Politikanët e tranzicionit kanë dështuar

485
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi botoi një letër të hapur për të gjithë socialistët, duke treguar arsyet pse ai duhet të flasë dhe të thotë të vërtetat që e shqetësojnë nga qeverisja e të Majtës. Përmes disa pyetjeve drejtuar çdo socialisti, Blushi shprehet se qeveria në rrugën e saj është e mbushur me padrejtësi, të cilat i etiketon si reforma. 
Disa nga pyetjet që shtron Ben Blushi:
A e di se qysh se kemi ardhur në pushtet, në Partinë Socialiste nuk ka më zgjedhje?
A e di se çdo vendim që merret në Partinë Socialiste, nuk është më kolegjial, por vetëm personal?
A di se ne erdhëm në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune?
A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7 për qind?
A e di se Shqipëria po zvogëlohet?
A e di se vetëm gjatë vitit të kaluar nga Shqipëria kanë ikur 46 mijë shqiptarë?
A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme, e cila ende nuk i ka bërë thirrje kujt të mos largohet nga Shqipëria, por me pabesi thotë se fajin për eksodin e kanë qeveritë e Europës, që marrin emigrantë për të përballuar nevojat e tregut të tyre të punës?
A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një popull të vogël, sesa braktisja dhe emigracioni?
A e di se asnjë pushtim nuk na ka bërë më shumë dëm se ky mjerim?
A e di se ne fituam zgjedhjet duke thënë se do ta ulim çmimin e energjisë elektrike?
A e di se sot çmimi i energjisë është rritur për shumicën e shqiptarëve?
A e di se sa shqiptarë të varfër janë terrorizuar, janë burgosur për shkak të faturave të papaguara?
A e di se në Parlament po votohet një ligj që parashikon t’i sekuestrohet shtëpia atij që nuk ka paguar energjinë elektrike?
A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal?
A e di se duan ta votojmë këtë padrejtësi që quhet reformë?
A e di që sot në Shqipëri nuk lejohet të ndërtosh?
A e di se ne premtuam që do ta ulim borxhin publik?
A e di se në 2 vjet kemi marrë 1 miliard dollarë borxh?
A e di se borxhi ishte rreth 6 miliardë dollarë kur ne erdhëm në pushtet dhe sot është më shumë se 7 miliardë?
A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale është reduktuar me 30 për qind?
A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi?
A e di se këto kursime kanë shkuar për të trukuar fytyrën në mënyrë që të gënjejnë pasqyrën?
A e di që premtuam shëndetësinë falas?
A e di se sa është shtrenjtuar kostoja e shëndetit?
A e di se shqiptaret mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur?
A e di se po të jesh deputet, mund t’i kalosh policisë me një trafikant në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të presin sa ta paguash faturën minimale se përfundon në burg?
A ke parë ndonjë të pasur në burgjet tona?
A e di se dhe administratat e burgjeve po ndahen mes partive në koalicion?
A e kupton atëherë pse flas?
A mendon akoma se është më mirë të mos flas?
A beson se dëmtoj më shumë kur hesht apo kur flas?
A e kupton tani kush i bën më shumë dëm Shqipërisë?
Fytyra apo pasqyra?
Reagojnë në gazetën “Telegraf”
Sigal

Taulant Dedja: Nëse Beni do kish folur me këtë gjuhë qysh më 2007, socialistët do kishin paguar shumë më pak kosto e shumë gjëra do të rridhnin ndryshe

Politika nuk duhet te konceptohet me si luftw llogoresh tw ndara, por si arenw dialogu. Kur lexova letrën e hapur të Ben Blushit m’u kujtua një shprehje e Budës: “Tre gjëra nuk mund të fshihen për një kohë të gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta”. Nëse Beni do kish folur me këtë gjuhë qysh më 2007, socialistët do kishin paguar shumë më pak kosto e shumë gjëra do të rridhnin ndryshe, por … Megjithatë më mirë vonë se kurrë! Me sa duket Beni vendosi më në fund “të ecë vetë” … Të shohim vazhdimin ….Është hera e parë që po prononcohem për politikën në atdhe pas 8 vitesh dhe merita është e Blushit, cilësitë e të cilit gjithmonë i kam admiruar përveç faktit që ka preferuar gabimisht të “luajë” vetëm. Në politikë luhet me skuadër! Ka patur një kohë kur PS ishte shembull demokracie të brendshme dhe kur gjërat thuheshin hapur e nuk “priteshin” koka. Njerëzit mund të kenë opinione të kundërta për Nanon dhe i respektoj, por kjo kohë ka qenë kur ai ishte kryetar…. Nëse të gjitha partitë do ta aplikojnë atë frymë, edhe demokracia shqiptare do marrë frymë lirisht. Numërohen me gishta në atë Kuvend njerëzit që kanë peshën intelektuale të Ben Blushit. Nëse Rama është ai njeri inteligjent që njoh unë, tani ka shansin të hapë një dialog të brendshëm e të bashkojë vlerat e PS. Nuk është asnjëherë vonë për të ndryshuar stilin e drejtimit. I bëhet mirë PS, i bëhet mirë qeverisjes, por mbi të gjitha i bëhet mirë Shqipërisë. Dhe aftësia e një lideri duket kur është në gjendje të bashkojë të gjithë! E respektoj mendimin e gjithsecilit se jetojmë në shoqëri të hapur. Si socialist i vjetër që jam, Blushi ka marrë vota shumë kohë përpara se të shfaqej “Rilindja” dhe për të thënë tw vërteta nuk është vonë asnjëherë. Kujtoj madje që në vitin 2005, Edi Rama ka bërë fushatë personale vetëm në favor të dy kandidatëve për deputetw, Ben Blushit dhe Taulant Dedjes. Demokracia është lëvizje, jo kënetë.
Partizan Myftari: E mira është që Blushi foli
E mira është që Blushi foli. Edhe sikur Blushi t’i ketë të gjitha gabim (unë kam rezervat e mia per lëvizjet e tij politike në kohë e në hapwsirë) e mira është që foli. Partitw politike janë shndërruar periodikisht në copëra sterile nga pikwpamja fuksionit moral – filozofik. Kanë mbytur e bllokuar në mënyrë kostante vlerat e lirisë individuale brenda grupimit dhe këtë sjellje pa formë dhe etikw fuksionale midis një realiteti social dhe një grupim realiteti juridik e kanë përdhunuar prej kohësh. Kur institucionet juridike të një shteti, nuk kanë një shtyllë frymore, morale, sociale, legjislacioni është thjesht një kufomë ose një pasqyrë e thyer ku të shfaqen dy fytyra të vdekura. Të ndodhura ekzistencialisht në këtë formë trukimet apo reformat nuk do të arrihen kurrë. Dekompozimi i këtij shtrati, i të gjitha partive e përcjell si një kufomë edhe në pushtet, në këtë formë, do të mundohen të formulojnë programe politike, të shkruajnë me mijëra e mijëra norma juridike të intepretimit të përgjithshëm e atij konkret; por thelbi është se formulimet gjuhësore e teknike bëhen gjithmonë nga imoralët. Edhe në këto raste mundohet formatisimi i lodhshëm normativ pa obligacione morale. Shqetësimi i tij është një e vërtetë e hidhur që Rama duhej ta kishte ndarë prej kohësh brenda partisë së vet të cilën artificialisht e ka shmangur apo shndërruar në një grup koktejesh. Kjo plagë fshihet prej kohësh dhe ka hyrë si frymë malarje edhe në institucione publike duke filluar nga Parlamenti (ku me përjashtime të rralla) ku deputetët kanë qenë e janë mediokër dhe pwr shkak të kësaj mungese filozofike e politike është quajtur më shpesh jo parlamenti i burrave por hani i horrave. Edhe në këtë rast, Blushi klithi, e bëri mirë që klithi në një nga hanet shqiptare.
Petrit Vargu, mjek: Mënyra si i thotë Blushi problemet janë frytdhënëse
Në lidhje me reagimin e Blushit. Ju tregoj që francezet janë njerëzit që shpikwn të parët deodorantin dhe a e dini pse? Ata nuk kishin kulturën e vendosjes së shumicës në kështjella, kështu që kur fisnikwve ju vinte për të dalë jashtë përnjëherë merrnin oturakun dhe mundoheshin ta mbulonin erën e keqe me erën e deodorantit. Më vonë panë që mënyra që përdornin turqit duke vendosur shumë banjo edhe duke i pastruar, ishte shumë frutdhënëse dhe shumë më estetike. Francezët vendosën banjot, duke modifikuar haletë turke dhe duke bërë hale alla frenga. Mendoj se dhe mënyra që ka zgjedhur Blushi për të thënë problemet se si janë dhe për të mos tentuar t’i mbulojnë ato me propagandë boshe është mw frytdhënëse dhe reale për popullin shqiptare. Big Up për Blushin, megjithëse nuk më pëlqen si politikan dhe jam thellësisht me dhe për të mirën e PS-së. Thelbi nuk është fisniku, por Blushi. Dua mundësisht të flasim për probleme dhe jo për persona të veçantë për situatën, sepse nuk e nderojnë veten ata që bëjnë sehir dhe shohin interesat e tyre. Mos harro që unë Edin e kam shok, paçka se më ka tradhtuar thellësisht.
Mevlan Shanaj: Politikanët e tranzicionit kanë dështuar
Në sistemin demokratik alternativa e mendimit, konkurenca e prodhimit dhe barazia ligjore janë të shenjta. Në Shqipëri i shenjtë është vetwm pushteti dhe i pa ndryshuar abuzimi me të. Unë nuk kam përvoja partiake që të rreshtohem nëpër llogore. Duhen pyetur studentet e mi si e shikojnë ata të ardhmen e Shqipërisë. Ne të tranzicionit kemi dështuar!
Shenasi Rama: Lufta është brenda PS për të sunduar PS
PS-ja është në krizë të thellë. Nga një anë, është Edi Rama dhe mbështetësit e tij, nga ana ana tjetër janë figurat politike që janë rritur brenda PS-së dhe janë integrale të PS-së dhe që janë rreshtuar mbas Blushit dhe në mes është Gramoz Ruçi me klanin e vet. Gjasat janë që kjo do të jetë një përplasje, nga e cila do të dalin humbës dhe fitues dhe ai që fiton e kontrollon PS-në dhe ai që humbet përfundon me njw parti të re. Blushi e ndjen se PS ka dështuar tërësisht e totalisht, dhe shumë nga arsyet pse ka dështuar janë të rreshtuara ne letrën e tij drejtuar secilit socialist “A e dini se…”. Tani lufta politike dihet se si do të zhvillohet. Do të pritet sa të dorëhiqet Erion Veliaj nga posti i ministrit dhe me teknika të njohura, do ta lënë që të konsumohet e diskreditohet në media, jo vetwm ai, por edhe Edi Rama, që e ka vënë të gjithë kapitalin politik në këtë lojë për Erionin. Veliaj ka hyrë vetë në lojën politike, por tani është edhe më i lidhur me Ramën dhe një fitore e tij do të thotë konsolidim i pushtetit të Ramës dhe i fitores së G-99, që kështu merr edhe PS-në. Nga ana tjetër, kundërshtari i vënë me mirëkuptim, Prof. Dr. Halim Kosova është i të gjithëve dhe lehtësisht bëhet i të gjithëve, sepse që në fillim ka qënë i të gjithëve. Blushi duket se është i bindur se përplasja me Ramën është e paevitueshme, sepse përndryshe humbet gjithçka nga PS që ai dhe klanet që ata përfaqësojnë kanë planifikuar ta kontrollojnë edhe në të ardhmen si instrument të tyre politik. Prandaj, në vazhdim të rrugës së tij, Blushi do të vazhdojë punojë kundër Ramës. Humbja e Veliajt dhe e Tiranës është parakusht i fortë për fitoren e klaneve që përfaqëson Blushi në politikë. Humbja e votave në Tiranë dhe në nivel kombëtar është një argument i fortë për të vazhduar luftën kundër Ramës. Lufta do të zhvillohet si gjithnjë në media. Lufta do të zhvillohet në bazë të statutit në kryesinë e PS-së dhe në organizmat e zgjedhura. Lufta do të zhvillohet me bazën socialiste, ku edhe është mbështetja e fortë e kësaj strukture. Tani në media, si duken bathët, dikush ka interes që të zhvlerësohen mbështetësit e Ramës. Në bazën socialiste ka kaq zhgënjim sa Blushi e di se ka mbështetje, ashtu si ka edhe në figurat e partisë dhe në klanet që janë në rrënjë të asaj strukture. Tani shumë gjëra varen nga garanti i Ramës, që çuditërisht sillet si shumë i frikësuar, ai që u pat përkufizuar si “qafa e partisë” Gramoz Ruçi. Mirëpo ka klane e struktura, si brenda dhe jashtë PS-së, që kanë shumë fuqi dhe që do të përcaktojnë se si shkon kjo lojë dhe që Ruçi i ka lënë në baltë. Kështu që kjo luftë që do të zhvillohet gjatë këtyre zgjedhjeve është e tillë që nuk do të ketë mëshirë për njeri. Nuk ka rëndësi kush fiton në shtator e tetor, por ajo që po ndodh është vazhdimi i krimit të parisë së Tiranës, që punon pa kushte kundër shqiptarëve e interesave të tyre dhe që lufton vetëm për interesat e veta të ngushta.
Astrit Çerma: Blushi t’i thotë gjërat më “trashë”, se njerëzit nuk kanë ngënë të reagojnë gjatë
Për mendimin tim, Blushi “e ka shkoqitur shumë” problemin. E ka shkoqitur aq shumë dhe aq hollë, sa…i mbeten vetëm “thërrime”…Në këtë “zallamahi” të kësi vorbulle, që po jetohet gjërat, duhen thënë “më trashë dhe më shkurt thjesht, sepse njerëzit nuk kanë ‘ngenë’ te ‘arësyetojnë’ e të reagojnë gjatë”…Kjo vetëm kjo…Të tjerat …qëndrojnë…Për mendimin tim “kjo farë rezolute” e Blushit duhet të shkoqitet pas zgjedhjeve…Nëse, me këto “100 pikave” (seç më kujton Mao Ce Dunin) do merren në këtë kohë socialistët, qoftë lart e qoftë poshtë, do të humbin shumë…Humbja do të jetë një fitore e “një humbjejë” tjetër që është me katastrofike..
Anika Dokle: Është koha për refleksion, por këtë nuk mund ta bëjnë milionerët
Ben Blushi ka një vlerë të madhe, në këndvwshtrimin tim. Ai bëri që plot socialistë të thjeshtë të ndihen të përfaqësuar (përfaqësim ky i munguar këto dy vjet). Dhe si një zë i fuqishëm brenda të Majtës nuk duhet konsideruar si ai që braktis shokët në mes të betejës. Duhet konsideruar si zëdhënës i atyre që politika e të djathtëve brenda PS braktisi prej dy vjetësh, sidomos njerëzit e punës. I gjithë ky debat do të tingëllonte i natyrshëm në një parti me demokraci të brendshme. Kjo duhet të ishte kohë për refleksion dhe jo diversion, të cilin natyrshëm nuk mund ta bëjnë milionerët brenda të majtës. E kënaqur, sepse ndihem e përfaqesuar!
Tritan Kalo: Të dënohen (penalisht) politikanëbërësit e politikanëzbaruesit shpresëvrasës të Kombit 
Të mosfolurit na quhet Indiferentizwm, të folurit u quajtkërka Braktisje e shokëve në mes të betejes”, në mos më keq “tradhëtimi i tyre”, nga t’ia mbaj i ziu njeri: të flas apo të mos flas??!! Rikthimi pas 600 vitesh në thelbin e eksistencializmit shekspirian: “To be or not to be”, është mëse drithëruese, është shpresëvrasëse dhe vrasësit e shpresës së një kombi, për mua duhen dënuar edhe penalisht, pse jo të rishihet Kodi ynë Penal për këtë krim e të konsiderohet ai si një krim ndaj njerzimit…A janë në metro vallë keta politikëbërësit dhe politikëzbatuesit tanë të këtyre viteve shpresëzhbërësë të “zvaracionit demokratik”!!!

Idajet Beqiri: Shoh nxitim dhe papjekuri, për të mos thënë dashakeqësi në kritikat e Blushit
Ben Blushi është në të drejtën e tij si deputet i PS-së të thotë çka mendon dhe çfarë vlerëson si mangësi të qeverisjes aktuale. Pritshmëria e shqiptarëve prej mazhorancës aktuale ishte dhe ende është shumë e madhe. Mirëpo në disa aspekte, ndryshimet në sensin pozitiv ende nuk po duken. Askush nuk e kishte shkuar nëpër mend se edhe pas afro dy vjetësh të fitores bindëse të sw Majtws mbi rrënimin total të vendit dhe të shtetit prej rrënuesit famëkeq Berisha, sistemi i drejtësisë në përgjithësi dhe ai gjyqësor në veçanti, do të ishte i njejtë, si e la rrënuesi. Apo Agjencia e Kthimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Doganat, një pjesë e konsiderueshme e administratës publike etj, do të mbeteshin në parametrat e mediokritetit, të pacipërisë dhe të vazhdimësisë së rrënimit, ku i la Berisha me politikën e tij të mbrapshta antishqiptare. Por nuk duhen mohuar shumë reforma të thella, europiane dhe të mirëpritura prej qeverisë Rama. Nuk duhet të harrojmë se nga e nisi qeveria Rama, në çfarë gjendje katastrofale u mor në dorëzim Shqipëria, në cilën humnerë të pashpresë ishim hedhur prej Berishës, prej së cilës duhet të ringriheshim. Katastrofa që përjetuam në mandatet e qeverisjes Berisha ishte aq e madhe dhe aq e thellë, sa do të ishte dashakeqe, ose naive të pretendohej reformimi dhe ngritja në këmbë për 18 muaj! Në këtë aspekt shoh nxitim, shoh papjekuri, për të mos thënë dashakeqësi në kritikat e ashpra të Blushit. Të kërkosh përgjegjësin te qeverisja aktuale për rrënimin e qëllimshëm antishqiptare mbi 20 vjeçar të Berishës, është përpjekje për të amnistuar krimet e tij të rënda. Të bësh përgjegjëse qeverinë aktuale për skenarët ogurzinj që ka planifikuar dhe zbaton Berisha, pas ardhjes në pushtet të sw Majtws, duke filluar nga politika e “tritolit”, te skenarët “Doshi”, e tashmë së fundi, te skenari kriminal i nxitjes së eksodit, është përpjekje e hapur për t’i lënë ende fushë veprimi Berishës dhe bandës së tij për ta mbajtur edhe më tej Shqipërinë peng të krimit, korrupsionit, padrejtësive, paligjshmërive, dhunimit dhe arbitraritetit gjithfarësh kundër qytetarëve të këtij vendi. Janë këto arsyet që më bëjnë të them se Blushi nuk ka gjetur as kohën e duhur, as objektin e duhur dhe as gjuhën e duhur për të sulmuar atë që duhet inkurajuar, dhe për të lënë të qetë ata që minimumi duhen prangosur për këtë situatë dramatike që përjetojmë nga fara e keqe që mbolli këto mbi 20 vjet Berisha.