Politika “zgjedh” kryetarin e Tiranës. Kandidatët kryesorë: Pjesëmarrje masive

494
TIRANE – Presidenti i Republikës Bujar Nishani, kryeministri Rama, kryetari i Parlamentit Ilir Meta lideri i opozitës Lulzim Basha, ish kryeministri Berisha dhe kandidatët për kryetar të Bashkisë së Tiranës kanë hedhur votën e tyre në qendrat e votimit në kryeqyetet me mesazhin për zgjedhje të lira dhe apelin për pjesëmarrje.
Presidenti Nishani ka shprehur mirënjohjen për punën e komisionerëve dhe numëruesve në këto zgjedhje. Kryeministri Rama, i cili në këto zgjedhje ka votuar në Surrel qartësoi edhe njëherë risinë e këtyre zgjedhjeve me reformën e re administrativo-territoriale. 
Kryetari i Parlamentit Meta ka bërë apel për distancimin nga çdo tensionim artificial. Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë apel për pjesëmarrje masive, ndërkohë që ka marrë pjesë në votime i shoqëruar nga prindërit pasi bashkëshortja e tij ka shtetësi holandeze dhe nuk mund të votojë.
Për ish-kryeministrin Berisha këto janë zgjedhje të plagosura pasi sipas tij ka kandidatë me të kaluar kriminale. Kandidati i ASHE Erion Veliaj u shpreh se procesi po ecte në mënyrë të qetë dhe eficiente. Ndërkohë kandidati i opozitës Halim Kosova nuk ka dashur të bëjë komente politike gjatë kësaj dite.
Presidenti Nishani: Mirënjohje për komisionerët dhe numëruesit
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ftoi qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime nga qendra e votimit e ngritur në shkollën “Andon Zako Çajupi” ku hodhi votën e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta.
Gjithashtu Presidenti theksoi se këto zgjedhje përkojnë edhe me 25 vjetorin e rënies së diktaturës në vend, ku tashmë vota është e lirë. “Dëshiroj t’iu uroj një proces të mbarë.
Dua të theksoj se këto zgjedhje përkojnë me 25 vjetorin e rënies së dikturaturës, më parë nuk e kishin këtë liri vota ishte e përcaktuar, sot kemi liri reale dhe duhet ta shfrytëzojmë.
Gjithashtu Nishani falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për komisionerët dhe numëruesit, të cilët sipas tij ata janë gjykatësit dhe menaxherët e vullnetit të qytetarëve. Nishani ka inkurajuar politikanët të përcjellin mesazhe pozitive për qytetarët.

Rama voton në Surrel: Me reformën e re territoriale s’ka më katundarë
Kryeministri Rama së bashku me bashkëshorten Linda Rama ka votuar sot në zonën e tij në periferi të Tiranës në Surrel nga ku qartësoi edhe njëherë risinë e këtyre zgjedhjeve me reformën e re administrativo territoriale.
Rama tha se me reformën e re nuk ka më katundar apo qytetarë edhe “ai që është në një fshat të humbur të kryeqytetit është qytetarë tashmë”,- theksoi kryeministri Rama. Si të gjithë liderët politik që votuan sot edhe kryeministri i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në votimet historike sipas tiJ. “Kush nuk voton nuk ka të drejtë të ankohet”- u shpreh kryeministri në fjalën e shkurtër përpara gazetarëve. Kryeministri gjatë pjesëmarrjes në votim ishte i veshur mjaft sportiv.
Pas shpërnguljes në banesën e re, Rama ka kërkuar të ndryshojë dhe njësinë bashkiake ku ka qenë i regjistruar. Në zgjedhjet e shkuara, Rama ka votuar në qendrën e votimit në shkollën “Pjetër Budi”, të njësisë bashkiake 7 në Tiranë. 
Voton Meta: Distancohuni nga çdo lloj tensionimi artificial
Kreu i LSI-së Meta votoi ditën e sotme në kopshtin numër 31 pranë zonës së ish bllokut i shoqëruar nga bashkëshortja Monika Kryemadhi dhe vajza e tij vogël. Kreu i kuvendit i bëri thirrje të gjithë qytetarë të distancohen nga çdo lloj tensioni artificial dhe të kontribuojnë të gjithë në mbarëvajtjen e këtij procesi. 
Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të distancohen nga çdo lloj incidenti , nga çdo lloj tensionimi dhe secili të shkojë të votojë i pandikuar nga askush dhe të shprehë vullnetin e tij. Kështu që duhet të gjithë t’i shërbejmë qetësimit të gjithë këtij procesi deri në fund dhe t’i lëmë qytetarët të votojnë të qetë. Shpresojmë edhe media të mos i japë peshë incidenteve, por t’i japë peshën që i takon këtij dimensioni mjaft qytetar dhe evropian që po demonstrojnë shqiptarët sot”.- u shpreh Meta
Meta e cilësoi situatën të qetë dhe pozitive madje ftoi të gjithë komisionerët të bashkëpunojnë për një proces zgjedhor të qetë dhe me standarde europiane.
Shpresojmë tha Meta se që media të mos i japë peshë incidenteve por ti japë më tepër peshë procesit donator të sotëm të zgjedhjeve dhe të gjithë të punojmë që të respektohet vota e qytetarëve pa dallim.
“Mendoj që ecuria është mjaft pozitive. Situata është jashtëzakonisht e qetë dhe besoj se kështu duhet të vazhdojë. Të gjithë duhet të kontribuojmë që zgjedhjet të arrijnë standardin më të lartë evropian. U bëj thirrje të gjithëve të distancohen nga çdo lloj tensionimi artificial dhe të punojnë të gjithë bashkë komisionerët, e më pas edhe numëruesit që të respektohet vota e çdo qytetari të vendit tonë i cili duhet të shprehet në mënyrën sovrane.”- tha Meta
Për të pavendosurit për të votuar Meta u shpreh: ‘Mesazhi im për të pavendosurit është ky: Që do t’u mbetet merak nëse nuk do të votojnë sot. Sepse zgjedhje ka patur dhe do të ketë çdo katër vjet, por nga nesër do të kemi një Shqipëri tjetër të riorganizuar në një mënyrë vërtet më evropiane nga pikëpamja administrative territoriale dhe mesazhi tjetër është pikërisht ai që kush nuk voton dhe shumë të drejtë për t’u ankuar dhe për të kërkuar llogari nuk ka. Kështu që të kenë të drejtë të ankohen, të kenë të drejtë të kërkojnë llogari për të gjithë problemet e tyre, duhet të shkojnë të gjithë të votojnë, të shkojnë të votojnë të pandikuar nga askush”, theksoi gjatë prononcimit të tij”- Ilir Meta. 
Basha voton me prindërit, bën apel për pjesëmarrje
Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë së Tiranës në largim Lulzim Basha ka hedhur votën e tij në kutinë e votimit në njësinë numër 8. Pas votimit ai është prononcuar për mediat duke i bërë ape qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime duke theksuar se vota është fuqia e tyre:
“Thirrje qytetarëve të marrin masivisht pjesë në votime.
Të ndajnë pak minuta nga koha e tyre dhe të vijne të votojnë. Vota është fuqia juaj, momenti i sovranitet tuaj. Vendimet merrem nga ata që votojnë. Zoti e bekoftë Shqipërinë”,-tha kryetari i PD. 
Kryetari i opozitës ka qenë i shoqëruar në procesin e votimit nga prindërit e tij ku vihej re mungesa e bashkëshortes së tij, Aurela. Ajo është me nënshtetësi holandeze dhe për këtë arsye ajo nuk mund të votojë në vendin tonë. 
Fjala e plotë e kryetarit të opozitës Lulzim Basha
“Unë dua t’i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë në këtë ditë të madhe e të rëndësishme për vendin tonë, në ditën kur qytetarët vendosin me votë të marrin masivisht pjesë në votime, t’u bëj thirrje qytetarëve të Tiranës e anembanë Shqipërisë që të ndajnë pak minuta nga koha e tyre, të vijnë në qendrën e votimit, të hedhin votën e tyre, sepse vota juaj, të nderuar qytetarë është fuqia juaj, është vendimi juaj, është gjykimi juaj, është momenti i sovranitetit tuaj. Vendimet merren nga ata që votojnë, ndaj ejani masivisht dhe jepni votën tuaj për të ardhmen tuaj, familjes e fëmijëve tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë!” 
Voton kandidati për Tiranën Veliaj: Procesi i qetë dhe eficient
Kandidati i koalicionit ASHE për Bashkinë më të madhe në vend atë të Tiranës, Erion Veliaj ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit në shkollën Fan Noli. Veliaj ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe në një prononcim për mediat ai falenderoi për punën e tyre komisionerët pavarësisht bindjeve politike.
“Dua të falenderoj komisionerët pavarësisht bindjeve politike, pasi ky është një akt vullnetarie që janë çuar që pa gdhirë dhe që do ta gdhijnë.”
Në qendrën ku Veliaj votoi procesi vijoi i qetë dhe mjaft eficient. Gjithashtu Erion Veliaj ka përshëndetur të gjithë personat që votojnë për herë të parë duke i cilësuar si aksionerë të qytetit.
Veliaj ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë dhe ta çojnë qytetin në atë drejtim që duhet. Sipas tij dita e zgjedhjeve është një ditë feste për demokracinë si dhe që pas mbylljes së zgjedhjeve Tirana do të gdhihet siç e meriton. 
Fjala e plotë e kandidatit të ASHE për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj
“Së pari, dua të falënderoj të gjithë komisionerët, pavarësisht forcave politike. Është një akt qytetarie kur dikush vullnetarizohet dhe shërben në këtë funksion. Ndaj, ju falenderoj me gjithë zemër. Dua të përshëndes të gjithë ata që votojnë për herë të parë, është diçka shumë e bukur sepse bëhen aksionerë të demokracisë, kjo është një festë e demokracisë. Dua të bëj një përshëndetje të veçantë për të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç: Mirëserdhët si aksionerë të qytetit dhe të vendit tonë.
Dua gjithashtu, që t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që është shumë e rëndësishme që të votojmë. Ne ankohemi, shqetësohemi, por në fund fare ka rëndësi mënyra se si e shprehim atë që mendojmë, çfarë drejtimi duam t’i japim qytetit, çfarë drejtimi duam t’i japim vendit. Besoj se është një mundësi fantastike për të treguar se në cilin drejtim duam t’i çojmë gjërat, për t’i dhënë një mesazh politikës nëse duam një politikë që flet për gjëra konkrete apo një politikë që merret me sharje dhe me familjet.
Unë besoj se ç’është thënë në këtë fushatë meriton të vlerësohet dhe qytetarët të na japin me votën e tyre masive opinionin e tyre mbi drejtimin që duan ta çojnë vendin. Dua t’ju kujtoj se 4 vite më përpara rezultati u nda për 10 vota. Kjo do të thotë se çdo votë vlen dhe skeptiku dhe ciniku më i madh duhet të kuptojë që çdo votë vlen. Ndaj kjo është një festë e demokracisë dhe duhet të shkojmë si në festë dhe të sigurohemi që të kemi masivitet dhe pastaj ta lexojmë me transparencë atë rezultat dhe t’i futemi punës për të bërë gjërat e duhura.”
Voton Halim Kosova: Nuk më shtyni dot të bëj komente politike
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosova ka hedhur votën e tij në qendrën e votimit të ngritur në njësinë numër 5, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. “Këtu kam votuar gjithë jetën sepse këtu banoj. Mund të jetë një koincidence e bukur edhe për profesionin tim që e kam ushtruar me dëshirë gjithë jetën”, – u shpreh Kosova. 
Mes batutash me gazetarët Kosova ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në votime dhe të ushtrojnë në këtë mënyrë pushtetin e tyre. 
“Përfitoj nga rasti të them që për Tiranën sot është një ditë e mbarë.Ftoj banorët e Tiranës të respektojnë standardet, të ushtrojnë pushtetin e votës dhe të bëjnë demokraci nëpërmjet votimin masiv. Këto nuk janë zgjedhje politike, këto janë zgjedhje për qytetin dhe e dinë qytetarët se cila është më e mirë për ta, nuk më shtyni dot të bej asnjë koment”, përfundoi ai. 
Voton Bojaxhi, në Facebook: Vota mjeti i fuqishëm që ndikon politikën
Kandidati i pavarur për bashkinë e kryeqytetit Gjergj Bojaxhi votoi ditën e sotme pnë qendrën e votimit te liceu Artistik në kryeqytet.Bojaxhi nuk u prononcua për mediat por me anë të një postimi në Facebook fton të gjithë shqiptarët të votojnë duke theksuar rëndësinë që ka vota për të ndikuar qeverisjen dhe politikën.
“Nuk ka ditë më të rëndësishme se dita e votimeve për një shoqëri. Aq më shumë për ne që vota e lire na është mohuar aq gjatë në historinë tonë. Sot e kemi dhe është mjeti më i fuqishëm për të ndikuar politikën dhe qeverisjen. Çdo gjë arrihet me votë, madje edhe me një vote të vetme” – tha Bojaxhi. 
Voton Sali Berisha: Këto janë zgjedhjet e para të plagosura 
Deputeti i Partisë Demokratike Sali Berisha ka votuar i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në qendrën e votimit të ngritur në liceun artistik. Ndonëse ka përshëndetur qytetarët dhe ka nxitur për pjesëmarrje në votime ndonëse sipas Berishës këto janë zgjedhje janë të plagosura.
“Këto zgjedhje po zhvillohen në shenjën e mafies dhe krimit nga ana e mazhorancës. Kësaj here ndodhi diçka e paimagjinueshme, transparencës së miqve tanë ndërkombëtarë ju kundërvu krimi qeveritar. Këtë herë zgjedhjet janë të plagosura sepse bashkëqytetarët tanë në disa nga bashkitë e vendit janë të thirrur të votojnë për kandidatë me të shkuar drogën, prostitucionin.
Sot është fjala e qytetarëve dhe ata kanë në dorë të dëgjojnë fjalën e miqve tanë ndërkombëtarë të cilët në interes të jetës së qytetarëve shqiptarë kërkuan largimin me nga lista me emra konkrete të personave të dënuar për drogë e prostitucion shumica e lidhur kokë e këmbë me krimin,”-tha Berisha.
I pyetur rreth vijimit të situatës në Kurbin deputeti i Partisë Demokratike u shpreh: “Sipas mediave atje procesi po shkon si çifteli me një tel. Ka patur hile te paimagjinueshme ndaj tyre por do të shqyrtohen”,-përfundoi Berisha.  
Sigal