“Politikanët tanë, integrimin e përdorin si dogmë propagandistike”

464
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Fatos Klosi, ish -kryetari i SHISH-it: “Akademia e Shkencave të Serbisë ka qenë kudhra e antishqiptarizmës serbe, e gabuar ftesa”

Ndoshta më shumë se kurrë, Shqipëria duket në një qorrsokak historik, si për ironi, edhe pse ndodhemi përpara jubileut shekullor të Pavarësisë tonë. Gjithë shqiptarët dëshirojnë dhe shpresojnë këtu e 22 vjet që të bëhen pjesë e Europës demokratike, e jo thjesht të jemi një shprehje gjeografike e saj. Mirëpo, politikanët tanë, duke bërë politikën e tyre dhe jo politikën në funksion të shërbimit të aspiratave të popullit, e kanë dhe e mbajnë  integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, peng. Prof. Fatos Klosi,  ish -kryetari i SHISH-it, në intervistën për “Telegraf” është i bindur se: “Politikanët tanë, integrimin e përdorin si dogmë propagandistike, pasi në BE, do ta kenë më të vështirë, që të tallen me popullin, si të duan”.  Ndërsa, për nismën e Kryeministrit, për rishikimin e Historisë, zoti Klosi dyshon në sinqeritetin, pasi historianët do ta shkruajnë më vonë, historinë krejt ndryshe nga mendësitë e Kryeministrit Berisha. Për ftesën e Akademisë sonë të Shkencave, ndaj asaj serbe, zoti Klosi thotë se, është e gabuar, pasi Akademia serbe ka qenë  kudhra e antishqiptarizmit serb. Për ngërçin e Qarkut të Fierit, zoti Klosi është i mendimit që PS-ja nuk duhet të tërhiqet, ndryshe, e ka humbur shpirtin e fituesit. Zoti Klosi, duke iu referuar akuzave të PS-së për shitjen e trojeve ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë se:  “Një nga shfaqet më të qarta dhe më prekëse të korrupsionit të qeveritarëve është ngutja për të privatizuar çdo pronë që ka mbetur akoma shtetërore”.

– Zoti Klosi, sa e sinqertë është nisma politike e Kryeministrit Berisha që të rishikohet e rishkruhet historia e Shqipërisë, pikërisht, e parë edhe në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë?

–  Unë kam kohë që nuk i besoj sinqeritetit të Kryeministrit, prandaj, dhe këtë herë, e quaj të pasinqertë këtë nismë. Nga ana tjetër, unë mendoj se Kryeministri nuk e ka tagrin, që të diskutojë se si duhet bërë historia e vendit, ai është “zgjedhur” në atë detyrë për të na qeverisur për ca kohë e jo për të na dhënë mend për historinë. Historinë do ta shkruajnë brezat e ardhshëm, me siguri, me mendësi shumë të ndryshme nga ajo e Kryeministrit tonë.

– Derisa me referendum, populli shqiptar e hodhi poshtë monarkinë, mos vallë vlerësimi i Ahmet Zogut mbi çdo personalitet tjetër historik, monumenti i tij në Tiranë, ceremonia e rivarrimit, pikërisht në 17 Nëntor, Ditën e Çlirimit të Kryeqytetit, është përpjekje politike në kundërshtim me vullnetin e popullit, e shprehur në Referendum?

– Vullneti i popullit shqiptar, në shumicën e momenteve përcaktues të historisë së tij, nuk është marrë parasysh. Sipas meje, për Ahmet Zogun akoma nuk është bërë një vlerësim objektiv dhe serioz, as më parë e as tani, prandaj, më duken ngutje me qëllime jo të mira, hosanatë që po i bëhen. Kryeministrit, me sa duket, i pëlqen precedenti që ai krijoi, duke u bërë “mbret i vetëshpallur”. Për ditën që ata kanë zgjedhur për të bërë ceremonitë, mbase është dhe rastësi, në qoftë se jo, e kanë gabim, se nuk e këmbejnë dot kujtimin për çlirimin e Tiranës me rivarrosjen e një ish- shtetari, që shumica e popullit nuk e mban as për të ndershëm e as për patriot.

– Çfarë domethënie, politike, historike ka nisma e Kryeministrit Berisha që të kremtojë 100 -vjetorin e Pavarësisë në 28 Nëntor në Tiranë dhe jo në Vlorë?

– Duhet pyetur Kryeministri, ne vetëm hamendje mund të bëjmë. Them se festimet do t’i meritonte Vlora, sepse me sa di unë, ajo qe e vetmja, që krijoi kushtet për t’u mbledhur patriotët, që shpallën Pavarësinë. Tirana dhe në përgjithësi Shqipëria e mesme (sigurisht jo e tëra), e tregoi qartë në tre vitet që pasuan, se  ç’mendonte për Pavarësinë. Mbase dhe të qënit socialiste e Bashkisë vlonjate, ka rolin e saj në këtë zgjedhje të qeveritarëve.

– A duhej Akademia e Shkencave që në 40- vjetorin e themelimit të saj, të ftonte Akademinë e Serbisë, duke shkaktuar mosardhjen e Akademisë së Kosovës?

– Akademia e Shkencave të Serbisë ka qenë kudhra e antishqiptarizmës serbe, prandaj në parim është e gabuar ftesa që i është bërë. Akademikët serbë kanë shumë borxhe ndaj nesh dhe ne nuk duhet “të hiqemi aq europianë” që ta harrojmë kaq kollaj këtë gjë. Nga ana tjetër, është e pafalshme, që në emër të “frymës së re evropiane”, a ku e di unë se çfarë, ta harrojmë qëndrimin që po mbajnë serbët ndaj Kosovës, në të gjitha aspektet. Të mbështetësh Kosovën, siç pretendojmë, nuk do të thotë, që në marrëdhëniet me serbët ta harrosh atë, aq më tepër, që tani as kufitarë nuk i kemi, sepse në mes nesh është Kosova.

– Duke qenë i përditshëm  apeli i faktorit ndërkombëtar për forcat politike, që të gjejnë mirëkuptim e bashkëpunim, për të përmbushur 3 kushtet e statusit, por PD-PS më shumë gërmojnë hendekun e ndarjes, a duhet të besojmë ne të tjerët, që klasa politike në Shqipëri është  e interesuar po kaq , sa shqiptarët, për integrimin e Shqipërisë?

– Më duket se jo, pjesa më e madhe e politikanëve e përdorin integrimin si dogmë propagandistike. Një pjese prej tyre integrimi as ju leverdis, se sigurisht, nuk do ta kenë kaq kollaj për t’u tallur me këtë popull, duke qenë më afër Europës.

– Është kuptuar politikisht  drejt nga opinioni ynë dhe faktori ndërkombëtar, çështja e Qarkut të Fierit?

– Këshilli i Qarkut të Fierit është një provë e gjallë e lojës politike të maxhorancës. Sigurisht, në çdo kompromis lëshohet diçka dhe në qoftë se i dhimbset integrimit kaq shumë sa thonë, mund t’ja kishte gjetur zgjidhjen, se kanë “zaptuar” kaq shumë, sa “ka të mbajnë dhe të lëshojnë”. Për opozitën problemi është fare ndryshe. Në qoftë se do të lëshojë dhe në Fier, do të thotë se nuk e kanë arritur shpirtin e fitimtarit, se nuk janë të përgatitur për të luftuar, se zgjedhjet e qershorit erdhën dhe ato do të jenë një luftë politike e paparë.

  – Mendoni se PS-ja duhet që të këmbëngulë deri në fund në qëndrimin e saj politik, apo për hir të integrimit, duhet të dëftojë vullnet për një kompromis?

– E thashë më lart, nuk duhet bërë asnjë lëshim. Integrimi nuk është qëllim në vetvete, ai na duhet për t’iu afruar Europës dhe Europës,vetëm i largohemi duke shtrembëruar vullnetin e popullit. Unë di që në Europë janë bashkuar popujt e jo politikanët e mbrapshtë.

– Ka një opinion, që Qarku i Fierit do të shërbejë si model, sesi mund të tjetërsohen votat  në 2013-n. Me përvojën tuaj, ka vend ky opinion?

– Edhe mbase. Por një gjë është e sigurt, për modele nuk vuan Kryeministri ynë.  Ai, që në zgjedhjet e  vitit 1992, kur ndoshta s’kishte dhe nevojë, ka bërë çdo gjë që mundi, për të fituar më shumë se ç’do merrte. Që atëherë, asnjëherë s’i ka reshtur sajimet dhe sofistikimet e pandershme, për të marrë atë që s’i takonte.

– KQZ-ja e re, punën e nisi nga rishpërndarja e mandateve të qarqeve, duke u bazuar- sipas publikimit- në saj të ndryshimeve të popullsisë. Duke u hequr 3 mandate, nga qarqe, që në bazë të 2009-s, kanë votuar në shumicë për PS-në, a mund të motivohet si parimësi, apo fshihen qëllime politike?

– Sigurisht,  maxhoranca e sotme është “vetë vali e vetë kadi”, atyre po nuk ju ndalet dora, do të bëjnë dhe plot çudira të tjera, para dhe pas zgjedhjeve. Më duket shumë çudi që kuksianët po kthehen në vendet e tyre e aq më pak që emigrantë nga  Berati të venë në Kukës.

– Greqia nuk e njeh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për zhvlerësimin e marrëveshjes detare. Reagimi zyrtar i Shqipërisë, nuk ka qenë i qartë. Sipas jush, përse?

–  E njohin, apo jo grekët Gjykatën tonë Kushtetuese, s’më duket e rëndësishme. Për mua, i rëndësishëm është qëndrimi i qeveritarëve tanë ndaj vendimeve të saj. Gjykata Kushtetuese, mendoj se, i ndihmoi qeveritarët tanë servilë (mbase është pak t’i quash të tillë), që të justifikoheshin para “shefave” të tyre, pse s’e dhanë dot atë që kishin premtuar. Në qoftë se dhe pas kësaj ndihme, ata janë të pazotët t’i përballojnë “shefat”, kjo do të thotë se ata kanë shkuar “shumë larg”, dhe, tani, duhet të mendohemi ne, e jo më ata.

– Mos vallë, akoma nuk është zbardhur marrëveshja dypalëshe dhe qeveria jonë ka pranuar kushte, për të cilat sot mund të jetë peng e politikës greke?

– Nuk marr dot me mend gjëra për të cilat nuk kam dëgjuar gjë dhe të cilat unë nuk do t’i bëja. Me sa kam dëgjuar, tani vonë, nga Ministri ynë i Jashtëm, nuk ka asnjë marrëveshje të re me grekët dhe unë dua t’i besoj atij.

– Ligji për përgjimin e e-mail, telefonave, sajteve elektronike, është lënë i hapur, Ku është rreziku?

–  Çdo gjë e hapur dhe e paqartë krijon terren për ata që nuk duan të japin llogari. Sidomos, në këtë fushë, ku joshja është e madhe, paqartësia sikur e stimulon shkeljen e vetë ligjit.

 – Dhe  ky përgjim i detajuar, i shërben në të vërtetë Sigurisë Kombëtare, apo bëhet për qëllime të tjera?

– Kjo varet nga ata që e zbatojnë ligjin. Ne, në përgjithësi,  nuk kemi vuajtur nga ligjet, kemi vuajtur nga moszbatimi apo zbatimi i mbrapsht i tyre.

– A duhen bërë përgjimet pa lejen e gjykatave? A mundet të mjaftojë vetëm leja e Prokurorisë?

 – Lejet e në gjykatë duhet të kërkohen, kur mendohet se përgjimet do të shërbejnë si prova, “nesër”, në gjykatë. Përgjimet për qëllime operative mund të mjaftohen me lejen e Prokurorit. Por kjo duhet bërë vërtet, në mënyrë që institucioni që përgjon, të jetë në një farë mënyre i kontrolluar nga një institucion tjetër dhe të mos e ketë të lehtë të bëjë ç’të dojë. Natyrisht, në një shtet autarqik, ku të gjithë institucionet komandohen nga një dorë, ligji në këtë aspekt e humbet fuqinë e tij në mbrojtjen e parimeve të demokracisë, se, “s’janë më” garantët e mos shkeljes së ligjit.

– Rrëzimi nga Kuvendi i kërkesës së deputetëve të PS-së, për ngritjen e grupit hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes,  pas bllokimit të mbikëqyrjes të Ministrisë së Mbrojtjes nga Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare, a është kushtetues?

– Është absurde sjellja e maxhorancës në këtë rast. Pranimi i kontrollit civil, në ushtritë e NATO-s, është një parim themelor i demokracisë. Me sa duket, NATO-ja “na ka parë e s’e kemi parë”. Nuk e di si e kanë kapërdirë këtë fakt aleatët tanë. Sa për Kushtetutën, ajo kujtohet nga qeveritarët sa herë që ju duhet atyre dhe harrohet kur nuk u leverdis.

– Dhe sa ndihmon në përmirësimin e klimës të rritjes së transparencës dhe luftës kundër korrupsionit ky mohim nga PD-ja?

– Nuk besoj se problemi lidhet më fort me korrupsionin, se sa me demokracinë në këtë vend, pra është një problem parimor për demokracinë e që mbase  u kalua pa këmbënguljen e duhur dhe nga opozita.

– A ka transparencë dhe a shkelet ligji në shitjen e objekteve dhe trojeve të ushtrisë tonë?

– Një nga shfaqjet më të qarta dhe më prekëse të korrupsionit të qeveritarëve është ngutja për të privatizuar çdo pronë që ka mbetur akoma shtetërore. Pasuria e këtij populli, e vënë me aq mund e djersë, po shkrihet si kripa në ujë. Pronat e ushtrisë janë një pjesë e kësaj prone shtetërore apo publike, po që ka një veçori të vetën. Janë kryesisht troje, shpesh dhe në vende të pëlqyera, që do të bien në dorë të horrave, pa u marrë vesh fare. Transparencë nuk ka në privatizimet strategjike e jo më të ketë në privatizimet e ushtrisë, që tanimë është bërë dhe e pakontrollueshme.

– Kohët e fundit, në strukturat e PS-së nëpër bashki e komuna, vërehet një tendencë e diktimit të emërimeve, duke mos zbatuar parimin ” 1 anëtar, një votë”. Kjo ka ngjallur edhe reagime, konflikte të brendshme partiake.  Këto ngjarje, a nuk dëmtojnë imazhin demokratik të PS-së?

– Unë nuk kam qenë aktiv brenda PS-së, prandaj nuk e di sa të vërteta janë informacionet për tendenca të tilla. Ndodh shpesh që, njerëz të pakënaqur nga mos realizimi i planeve, apo dëshirave të tyre, ankohen, edhe për mungesë të demokracisë. Por, në qoftë se parime të shpallura, që lidhen me demokracinë e brendshme, nuk zbatohen, më mirë të mos ishin shpallur.

– Ju faleminderit!