Në janar, pensione për minoritarët dhe homogjenët

Politika greke flet nga tribuna e kongresit të MEGA-s 



SYRIZA e Cipras: Do bëjmë maksimalen për mbështetjen e integrimit të Shqipërisë në BE

NEA Dhimokratia: Përpjekje maksimale për fqinjësi të mirë, nuk do mungojnë investimet. Nga Saranda 4500 minoritarë kanë aplikuar për ndihmë ekonomike. Në Janar fillon dhënia e saj.

Bezhani: Jemi akoma tek konceptimi nolian i 1922 për minoritetet

OMONIA, Leonidha Papa: Të bashkuar, kështu do përballojmë sfidat. OMONIA dhe MEGA së bashku për problemet e minoritetit

 

Ditën e shtunë të 12 nëntorit 2016 është mbajtur kongresi i dytë i partisë së minoritetit etnik grek në Shqipëri, MEGA. MRGA është forca e dytë politike që përfaqëson minoritetin etnik grek në Shqipëri krahas PBDNJ-it, por me një ndryshim nga kjo e dyta sepse MEGA mbledh rreth vetes vetëm anëtarë të pakicës minoritare greke, ndërsa PBDNJ-ja mbledh nga të gjitha etnitë, përfshi edhe shqiptarë që përfaqësojnë programin e sajë. Kongresi është mbajtur në qytetin e Sarandës, sepse MEGA është e vetmja forcë politike e spektrit të politikës shqiptare që ka selinë e sajë në qytetin e Sarandës. Përveç ritualit që mbart në vetvete një kongres partie, drejtuesit e MEGA-s kanë qenë të kujdesshëm që në ftesat e tyre të mos mungonin përfaqësues të spektrit politik majtas e djathtas si nga pala shqiptare , ashtu dhe ajo greke dhe nga të dyja palët nuk kanë munguar në pjesëmarrje dhe në përshëndetje nga tribuna e kongresit të MEGA-s. Nga PS-ja përshëndeti ministri Damian Gjiknuri dhe nga PD-ja Edi Paloka. Ajo që duam të nënvizojmë në këtë shkrim është fakti se politika greke, majtas e djathtas , i mëshoi fort deklaratës se në muajin janar të vitit të ardhshëm shteti grek do të fillojë të jap ndihmë ekonomike për minoritarët dhe homogjenët kudo që janë. Fillimisht kjo deklaratë ka ardhur nga përfaqësuesi i SYRYZA-s, forca politike qeverisëse e Greqisë, njëkohësisht edhe deputet i parlamentit grek nga kjo forcë politike, zotit Antonis Markopullos, madje i ndërprerë edhe nga një pensionist nga salla e kongresit për këtë çështje. Zoti Markopullos ka deklaruar se: “E mbështet idenë e kryetarit të përgjithshëm të “OMONIA-s” të shprehur në tribunën e këtij kongresi, se minoriteti etnik grek duhet të jetë i bashkuar dhe të ketë zërin e tij të pavarur. Vetëm kështu ai mund të luftojë dhe të fitojë të drejtat e tij sipas konventave ndërkombëtare që qeveria shqiptare është e detyruar dhe duhet t’’i respektojë.” 

Minoriteti, pikë lidhjeje mes dy vendeve

 

Minoriteti është një pikë lidhjeje e përbashkët qoftë për Greqinë, ashtu edhe me Shqipërinë, ndaj dhe qeveria shqiptare duhet të bëjë më shumë për të. Jemi dy popuj gjitonë që i duam të mirën njëri-tjetrit dhe kemi jetuar në miqësi, dy popujt më të vjetër të Ballkanit , madje edhe të dy popujt me fustanellë si shqiptarët edhe grekët. Duhet të ndalojmë ndërhyrjet ndërmjet dy vendeve dhe qeveria shqiptare të mos krijojë probleme me minoritetin grek. Ne i duam të mirën Shqipërisë dhe bëjmë gjithçka për ta ndihmuar e mbështetur anëtarësimin e saj në BE. Lidhur me ndihmën ekonomike që është ndërprerë këtu e disa vite më parë, janë bërë të gjitha procedurat, vetëm disa anë teknike kanë ngelur. Kemi kontaktuar me OGA-në dhe gjithçka nga ana ligjore është bërë gati dhe janë zgjidhur shumë probleme që lidhen me kriteret e dhënies së ndihmës ekonomike. Thjesht ngelen disa probleme të vogla teknike dhe OGA-ja ka marrë kërkesat e pensionistëve minoritarë, (por duhet sqaruar se kjo ndihmë nuk është vetëm për pensionistët minoritarë shqiptarë, por për të gjithë nënshtetasit grekë kudo që ndodhen). Për të gjithë grekët kudo ku janë. Ky deklarim i deputetit të partisë qeverisëse SYRYZA është mbështetur edhe nga deputeti i forcës kryesore opozitare të Greqisë, asaj të NEA Dhimokratias, Vasilis Jojakas, i cili deklaroi se: “Me shqiptarët jemi fqinj të mirë dhe unë, sa herë vij në Sarandë e ndjej veten si në shtëpinë time. Jemi gjendur në krahun tuaj gjithmonë si gjitonë, neve si Greqi, kemi ndihmuar me investime në rrugë siç është ajo e Qafë-Botës, e cila ndikon në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë dhe premtojmë, se do të bëjmë më të mirën për këtë vend. Uroj që të jemi të matur dhe të besojmë, se ngacmimet apo deklarimet ishin sporadike dhe të veçuara dhe se ato krijojnë një klimë jo të mirë të miqësisë sonë. Sa për ndihmën ekonomike për pensionistët minoritarë, kjo ndihmë nuk është vetëm për ata, po për shumë homogjenë të tjerë që janë në Greqi u them, se deri tani kanë aplikuar për këtë ndihmë mbi 4500 minoritarë nga n/prefektura e Sarandës”.

PBDNJ nuk merr pjesë

Ndërsa zonja Kostandina Bezhani, kryetare e komitetit të minoriteteve pranë kryeministrit shqiptar deklaroi: “Jam organ këshillimor pranë qeverisë shqiptare, por as qeveria e Nanos e as e Berishës nuk e vunë ujët në zjarr për minoritetin grek në Shqipëri. Kemi tre vjet që punojmë për ligjin për minoritetet dhe tani ai është në duart e Edi Ramës. Besojmë, se aty shprehen qartë interesat e minoritarëve në Shqipëri për të sanksionuar të drejtat e tyre që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare dhe kryeministri dhe qeveria e tij do ta respektojnë dhe ligjërojnë. S’kemi akoma konceptet, se çfarë janë minoritetet. Ngelemi akoma në formulimin e Nolit, të vitit 1922”. Ndërsa kryetari i përgjithshëm i OMONIA-s, Leonidha Papa ka deklaruar në përshëndetjen e tij: “MEGA lindi si një grupim opozitar brenda minoritetit dhe ishte një domosdoshmëri, se ishte një zë tjetër që do të mbronte të drejtat e këtij komuniteti. OMONIA-n dhe MEGA-n i bashkojnë të njëjtat shqetësime, të njëjtat dallime për sa i përket këtij komuniteti. Minoriteti duhet të jetë i bashkuar dhe i pavarur për të mbrojtur interesat e tij”. Në këtë kongres të partisë MEGA nuk ka marrë pjesë PBDNJ. 

Agron MEMA