrja Kumbaro ishte e shoqëruar nga kryebashkiaku I Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë, që Komisioni parlamentar i kishte caktuar për dëgjesë kryebashkiakut Veliaj seancën e një dite të mëvonshme, domethënë, për sot. Prania e kryebashkiakut Veliaj shkaktoi tensione dhe përplasje, midis deputetëve të opozitës dhe vetë kryebashkiakut. Deputetët e opozitës refuzuan praninë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kërkuan me ngulm largimin e tij duke u shprehur se ishte ftuar vetëm ministrja e Kulturës. Ndërkohë që deputetët e shumicës thanë se zoti Veliaj gjendej aty me ftesë të tyre. Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi i kërkoi disa herë punonjësve të sigurisë së Parlamentit, largimin e zotit Veliaj, i cili nga ana e tij këmbëngulte se ishte ftuar nga anëtarët e shumicës së majtë. Kjo skenë e zhurmshme vazhdoi për minuta të tëra, për t’u rënduar më pas kur deputeti demokrat Flamur Noka shkoi pranë vendit ku ishte ulur zoti Veliaj, për ta ngritur me forcë nga karrigia. Deputetit Noka ju bashkuan dhe kolegë të tjerë demokrat të cilët, mes replikave verbale me zotin Veliaj, i hoqën atij mikrofonin. Kryebashkiaku u largua më pas, duke sfiduar deputetët demokratë, ndërsa para se të linte sallën disa herë përsëriti me zë të lartë: “Tirana, do fitojë”. Në dalje nga parlamenti kryebashkiaku Veliaj, tha për gazetarët se “ata nuk kanë dëshirë që dikush të flasë dhe të thotë të vërtetën. Dhe fakti që në një Komision, ku kanë vetëm 6 anëtarë, ata thërrasin 40 deputetë do të thotë se nuk duan të dëgjojnë të vërtetën. Dhe unë besoj se Teatri do të ketë të njëjtin fat, siç kanë pasur projektet e tjera madhore në kryeqytet”. Për kryetaren demokrate të Komisionit, Albana Vokshi, “prania e tij ishte e paligjshme dhe jo vetëm kjo, por të tentohej të uzurponte këtë mbledhje, të shkatërronte këtë mbledhje të Komisionit vetëm e vetëm që t’i hiqnin mundësinë që rregullorja dhe Kushtetuta ia ka dhënë opozitës, për të bërë transparencë, mbi këtë vjedhje shumë të madhe që po i bëhet, duke tjetërsuar pronën publike, për t’ia dhënë privatit, për përfitime personale marramendëse”. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi që të shkarkohet kryetarja e Komisionit Parlamentar: “ Ne jemi duke konsideruar mbi nenet dhe parashikimet e rregullores për të kërkuar shkarkimin e zonjës Vokshi. Ne kemi dhënë konsensusin tonë në kuadër të parashikimeve të frymës së rregullores për një ndarje sipas proporcionalitetit që mbajmë në parlament, ku 5 komisione i takojnë mazhorancës dhe 3 opozitës. Por drejtimi në këtë mënyrë i komisionit është i patolerueshëm” – deklaroi Balla. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Albana Vokshit. Ajo e konsideroi propozimin e Ballës absurd, ndërsa tha se nuk intimidohet dhe as impresionohet.