Politikanët përbaltin njëri-tjetrin për inkriminim, por janë kundër ligjit për “Pastërtinë e Figurave”

460
Sigal

Të Majtët e të Djathtët akuza nëri-tjetrit për deputetë e funksionarë të përfshirë në klane kriminale. Projektligji për pastërtinë e figurave, prej një viti ‘fle’ në Parlament

Teksa akuzat e ndërsjella të politikanëve e shtetarëve të lartë shqiptarë si ‘spiunë sigurimi’, ‘të inkriminuar si pjesëtarë apo drejtues bandash kriminale’ vazhdojnë për gati një dekadë e gjysmë, teksa partnerët Euro-Atlantikë kërkojnë vazhdimisht të inkriminuarit nga politika e strukturat më të larta të shtetit, është një fakt skandaloz që nxjerrë zbuluar falsifitetin, demagogjinë dhe përfitimet e klaneve të dy krahëve të politikës shqiptare që vijnë direkt apo indirekt nga aktiviteti kriminal apo dobësia e qëllimshme e shtetit: Projekt-Ligji për “Pastërtinë e figurave”, i paraqitur në Parlament para më shumë se një viti, por që ka zënë pluhur në sirtarët e tij!

Thjeshtë dhe shkurt: Ky projektligj, nëse do të ishte miratuar apo miratohet (gjë që ka pak gjasa të ndodhë), do të vinte në siklet shumë nga liderët e politikës e shtetarët shqiptarë që e kanë mbajtur dhe po e mbajnë peng Shqipërinë, i kanë vënë ‘postbllokun’ e bashkimit me Europën. Nëse nuk do i çonte para drejtësisë politikanë dhe shtetarë të inkriminuar, minimalisht, nuk do ishin më në politikë e funksione drejtuese, nuk do të vazhdonin të mbanin më peng Shqipërinë dhe shqiptarët. Pothuaj në çdo mbledhje Parlamenti, deri dhe në media, shumë deputetë dhe ish-ministra e ministra, me emra, janë akuzuar si ‘bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit’, si ‘njerëz të lidhur me bandat’, etj.. Dhe në mbledhjen e djeshme të Parlamentit u hodhën akuza kundër disa drejtuesve të lartë të policisë apo në sektorë të tjerë të rëndësishëm të emëruar nga e majta “si persona me figurë jo të pastër”, që vihen në funksione për përfitime personale në rrugë kriminale nga qeveria aktuale. Po dje, kur opozita ishte në pushtet përse nuk e miratoi Projekt-Ligjin për “Pastërtinë e figurave”?. Sigurisht, nuk i interesonte atëherë dhe sot, ashtu si dhe të majtës. Ndërkohë, përtej demagogjisë së deputetëve, ministrave e kryeministrave (dje dhe sot), pasojat i vuajnë qytetarët. Pasiguria, krimi, korrupsioni, varfëria ekstreme, u ka vështirësuar jetën si asnjëherë më parë. Për Fatos Klosin, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, me dosjet jemi të vonuar, duhet aplikuar hapja sipas modelit gjerman që të dihen bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe aktiviteti i tyre.

Projektligji

Po çfarë përcaktonte në esencë projektligji për Pastërtinë e Figurave”, dorëzuar para një viti në Parlament, por që nuk duan ta miratojnë politikanët tanë të të dy krahëve. Në këtë projektligj, pasi u cilësohet se, “objekti i këtij ligji është përcaktimi i funksioneve shtetërore, mbajtja e të cilave është e papajtueshme, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën e tij, për shkak të qenies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit apo të ish-Sigurimit të Shtetit”, jepen dhe kategoritë e funksionarëve, për të cilët, detyrimisht duhet bërë verifikimi zyrtar i figurave. “Subjekte të verifikimit sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë; ministrat, zëvendësit, sekretarët e drejtorët e drejtorive; anëtarët e KLD-së e gjyqtarët; Guvernatorët, zëvendësit e drejtorët; gjeneralë e kolonelë; anëtarët e Këshillave në qark e bashki; prefektë e kryevendorë; funksionarë të SHISH-it, SHIU-t e SHKB-së; ambasadorë, zëvendës e sekretar ambasadash, drejtues, kryeredaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 1000 kopje në ditë; drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë dhe shefa policie në nivel qarku si dhe në nivel komisariati; Drejtori i Përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Radios, drejtori dhe zëvendësdrejtori i Televizionit dhe drejtorët e departamenteve në Radiotelevizionin Publik Shqiptar; drejtori, zëvendësdrejtori dhe drejtorët e departamenteve në ATSH, si dhe anëtarët e KKRT-së dhe  këshillave drejtues të mediave publike; rektorë, zëvendës rektorë, dekanë të universiteteve shtetërore publike dhe private si dhe drejtorët e shkollave të mesme publike dhe private.

Përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Njëkohësisht dhe çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë apo i zgjedhur nga Kuvendi”,- kërkohet në Projektligj.

Paradoksi shqiptar

Çfarë do të sillte hapja e dosjeve të Sigurimit sot si dhe miratimi i ligjit për pastërtinë e figurave. Ish-kreu i SHISH-it thotë se, tani pas 25 vitesh, hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve, nuk do të kishte ndonjë impakt të madh, por duhet të dihen bashkëpunëtorët dhe aktiviteti i tyre, e për këtë duhet aplikuar modeli gjerman. Ndërsa ligji për pastërtinë e figurave, mendohet që është i domosdoshëm. Por “thembra e Akilit” janë politikanë që kanë drejtuar vendin në këtë çerek shekulli. Ata, për interesa të tyre nuk e miratojnë këtë ligj, pasi nuk mund të mbajnë pranë të inkriminuarit, t’i emërojnë (detyrojnë dhe me presionin e dosjes) që të kryejnë shërbime apo aktivitet antiligjor me qëllim përfitimi. Nëse ky ligj do të ishte miratuar, minimalisht dhe atëherë kur u dorëzua në Parlament, sot nuk do të kishte akuza të opozitës “për emërime të inkriminuarish e trafikantësh në polici e institucione të tjera”, pasi aktiviteti i tyre i kompromentuar, do të ishte njohur zyrtarisht dhe askush nuk do të guxonte të bënte emërime të tilla.  Por politikës shqiptarë, nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson një gjë e tillë, ndaj po mbajnë peng ligjet, zbatimin e tyre, duke bllokuar afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë e shqiptarëve me familjen europiane.